Mjeshtrit e Vëllait të Kryeministrit Angazhohen në Ndërtimin e Qendrës së Intelegjencës

Kompania nga Drenasi “Vëllezërit Asllani” mund të jetë angazhuar të kryejë punë në ndërtimin e objektit të ri të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI).
 
Punishtja ku është duke u ndërtuar ky objekt klasifikohet si sekrete dhe është njëra nga ndërtesat më të ndjeshme në vend. Për këtë arsye Qeveria e Kosovës nuk pati aplikuar procedurë të hapur tenderimi për ndërtimin e qendrës intelegjente.

Por kompania që kishte fituar të drejtën e ndërtimit, e që ka lidhje të forta me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duket se e ka nënkontraktuar një firmë ndërtuese e cila aktualisht punon në një ndërtim me Blerim Thaçin, vëllain e Kryeministrit të vendit, pa e ditur AKI. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka fotografuar një furgon pune të firmës “Vëllezërit Asllanaj” në zonën e sigurt të AKI-së, përkundër pohimit të kreut të saj Bashkim Smakaj se askush nuk ishte nënkontraktuar për ndërtimin në fjalë.

Parimisht aty nuk mund të hynin kompani të cilat nuk ishin të besueshme për administratën shtetërore. Vetëm kompania “Ing Enginering” nga Suhareka ishte klasifikuar si e tillë dhe mund të kryente punë brenda zonës sekrete që gjendet afër kazermës Adem Jashari në Prishtinë. 

Kur Agjencia Kosovare e Intelegjencës i kishte bërë verifikimin e besueshmërisë “Ing Engineringut”, ajo nuk kishte paraqitur asnjë kompani tjetër si nënkontraktuese në ndërtimin e këtij objekti.

Mirëpo edhe kompania “Ing Enginering” e cila e kishte fituar kontratën në mënyrë sekrete duket se ka nënkontraktuar ngjashëm. Pronari i saj Rexhep Hajdari ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë angazhimin e kompanive tjera në punishten e AKI-së. “Ne jemi ekip. Kur kryejmë punë, shkojmë së bashku”, thotë Hajdari. 

“Kompania ime nuk punon aty.  Unë vetë e kam lënë kombin aty se është punë e imja ku i lë senet e mia” Qazim Asllani  

Ai nuk ka dhënë përgjigje se çfarë punësh në objekt kryen kompania “Vëllezërit Asllani” si dhe kompanitë “Zogaj” e “Blendi” të cilat i ka përmendur si pjesë të ekipit.

Për dy kompanitë e fundit, Hajdari nuk ka treguar as prej nga vijnë. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve janë dhjetëra kompani që kanë emërtime të ngjashme me to.

Hajdari thotë se moszbulimi i informatave kërkohet nga ruajtja e sekretit shtetëror.

Qazim Asllani, pronar i kompanisë “Vëllezërit Asllani”, ka mohuar ndërkohë që kompania e tij është e angazhuar në ndërtimin e objektit të ri AKI-të.

Por, makina të kësaj kompanie janë parë brenda zonës që klasifikohet si sekrete dhe ku nuk mund të hyjnë njerëz që paraprakisht nuk klasifikohen si të besueshëm nga AKI.

Asllani është arsyetuar se e ka lënë qëllimisht brenda zonës një furgon pune që mban mbishkrimin “Vëllezërit Asllani”, dhe një numër kontaktues të tij si pronar i kompanisë.

“Kompania ime nuk punon aty.  Unë vetë e kam lënë kombin aty se është punë e imja ku i lë senet e mia”, është shprehur Asllani.

Një ditë pasi Asllani ishte pyetur në lidhje me këtë, furgoni i kësaj kompanie ishte larguar nga zona e klasifikuar si sekrete. 

Më vonë, Asllani ka pranuar përfshirjen e kompanisë në ndërtime, por jo si nënkontraktor. “Nuk jam nënkontraktues në ndërtimin e objektit, por mua më kanë kërkuar punëtorë të kompanisë që të punojnë në objekt dhe i kam huazuar vazhdimisht”, ka thënë Asllanaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kompania “Vëllezërit Asllani” është duke ndërtuar ndërkohë kompleksin banesor “Iliria Building” në lagjen Mati 1 në Prishtinë, sipas shpalljeve në vendin e ndërtimit të fotografuara nga Gazeta Jeta në Kosovë. Në kompaninë “Iliria Building” hisedar është Blerim Thaçi, i vëllai i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi.

Asllani ka refuzuar të flasë për Gazetën Jeta në Kosovë, kur është pyetur nëse punimet e kryera në “Ilira Building” i kanë ndihmuar në angazhimin e mundshëm në ndërtimin e qendrës së intelegjencës.

Viktor Cakiqi, zyrtar në kompaninë “Iliria Buliding”, thotë se kompania “Vëllezërit Asllani” ka qenë e vetmja që ka kryer punë ndërtimore në këtë kompleks banesor. 

“Nuk ka asnjë kompani tjetër ndërtimi në objekt përveç saj”, ka thënë Cakiqi, për gazetën Jeta në Kosovë.

foto  
Iliria Building  

Qeveria e AKI thonë se “Ing Enginering” nuk ka nënkontraktues

Ministria e Administratës Publike (MAP) thotë se kontraktuesi për ndërtimin e objektit të intelegjencës nuk ka angazhuar kompani tjera si nënkontraktuese. 

“Kompania ‘Vëllezërit Asllani’ nuk është e angazhuar si nënkontraktore e kompanisë ‘Enginering’ nga Suhareka në kryerjen e punimeve në ndërtesën e përmendur”, ka thënë Birsen Shufta, zëdhënëse e MAP-it, institucionit që ka përgjegjësinë për ndërtimin e objekteve publike.

Zëdhënësja e MAP-it ka deklaruar se për këtë çështje janë konsultuar edhe përfaqësuesit e kompanisë “Ing Enginering” dhe se ata i kanë konfirmuar se punojnë të vetëm në objekt.

“Pas konsultimeve që janë bërë me përfaqësues të kompanisë  ‘Enginering’, në objektin e përmendur nuk është duke punuar asnjë nënkontraktor”, ka thënë Shufta.

Edhe Bashkim Smakaj, drejtor i AKI-së, ka deklaruar se brenda objektit nuk mund të futet asnjë kompani tjetër përveç “Ing Enginering”.
 
“Enginering nuk ka nënkontraktorë dhe aty nuk mund të futet asnjë kompani tjetër”, ka thënë Smakaj. Ai thotë se Enginering mund të ketë angazhuar punëtorë të kompanive tjera për të punuar brenda në objekt.

“‘Enginering’ kur është verifikuar ka paraqitur punëtorët të cilët do t’i angazhojë për të ndërtuar objektin. Ne nuk e kemi pyetur se të cilës kompani janë këta punëtorë por ka mjaftuar që janë prezantuar nga ‘Enginering’”, ka thënë Smakaj.

foto  
Furgoni i punës i kompanisë “Vëllezërit Asllani” brenda “zonës sekrete” të AKI-së  

“Ing Enginering”, kompani e afërt me PDK-në

Në gusht të vitit të kaluar, Ministria e Administratës Publike ka kontraktuar kompaninë Ing Enginering nga Suhareka për të ndërtuar bazën e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës.

Kontrata, sipas drejtorit të prokurimit në këtë ministri, Arton Berishës, peshon rreth 5 milionë euro.

Për angazhimin e saj nuk kishte pasur aktivitet të hapur të prokurimit pasi që bëhej fjalë për një kontratë e cila u klasifikua si sekrete.

“AKI i ka kërkuar Qeverisë që të përjashtojë Ligjin e Prokurimit, në këtë kontratë publike. Kërkesa është miratuar. Ministria e Administratës Publike, përkatësisht Departamenti i Inxhinieringut, në gusht të vitit të kaluar, ka nisur procedurat për ndërtimin e bazës së AKI-t”, pati deklaruar Smakaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

MAP, sipas tij, ua kishte dërguar ftesat pesë kompanive nga të cilat është përzgjedhur “Ing Engineering” nga Suhareka të cilës pastaj i është bërë verifikimi nga Agjencioni Kosovar i Intelegjencës dhe kishte rezultuar si kompani e besueshme.

Njëri prej krerëve të kësaj kompanie Hazir Hajdari, i cili e mban pozitën e zëvendësdrejtorit gjeneral të “Ing Engineering”, në vitin 2007 ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që udhëhiqet nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi.

Hajdari, aktualisht është këshilltar komunal në Suharekë, po nga radhët e partisë së kryeministrit Thaçi. Ndërkaq vëllai i tij Rexhep Hajdari figuron si pronar i vetëm i kësaj kompanie në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.