Depozitat e Të Burgosurve i Vjedhin Gardianët

Javën e kaluar Gazeta Jeta në Kosovë ka shpërfaqur disa raste të kontrabandimit në qendrën e paraburgimit në Prizren me droga, telefona mobilë, kartela bankare, flija etj. Por, historia në këtë burg ka edhe më shumë ngjyra.

Aty ka pasur raste edhe të vjedhjes së zinxhirëve të arit, parave, telefonave dhe vjedhje në markete.

“Kemi pasur raste që në depozitë kanë humbur sendet e të burgosurve, ato janë vjedhë nga vetë oficerët, p.sh. janë vjedhur zinxhirët e arit, janë vjedhur para e telefona. Madje për vjedhjen e dy telefonave është suspenduar oficeri I.H. mirëpo pas një muaji është kthyer sërish në punë, i privilegjuar”, ka thënë njëri nga oficerët të cilët kanë folur për ekipin tonë, identitetin e të cilëve e mbajmë të mbrojtur.

Një oficer tjetër ka treguar edhe një rast kur një kolegë oficer është zënë duke vjedhur edhe jashtë burgut.

“Ai është kapur duke vjedhur ‘bateri elektrike’ në Ben- Af. Për këtë rast është njoftuar drejtoria, mirëpo nuk janë ndërmarrë kurrfarë masash. Përveç faktit se ky person është avancuar në pozitë, tani punon në njësit të transportit, aty ku duhet të jenë personat më të besueshëm”, tha ai.

Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Miftar Ziba, ka konfirmuar se ka pasur raste kur gjësendet u kanë humbur nga depoziti.

Por për suspendimin dhe kthimin në punë të oficerit I.H., Ziba tha se ai ka qenë i dyshuar mirëpo ka dalë se nuk kishte qenë fajtor.

“Jam në dijeni që njëri nga oficerët që sot punon në njësit të transportit është kapur duke vjedhur në Ben- Af, dhe po pajtohem se ai person nuk është dashur të kthehet fare në punë, mirëpo kjo ka ndodhur dhe sot ai vazhdon të punojë në institucion korrektues”, tha drejtori Ziba, duke sinjalizuar se ai nuk ka pasur forcë më tepër për të ndërmarrë diçka në lidhje me këtë rast.

Gazeta JnK ka siguruar edhe videon e cila është marrë nga kamerat e sigurisë në Ben- Af ku shihet qartë se brenda pesë ditësh, oficeri i njëjtë (në uniformë) është kapur nga kamerat e sigurisë duke vjedhur.

Ankesat e të burgosurve nga Burgu i Dubravës

Të burgosurit nga burgu i Dubravës na e kanë dërguar një xhirim me anë të cilit kanë shprehur pakënaqësitë për kushtet e jetesës në këtë burg, si dhe kanë kritikuar në shumë raste drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ne e kemi kontaktuar edhe drejtorin e përgjithshëm të shërbimit korrektues të Kosovës Resmi Hoxhën, që ta intervistojmë për kushtet në burgun e Dubravës si dhe për lidhjet familjare që dyshohet se i ka me shumë nga punëtorët që punojnë në qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Hoxha fillimisht kërkoi nga ne që të marrim leje për intervistë nga zv.kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi. Mirëpo edhe pasi ky i fundit dha dritën jeshile për intervistë, Hoxha sërish nuk pranoi që të prononcohet. Ai përmes telefonit tha diçka tjetër: “Po u paralajmëroj se oficerët që kanë dhënë intervistë për ju do të suspendohen, sapo të kuptohen emrat e tyre”.

Pakënaqësitë me përzgjedhjen e menaxhmentit të lartë në Prizren

Oficerët korrektues na treguan edhe për pakënaqësitë që kanë me avancimet e menaxhmentit të lartë në këtë qendër të paraburgimit.

Këto, sipas tyre, bëhen krejt bazuar në lidhjet familjare.

Ata na treguan se përveç drejtorit Ziba, i gjithë stafi i drejtorisë së Qendrës së Paraburgimit në Prizren janë me shkolla të mesme.

“I gjithë stafi, përveç drejtorit, janë me shkolla të mesme, kurse nga ana tjetër, ka oficerë të thjeshtë korrektues me fakultet dhe magjistraturë dhe nuk i lënë të avancohen, sepse nuk kanë lidhje familjare me drejtorinë dhe nuk janë të dëgjueshmit e drejtorisë”.

Në lidhje me këtë, Ziba tha se ai personalisht nuk e ka punësuar askënd. “Unë të gjithë stafin e kam gjetur në këto pozita, asnjë të afërm timin nuk e kam punësuar”, tha ai, duke kontestuar pohimet se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka nepotizëm.

Zyrtarët nga burgu i Prizrenit, dyshohen për prostitucion

Emri i Shaban Kamberajt, i cili tani ushtron detyrën e zv.drejtorit në burgun e Prizrenit, është lakuar shumë herë nga oficerët të cilët kanë folur për gazetën dhe ata sugjerojnë se i njëjti mund të jetë marrë edhe me gjëra tjera jo fort të hijshme për një person në pozitë të tij.

“Drejtorisë aktuale, ish drejtori Esat Gutaj ia ka tërhequr vërejtjen për faktin se Shaban Kamberaj është marrë me kafene ku të punësuara ka pasur femra nga Moldavia dhe Bullgaria dhe nga drejtori Gutaj ka marrë vërejtje për këtë punë”, thanë oficerët korrektues.

foto  
Esat Gutaj  

Ish-drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Esat Gutaj, tani ushtron detyrën e avokatit.

“Është e vërtetë se Shabani është marrë me veprimtari jo të ndershme. E ka pasur një lokal afër burgut, ku të punësuara ka pasur femra nga Moldavia dhe Bullgaria dhe kjo për mua si drejtor, ka qenë e papranushme sepse i jepte imazh të keq gjithë burgut të Prizrenit. Me vërejtjen time, ai e ka ndërprerë këtë veprimtari”, tha Gutaj, për Gazetën JnK.

Ish-drejtori Gutaj, njoftoi se nga puna e ka larguar UNMIK-u në vitin 2001.

“Më kanë larguar ndërkombëtarët nga puna, por ia kanë ndihmuar edhe vendorët. Është pikërisht Shaban Kamberaj ai që ma ka kurdisur kurthin, mirëpo sot publikisht e falënderoj se po të kisha qenë në atë pozitë, nuk do të mund t’ i shkolloja as fëmijët e mi”, u shpreh Gutaj.

Keqtrajtimi i të burgosurve politikë gjatë regjimit serb

Oficerët korrektues që dëshiruan të mbesin anonim, na njoftuan se shumë nga personat që sot janë në pozita udhëheqëse në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, janë persona që në të kaluarën i kanë keqtrajtuar të burgosurit politikë.

“Këta persona që sot po bëjnë shkelje të ndryshme, janë ata që i keqtrajtuan të burgosurit politikë gjatë regjimit serb. Këta i kanë rrahur shumë të burgosur që akoma edhe sot janë me pasojat që i kanë marrë atëherë. Tani jo që janë pjesë e sistemit, por janë ngritur edhe në pozita”, tha njëri nga oficerët që kanë folur për Gazetën JnK.

Madje, oficerët sugjeruan se njëri nga ish të burgosurit politikë që është keqtrajtuar nga këta persona, sot është në deputet në Parlamentin e Kosovës. Ai është Nait Hasani.

foto  
Nait Hasani  

Deputeti Hasani, duke përmendur edhe emrat e të gjithë atyre personave që dikur e kishin keqtrajtuar atë dhe shokët,  tha se “këta persona që dikur e kanë mbrojtur sistemin e kaluar, sot po mundohen t’ i mbrojnë edhe vlerat e këtij sistemi”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar…nuk mundet që një person të mbrojë dy vlera të kundërta. Këta persona nuk duhet që të jenë më në ato pozita”, tha Hasani.

Ai është shprehur i mllefosur me faktin se ata lejohen edhe më tej të mbajnë ato detyra. “Mua personalisht më kanë rrahur në çeli, e kanë rrahur edhe Ukshin Hotin, e sot sërish ata janë në udhëheqësinë e burgut. Kjo është absurde. Këta persona janë reaksion i të kaluarës. Mua dhe të gjithë të burgosurit tjerë politikë na shfajëson vetëm kur e shohim se drejtësia ka marrë kahe të drejtë”, është shprehur Hasani.

Ai ka shtuar se të gjithë ata persona që në një formë ose tjetër kanë marrë pjesë duke mbrojtur sistemin e kaluar, duhet të mos jenë më pjesë e shoqërisë kosovare politike dhe institucionale.

“Ata mund të vazhdojnë të punojnë punë private, por jo edhe në institucione”, tha Hasani. “Nuk po kërkojmë që ata të ekzekutohen”.

Gazeta JnK ka kërkuar nga Shërbimi Korrektues që të lejojë intervista me personat emrat e të cilëve u lakuan, mirëpo pas tri javë pritjesh kemi marrë përgjigje negative. Vetëm drejtori i burgut Miftar Ziba është lejuar të intervistohet.