Zëri i Xhamive Dëgjohet Larg

Nexhat Bala thotë se diku një vit më parë i kishte shkruar Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), por përgjigje nuk kishte marrë kurrë.

Bala jeton afër “katër llullave” në Prishtinë, rrugës për te teatri “Dodona”, dhe ai ishte ankuar për zërimin e xhamisë.

“U shkrova në mënyrë shumë të sjellshme”, thotë ai. “Jam vetë mysliman dhe jam për ta mbajtur traditën. Dikur në minare hipte hoxha dhe e thërriste ezanin, s’kishte problem. Tash, shkaku i altoparlantit, po vuajnë fëmijët, të sëmurët, pleqtë”.

Para një muaj e gjysmë, tha Bala, zëri i zmadhuar u dyfishua dhe ai tani interferohet me të xhamive përreth.
“Çdo herë zgjohemi prej gjumit shkaku i këtij zëri”, tha Bala për Gazetën Jeta në Kosovë. “E me asgjë nuk duhet tepruar, pra as edhe me fe”.

Bala tha se xhamia kurrë nuk e kontaktoi komunitetin përreth për të diskutuar vënien e zmadhuesve. “Si duket ata garojnë me xhamitë tjera”.

Por imami i xhamisë “Hasan Beg” te “katër llullat”, Husamedin Abazi, thotë se kurrë askush nuk i është ankuar atij në lidhje me zërin e ezanit.

“Kjo mund të jetë përzier me një gjenerator që është aty afër”, i tha ai gazetës. “Unë jam imam prej ‘96tës aty dhe ezani është thirrur gjithmonë me mikrofon e altoparlant. Asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë ndonëse këtë mund ta kenë kërkuar xhematlinjtë, bile në gjashtë-shtatë muajt e fundit zëri veç është zvogëluar”.

“Ne nuk jemi të interesuar ta pengojmë askënd, përkundrazi”, tha imami Abazi.

foto  
Xhamia “Hasan Beg”, te katër llullat, Prishtinë  

 

Dhjetëra xhami të reja janë ndërtuar në kryeqytet pas luftës, krahas ekzistuesve si “Hasan Beg”, dhe shumë prej tyre u janë vënë zmadhues të tillë të cilët përdoren kurdo që lëshohet ezani, thirrja për t’iu falur Zotit.

Gjithnjë e më shumë qytetarët janë duke u ankuar dhe një numër syresh i kanë shkruar Gazetës Jeta në Kosovë, ndonëse edhe të tjerë janë shprehur se kjo nuk i pengon ata kur janë pyetur në rrugë e përreth xhamive.

Trajtimi i kësaj problematike mund të fitojë një precedent në Prizren, ku deputeti Lulzim Kabashi gjithnjë e më shumë po merr mbështetje nga përfaqësuesit tjerë për të “kontrolluar” zërin e ezanëve të xhamive.

Kabashi, asamblist nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), në kuvendin komunal kishte kërkuar që në kuadër të nismave për parandalimin e ndotjes akustike në qytetin e Prizrenit, të parashihen masa edhe për uljen e tonit të ezanit të xhamive.

Ai thoshte se duhet të bëhet kontrolli i decibelëve gjatë thirrjes së ezanit përmes altoparlantëve të cilat janë të vendosur në minaret e xhamive e që, sipas tij, tejkalojnë standardet e lejuara.

Deklarata e kreut të degës së LDD-së në Prizren u quajt “monstruoze” nga Këshilli i Bashkësisë Islame në këtë qytet.

“Deklarimet e tij nuk janë deklarime kundër zërit të lartë të ezanit nëpër xhamitë e Prizrenit historik, në të vërtetë ato janë deklarime kundër vetë ezanit”, thuhej në deklaratën e këshillit. “E dimë që shumëkujt i ka penguar ky ezan, tash e njëmijë e pesëqind vjet më parë, duke filluar nga koha e Muhamedit a.s. dhe deri më sot, por fati i tyre, tani është skalitur në histori me shkronjat e turpit”.

“Fundërrinat e së kaluarës kanë vdekur që moti. Ata kurrë nuk do të kthehen më, sepse nuk i do Zoti e as populli”, thuhej më tutje në deklaratë. “Thirrja e ezanit pesë herë në ditë është thirrje e pesëfishtë për vepra të mira. E, ata që çohen kundër tij, siç ka ndodhur nga kuvendari Lulzim Kabashi, janë ngritur kundër vlerave të demokracisë”.

Kabashi sërish u përgjigj duke thënë se është mysliman, se ndihet mirë me këtë përkatësi dhe se respekton çdo fe dhe komunitet tjetër.

“Nuk kam kërkuar dhe as që po kërkoj të ndalet ezani”, tha ai. “Por kam kërkuar dhe kërkoj që të rregullohet intensiteti i zërit (në masë të lejuar) dhe të pranuar për veshë, që të sinkronizohet zëri gjatë ezanit në mes xhamive të cilat janë afër njëra tjetrës dhe të mos interferojnë mes vete”.

Po ashtu, Kabashi tha se praktikat e vetë Këshillit të Përhershëm të Dijetarëve në Mbretërinë e Arabisë Saudite kanë rregulluar mospërzierjen e thirrjeve si dhe e kanë kufizuar përdorimin e altoparlantëve vetëm për thirrje të ezanit e jo edhe për transmetim të ligjëratave.

Ai shtoi ndërkohë se “deklarata paragjykuese dhe fyese” e Këshillit të Bashkësisë Islame ishte në kundërshtim me “misionin e kësaj organizate”.

foto  
Xhami në Prizren  

 

Hoxha Orhan Bislimaj, njëherësh sekretar në Bashkësinë Islame në Prizren, megjithatë, thotë se reagimi i BIK-ut ishte shumë i balancuar.

“Ne si Këshill i BIK-ut fillimisht nuk kemi reaguar, mirëpo duke parë reagimet e qytetarëve të Prizrenit, qofshin në zyrat tona, në telefon dhe në internet, BIK-u është detyruar të reagojë pas pesë ditëve vonese”, tha hoxha Bislimaj, për Gazetën JnK.

Ai e mbrojti thirrjen e ezanit siç bëhet duke e quajtur “shumë në nivel” lartësinë e tij.

“Secili myezin e thërret ezanin live, pa CD, këtë e ka edhe obligim të detyrës. z.Kabashi ka menduar se ezani thirret me CD e po ja lëshojmë shumë zërin. Është dashtë që ai paraprakisht të vijë në zyrat tona, ne i kishim treguar se ezani nuk thirret me CD”, tha Bislimaj.

Bislimaj edhe e ka definuar shprehjen “monstruoze” që e ka përdorur Këshilli i BIK-ut në reagimin ndaj Kabashit.

“Ai e ka kuptuar monstruozin si përbindësh. Le ta shikoj fjalorin e fjalëve të huaja se kuptimi i fjalës monstruoz do të thotë: shumë i shëmtuar e i neveritshëm, që bëhet në egërsi të madhe e pa pikë mëshire, në mënyrë të poshtër e të pabesë”, tha ai.

Disa qytetarë në Prizren, me të cilët ka folur Gazeta Jeta në Kosovë, nuk janë shprehur shumë të brengosur me lartësinë e zërit në xhamitë e afërta.

Por ndërkohë disa asamblistë tjerë e kanë përkrahur propozimin Kabashit dhe qëndrimin e tij pas reagimit të BIK-ut.

Asambleisti Haziz Hodaj, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se deklarata e Kabashit ka marrë konotacion krejt tjetër nga ajo që ai ka kërkuar.

“Bashkësia Islame e ka ekstremizuar deklaratën e asambleistit Kabashi, gjë që nuk është dashtë të ndodhë”, tha Hodaj për Gazetën JnK. “Qëndrimi imë është që të përkrahet propozimi i bërë nga z.Kabashi”.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prizren, Nijazi Kryeziu, tha se komuna do të marrë vendim për këtë.

“Ne jemi duke punuar në draftraportin që ka të bëjë me ‘Ndotjen e ambientit’. Në atë draft do të përfshihen të gjitha zhurmat që shkaktohen në qytet dhe me rregullore do të vendoset edhe për decibelët që do të përdoren, duke mos përjashtuar këtu edhe ezanin e xhamive”, tha Kryeziu.

Hoxha Orhan Bislimaj tha se “varësisht nga ajo që do të pasojë, BIK- do të gjendet në situatë”.

“Mirëpo mendojmë se Asambleja as nuk do të duhej të diskutonte më për këtë çështje, e lëre më të marrë ndonjë vendim”, tha Bislimaj. “Ezani thirret sikur është thirrur gjithmonë dhe brenda decibelëve normalë”.