UP Paguan 4000 Euro për Çmimin "e Diskutueshëm"

Rektori Mujë Rugova dhe prorektori Naser Mrasori udhëtuan për në New York, këtë javë, për të pranuar çmimin nga Business Initiative Direction, BID, një kompani me bazë në Madrid.

Por organizata e studentëve të UP-së, “Studim, Kritikë, Veprim”, dhe një blog ndërkombëtar në internet, që merret me çështje të konsumatorëve, kanë vënë në pikëpyetje vlerën e këtij çmimi dhe nëse ky, në fakt, është vetëm një “mashtrim”.

Në mënyrë që të marrin çmimin, nga universiteti është kërkuar të paguajnë avans 3,900 euro, ku përfshihet një dhomë hoteli për dy net, ceremonia e ndarjes së çmimit dhe disa pritje të tjera më të vogla, gjatë dy ditëve. Rugova u paraqit në hotelin “Marriott Marquis” për dy net, me një kosto prej rreth 550 eurosh.
 
Fluturimet, kostoja mesatare e të cilave kalon 1,000 euro deri në New York, nuk ishin të përfshira në pako, sikurse as shpenzimet e tjera. Rugova ndodhej ende në New York të premten, sipas këshilltares së tij, Ferdane Llonçari. “Nuk kishte fluturim për t’u kthyer më herët”, tha ajo.

Nuk është e qartë, nëse Rugova është ende duke udhëtuar me shpenzimet e UP-së, çfarë ishin kostot e fluturimeve dhe nëse UP-ja bleu “shërbime” të tjera të ofruara nga BID, të cilat vijnë ekstra, pasi universiteti nuk pranoi të zbulojë ndonjë detaj të udhëtimit në dy ditët e fundit.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar letrën e inicimit nga BID, me bazë në Spanjë, dërguar Universitetit të Prishtinës, si dhe një seri të dokumenteve të tjera, në të cilat ajo e quan universitetin si një biznes ose kompani. (Shiko këtu letrën).

Letra i drejtohet “Universitetit të Prishtinës”, edhe pse letra është në anglisht, dhe e drejtuar një “menaxheri të përgjithshëm” të paemëruar, në stilin e letrave me postë elektronike “spam”. Dokumentet gjithashtu përshkruajnë koston bazë prej 3,900 eurosh, si dhe sugjerojnë se shërbimet e tjera, si organizimin e intervistave për media, janë gjithashtu të mundshme.

“Universiteti i Prishtinës (UP) është laureuar me çmim për cilësi në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë një komunikatë shtypi, e lëshuar nga UP-ja, së bashku me një foto të Rugovës, ndërsa mban një trofe.(Gjej këtu arsyetimin e çmimit)

Madje, edhe Zëri i Amerikës (VOA), kishte realizuar një intervistë të drejtpërdrejtë me rektorin, për ta pyetur për këtë çmim, që iu dha Universitetit të Prishtinës dedikuar për “cilësi, menaxhim dhe rezultate të vazhdueshme”.

Kur është sfiduar pse Universiteti i Prishtinës ka fituar çmimin, Sandra Balkan, nga BID, i tha gazetës se universiteti ishte zgjedhur me kujdes, bazuar në “100 pika” të kritereve, edhe pse ajo ka pranuar se askush nuk e kishte vizituar universitetin para vendimit, dhe nuk mundi të thotë nëse dikush e flet gjuhën shqipe, në mënyrë që të vlerësojë performancën e institucionit arsimor. “Ky [çmim] nuk është absolutisht diçka që ne e japim për të gjithë”, tha ajo. BID tha se do të lëshojë një deklaratë të plotë të hënën.

Lëvizja studentore, “Studim, Kritik, Veprim” ka lëshur një komunikatë për media, në të cilën e kanë akuzuar rektorin Rugova se është mashtruar, duke e pranuar një çmim pa vlerë.

“Një kompani, e quajtur Business Initiative Direction (Drejtimi për Nismat Biznesore), që dërgon kësi lloj mesazhesh, ‘i mashtroi’ mashtruesit që po na mashtrojnë, rektorin Mujë Rugova dhe prorektorin për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasorin”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Blogje Online gjithashtu vënë në dyshim çmimin, njëri prej tyre duke vënë në dukje se një kompanie e cila kishte qenë inaktive për një kohë të gjatë, i ishte dhënë çmimi.

Një organizatë për mbrojtjen e konsumatorëve, me seli në Botsvana, shkroi se dëshmia që flet më së shumti se ky është një “mashtrim” është e thjeshtë. Një person “fitoi” këtë çmim megjithëse nuk merrej me tregti që nga viti 2003.

Një tjetër blog në Maldive gjithashtu pyeti: “Pse diku mbi tokë, një pllakë i jepet një firmë në Maldive për shitjen e kompjuterëve?”. Sipas websitit, “sponsorë medialë” të çmimeve ishin media që drejtohen në të vërtetë nga e njëjta kompani që ka dhënë shpërblimet.

UP-ja deri më tani ka refuzuar të komentojë.