Paria e Prizrenit Nën Hetime

Vetë kreu i Prizrenit, Ramadan Muja, gjatë debatit “Jeta në Komunë” nuk ka preferuar t’i komentojë këto vendime, duke theksuar se për të gjitha ato pret vendimet e organeve të drejtësisë. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar akuzat se këto janë çështje politike, të ngritura nga kundërshtarët politikë.
 
Hetime janë duke u kryer ndaj kryetarit Muja, drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçaj; drejtorit të Shërbimeve Publike, Hasan Hasani; atij të Urbanizimit, Sadik Paçarizi, si dhe disa zyrtarëve të tjerë, të cilët dyshohen për vepra penale të keqpërdorimit të autorizimeve dhe të detyrës zyrtare.
 
Muja, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, Njazi Kryeziun, gjithashtu po hetohen për dhënien në shfrytëzim të pronës për qendrën “Gultisan” . Muja dyshohet se ka gisht edhe në dy raste të tjera që lidhen me keqpërdorim të pronës komunale.
 
Kurse, dy drejtorët komunalë, Hasan Hasani dhe Sadik Paçarizi, po hetohen nën dyshimet se e kanë shitur një veturë të konfiskuar, në mënyrë të kundërligjshme. Ndërsa për keqpërdorimet e mundshme në organizimin e ekskursioneve është duke u hetuar drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj.
 
E kur është fjala për keqpërdorimet, Mujës i janë përmendur edhe shpenzimet e mëdha që kryesuesi i Kuvendit, Njazi Kryeziu, i ka bërë gjatë muajit qershor të vitit 2011. Sipas të dhënave, ky zyrtar kishte shpenzuar rreth 970 euro për telefonin e tij, shpenzime këto të cilat kreu i komunës i ka arsyetuar, duke thënë se kryesuesit i duhet të ketë shumë kontakte me deputetët e Asamblesë Komunale dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal.
 
Ish-anëtari i PDK-së në këtë komunë, Zafir Berisha, ka drejtuar akuza ndaj zyrtarëve komunalë se gjatë vizitave zyrtare kanë shpenzuar para edhe për të parë filma porno. “Ju keni harxhuar 720 dollarë për të parë filma seksi”, ka thënë Berisha. Muja nuk e ka komentuar këtë akuzë.