Universiteti Gjobitet për Tenderin e Librave

Universiteti i Prishtinës (UP) kishte hapur vitin e kaluar një tender duke i bërë ftesë shtypshkronjave të ofertojnë për shtypjen e katër librave universitarë, me tirazh 2,500 kopje.

Tenderi ishte hapur më 10 tetor 2011 lidhur me “Shërbim i botimit të librave për UP”, ku kriteri kryesor për dhënie të tenderit ishte çmimi më i lirë.

Këshilli botues i universitetit kishte aprovuar shtypjen e tri librave nga fakulteti i shkencave matematike-natyrore dhe një nga fakulteti i juridikut.

Nga shkenca vinin librat: “Analiza Matematike II”, “Biologjia e qelizës” dhe “Meteorologjia” secila nga 500 kopje, ku këto dy të fundit ishin libra me ngjyrë. Për juridikun ishte planifikuar të shtypej libri “Metodologjia e së Drejtës” me 1,000 kopje.

Në këtë tender kanë ofertuar tri shtypshkronja: “KGT”, “Trend” dhe “ Xhad”, ku më e lira doli të jetë kompania “KGT”, e cila kishte ofruar 62.50 euro për njësi. Ky çmim ishte për kompletin e katër librave, për secilin me çmim të ndryshëm, e cila nëse llogaritet për tërë tirazhin e kërkuar prej 2,500 kopjesh, dilte me 38.200 euro.

“Trend” kishte ofertuar 42.325 euro në total ndërsa “Xhad” me 50.150 euro. 

Më 26 tetor, UP-ja shpall fitues shtypshkronjën “KGT”. Por pas një jave tenderi ishte anuluar nga ana e sekretarit të përgjithshëm të UP-së. 

Në vendimin e sekretarit të datës 2 nëntor 2011 për anulimin e tenderit ndër të tjera potencohet se oferta më e lirë prapëseprapë tejkalon zotimin e mjeteve të planifikuara për këtë tender.  

Vaxhid Sadriu pranon se gabimi është bërë në zyrën e prokurimit të UP-së pasi që për këtë tender ishin ndarë 70.000 euro ndërsa në fakt, sipas sekretarit, kjo shumë ishte ndarë edhe për punë tjera.

“Drejtori i prokurimit ka bërë gabim. Ai ishte dashur që këtë shumë ta ndajë në tri pjesë pasi që shuma prej 70.000 euro nuk është ndarë vetëm për botimin e librave. Aty është monografia dhe publikime tjera”, Sadriu i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Drejtori i prokurimit ka bërë gabim. Ai ishte dashur që këtë shumë ta ndajë në tri pjesë pasi që shuma prej 70.000 euro nuk është ndarë vetëm për botimin e librave” Vaxhid Sadriu

Përveç kësaj, Sadriu në vendimin e tij thekson se shtypshkronja fituese në tender i kishte fryrë çmimet për shtypin e librave. 

Ai thotë se UP-ja kishte krijuar një komision i cili kishte bërë hulumtimin e tregut dhe kishte konkluduar se çmimi më i lartë për këtë printim do të arrinte deri në 11.000 euro. 

Po ashtu, ai konfirmon se shtypshkronja ka pasur për detyrë vetëm të printojë librat ndërsa përgatitja teknike e tyre ishte bërë nga ana e UP-së, që rezulton me më pak punë për shtypshkronjën në fund.

Në anën tjetër, drejtori i prokurimit, Hysni Krasniqi, thekson të kundërtën. “Nuk më kanë lajmëruar për këtë gjë fare dhe unë kam nisur prokurimin për këtë tender ashtu si më kanë ardhur letrat. Pra, zotimi prej 70.000 euro është bërë vetëm për botimin e këtyre librave”, tha Krasniqi.

Sadriu thekson se derisa UP nuk ka nënshkruar kontratë me kompaninë në fjalë atëherë ata nuk i obligon asgjë në aspektin juridik.

“UP-ja për deri sa nuk ka nënshkruar kontratën me kompaninë, atëherë nuk merr obligime për realizimin e këtij tenderi”, tha Sadriu.

“Nuk më kanë lajmëruar për këtë gjë fare dhe unë kam nisur prokurimin për këtë tender ashtu si më kanë ardhur letrat” Hysni Krasniqi

Ai shtoi se nëse u kërkohet atyre që të nënshkruajnë kontratën e “papërgjegjshme” për shkak të çmimit të paarsyeshëm atëherë UP-ja këtë nuk do ta bëjë dhe do të ankohet në Gjykatën Supreme. 

OSHP e ngadalshme në veprimin e saj

Kompania fituese, shtypshkronja “KGT” ishte ankuar për vendimin e UP-së tek OSHP-ja ku kjo e fundit, pas ekspertizës së bërë, kishte urdhëruar UP-në që të vazhdojë me procedurat e mëtutjeshme për këtë aktivitet të prokurimit.

“Kam aplikuar dhe çdo gjë ka shkuar mirë. Aktiviteti është zhvilluar pa asnjë mangësi apo pengesë dhe nuk shoh asnjë arsye që ky aktivitet të mos vazhdojë”, thotë Tomë Gashi, pronar i KGT-së.

Vendimi i OSHP-së thekson se anulimi i tenderit është i jashtëligjshëm pasi që nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore të Ligjit për Prokurim. 

Eksperti shqyrtues, Besim Mulaj, në ekspertizën e tij thekson se nuk ka gjetur asnjë informacion se zotimi i mjeteve prej 70.000 euro është ndarë edhe për ndonjë pjesë tjetër të prokurimit.

Ai thotë se universiteti nuk ka mundur të anulojë prokurimin për çdo mospëlqim e të prishet sistemi i prokurimit.

“Kam aplikuar dhe çdo gjë ka shkuar mirë. Aktiviteti është zhvilluar pa asnjë mangësi apo pengesë…” Tomë Gashi (KGT)

“Për çdo eliminim AK duhet të kenë arsyetim, e jo vetëm vendim për anulimin e aktivitetit pas njoftimit për dhënie të kontratës”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Sipas nenit 62 të ligjit për prokurim, autoriteti kontraktues mund të përfundojë aktivitetin e prokurimit i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: 1.)  një shkelje e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, 2.) të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit dhe 3.) para hapjes së tenderëve, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve.

OSHP kishte nxjerrë tri urdhëresa, një në dhjetor dhe dy gjatë këtij muaji, me të cilat urdhëronte UP-në të vazhdojë me prokurimin aty ku ka mbetur përndryshe do ta dënonte.

Vendimi i dhjetorit, përveç që ka aprovuar ankesën e kompanisë fituese, ka urdhëruar UP-në të vazhdojë me procedurat e mëtutjeshme për këtë aktivitet të prokurimit.

Në fund, OSHP jep edhe një këshillë juridike ku thuhet se pala e pakënaqur mund të paraqes padi pranë Gjykatës Supreme në afat prej 30 ditë.

UP nuk kishte ngritur padi por as OSHP nuk kishte marrë masa që sipas ligjit nëse autoriteti kontraktues nuk e respekton vendimin brenda pesë ditëve mund të dënohet.

“Nuk kam çka të shtoj tjetër. Krejt i kam thënë në vendim”, Osman Kryeziu, kryetar i panelit shqyrtues i tha Gazetës Jeta në Kosovë.  

Në ndërkohë, OSHP lëshon edhe dy urdhëresa tjera gjatë këtij muaji, ku jo e  fundit me 17 maj parasheh jo vetëm gjobë prej 5,000 euro për UP-në por edhe marrje të certifikatës së drejtorit të prokurimit, i cili nuk do të jetë në gjendje të nënshkruaj kontrata.

Gabime tjera në prokurim 

Zyra e prokurimit të UP-së ka dështuar të ketë anëtarë të saj si në komisionin e hapjes së tenderit në fjalë po ashtu edhe në komisionin e vlerësimit të ofertave. 

Në ditën e hapjes së tenderëve, sipas ligjit për prokurim, neni 58, kërkohet që zyrtari përkatës i prokurimit ta bëjë hapjen e tenderëve. Ndërsa sipas procesverbalit, në këtë komision ishin: Sinavere Ukshini, profesore e letërsisë, Mentor Kadriu, zyrtar nga Universiteti Veror i Prishtinës dhe Dafina Vezaj, përkthyese e gjuhëve Anglisht dhe Gjermanisht.

Drejtori i prokurimit po ashtu tek komisioni i vlerësimit nuk fut në listë së paku një zyrtar nga prokurimi.

Sipas procesverbalit, në komisionin vlerësues merrnin pjesë: Mustaf Emini, zyrtar për logjistikë, pastaj Xhevahire Alaj, zyrtare për mbikëqyrjen e ndërtimeve në UP dhe Artan Isufi, zyrtar i financave në fakultetin e shkencave sportive.

“Nuk kam staf. Jemi vetëm dy vetë”, arsyetohet Krasniqi për mungesën e një zyrtari të prokurimit në këto komisione.

Sipas ueb-faqes zyrtare të UP-së, në departamentin e prokurimit, përveç Krasniqit figurojnë edhe tre zyrtarë tjerë në këtë departament.

Për më shumë, Krasniqi kishte ri-hapur tenderin më 23 mars, ku pas paraqitjes së dokumenteve që i ka parë Gazeta JnK, kësaj here ishin zotuar 15.000 euro për shtypjen e librave. 

Por, tenderi në fjalë ishte në kontest ligjor. Krasniqi thotë: “Kam menduar se kam qenë në gjendje të rihap tenderin pasi që UP-ja ka anuluar tenderin.”

Kompania KGT ishte ankuar përsëri në OSHP dhe kjo e fundit kishte lëshuar një urdhëresë me 10 maj të këtij viti e cila përkujton UP-në se duhet të respektojë vendimin e parë dhe këtë urdhëresë ose do ta dënojë me 5.000 euro gjobë.

Me 17 maj, OSHP përsëri dërgon urdhëresë ndërsa përveç gjobës me para parashihen edhe masa ndaj drejtorit të prokurimit, të cilit mund t’i merret certifikata. 

Mirëpo, në ndërkohë KGT fiton tender tjetër për furnizimin me material shpenzues zyrtar për nevojat e Universitetit të Prishtinës. 

Më 30 prill 2012 firma e Tomë Gashit “KGT” shpallet fituese prej nëntë kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe fiton të dy pjesët e tenderit.