Kleçka Nuk Është Mbyllur

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë do të vazhdojnë të mbahen seancat në rastin Kleçka por pa një pjesë thelbësore të fillimit të tij – dëshminë e X-it. Katër nga dhjetë të akuzuarit e fillimit pritet të kthehen në bankën e të akuzuarve për përgjegjësi komanduese, brenda muajit prill.

Më 30 mars, atëherë kur pritej që të gjithë të pandehurit në rastin Kleçka të shpalleshin të pafajshëm në mungesë të provave, kolegji i gjykatësve në përbërje të Jonathan Wellford-Carroll kryetar, Shqipe Qerimi dhe Dean Pineles, anëtarë, vendosi që rasti kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës, të veçohet dhe që gjykimi kundër tyre të vazhdojë.

Në anën tjetër kolegji shpalli të pafajshëm dhe i liroi nga akuza në mungesë të provave gjashtë bashkëluftëtarët tjerë të Limajt – Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn, në të gjitha pikat për të cilat ata akuzoheshin, për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.

Vendimi për të vazhduar gjykimin për katër të pandehurit, në mesin e të cilëve edhe Fatmir Limajn, gjykata e arsyetoi me atë se të pandehurit kishin pozita komanduese dhe prokuroria ka paraqitur disa prova që flasin për këto pozita. Me këtë gjykata po i ofronte mbrojtjes mundësinë e ballafaqimit të provave.

Kolegji i gjykatësve i kërkoi prokurorit që të bëjë ndryshimin e aktakuzës në përgjithësi, e që aktakuza në pikat e saj të paraqes saktësisht se për cilat pozita komanduese akuzohen të pandehurit dhe se cilat janë përgjegjësitë e secilit. Mbrojtja do të duhej të përgjigjej në ato që prokurori do t’i dorëzonte.

Prokuroria në letrën e saj së fundmi kërkoi nga gjykata që edhe për të pandehurit e mbetur të merr aktgjykim dhe aktakuza e prokurorisë do të mbetet e njëjtë, duke refuzuar ta ndryshojë atë.

“Prokuroria nuk do t’i ndryshojë kualifikimet ligjore ose veprat për të cilat i ka akuzuar të pandehurit për asnjë lloj përgjegjësie, përveç atyre të përmendura në aktakuzë”, thotë letra e nënshkruar nga prokurori special i EULEX-it Charles Hardaway, i cili po zëvendëson prokurorin Maurizio Salustron, kjo pasi që ky i fundit gjendet jashtë Kosovës.

Prokuroria letrën e saj e vazhdon me atë se “provat e mbledhura në dosjen e rastit Kleçka janë më se të mjaftueshme për t’i lejuar kolegjit të gjykatësve të dalin me një aktgjykim përfundimtar dhe të drejtë, për përgjegjësinë penale të katër të të pandehurve”. Në fund prokuroria kërkoi që as mbrojtjes të mos i lejohet paraqitje e provave të reja.

Gjykata ndërkohë është duke i pritur edhe argumentet e mbrojtjes në letrën e prokurorisë. E Limaj dhe shokët e tij janë duke u mbrojtur në liri.

Por si erdhi deri tek ky vendim i gjykatës

Ishte 21 marsi i 2012 që solli të papriturën për prokurorin special Maurizio Salustro. Kolegji i gjykatësve, me aktvendim shpallën të papranueshme të gjitha dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit të mbrojtur dhe bashkëpunues X, Agim Zogaj.

“Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale, dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Dëshmia e X’it ishte pjesa thelbësore ku mbështetej aktakuza e prokurorit.

Po atë ditë mbrojtësit kërkuan që të pandehurit të lirohen nga paraburgimi dhe nga arresti shtëpiak. Gjykata urdhëroi heqjen e të gjitha masave për të pandehurit. Si rrjedhojë Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij u lanë të mbrohen në liri.

Kolegji i gjykatësve, në pajtim me palët, urdhëroi që të gjithë të sjellin fjalët e tyre përfundimtare, duke anashkaluar një pikë të rëndësishme në Kodin e Procedurës Penale, që ishte dhënia e mbrojtjes nga ana e të pandehurve.

Një seancë para se të merrej vendimi anëtari i kolegjit, gjykatësi Dean Pineles, i shtroi disa pyetje prokurorit Salustro. Gjykatësi Pineles pyeti se a mundet prokuroria të paraqiste rastin e saj pa dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit Zogaj. Prokurori u përgjigj se pa dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj nuk do të niste ky proces, kjo pasi që ai kishte qenë burimi kryesor dhe primar i prokurorisë në këtë çështje.

Gjykatësi Pineles, edhe në seancën e dhënies së vendimit për provat e Zogajt e pyeti prokurorin nëse vazhdonte të mbetej pranë aktakuzës, duke i përkujtuar atë që kishte thënë para se të merrej vendimi. E prokurori nuk hoqi dorë nga aktakuza.

Nga nisi rasti Kleçka

20 nëntori i 2009-së e gjeti Agim Zogajn në policinë e EULEX-it, tek dëshmonte për krimet e kryera në Kleçkë gjatë luftës. Zogaj dëshminë e tij e vazhdoi edhe 30 nëntor, në polici.

Më 4 shkurt 2010 Zogaj ishte në Prokurorinë Speciale të Kosovës duke dhënë dëshmi në cilësinë e të dyshuarit për krimet e Kleçkës. Marrja në pyetje e të dyshuarit Zogaj në PSRK vazhdoi edhe më 9, 11, 16 dhe 17 shkurt, pastaj 10, 16 dhe 25 mars, 9 qershor për të vazhduar me 20 gusht në këtë cilësi.

Prokurori special Maurizio Salustro, më 5 tetor, në zyrat e tij, e dëgjoi Zogajn në cilësinë e dëshmitarit. Nga kjo kohë prokuroria filloi procedurat që dëshmitari Zogaj të shpallet dëshmitar bashkëpunues në rastin Kleçka.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që Zogaj të shpallet dëshmitar bashkëpunues, ndërsa prokurori dëshmitarin Zogaj e futi në programin e EULEX-it për dëshmitar të mbrojtur duke i dhënë edhe nofkën X.

Në korrik, prokurori, pas kërkesës së mbrojtjes, ju ofroi atyre që të marrin në pyetje dëshmitarin Zogaj.

Çka dëshmoi Zogaj në Prokurori?

Ishin pikërisht dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit bashkëpunues Agim Zogaj që çuan në ngritjen e aktakuzës. Zogaj kishte dhënë deklarata të njëpasnjëshme për prokurorin dhe policinë e EULEX-it.

Rrëfimi i Agim Zogajt në prokurori fillon me përshkrimin e vrasjes së Nebojsa Djuriqiqit dhe Veljko Markoviqit, dy oficerëve policorë serbë, të cilët u mbajtën në burg në Kleçkë për një periudhë të gjatë kohe dhe të cilët i ekzekutoi vet me urdhër të, siç thotë, Fatmir Limajt rreth datës 4 ose 5 prill 1999.

Dëshmitari i tregoi EULEX’it për vendin e ekzekutimit – varrimit të dy trupave, të cilët më pastaj u gjenden pikërisht në vendin e përshkruar nga ai. Identitetet e tyre u vërtetuan nga një analizë e ADN’së, që u përputh me përshkrimin e dëshmitarit Zogaj. Autopsia e kryer tregon shkakun e vdekjes së këtyre dy viktimave (plagë nga të shtëna të shumëfishta me armë), gjithnjë në përputhje me tregimin Zogajt.

Zogaj tregoi se si e kishte kryer vrasjen edhe të një serbi me një kosë, për çka tregoi dy vendndodhje të mundshme të ekzekutimit dhe varrimit të tij. Në vijim, një zhvarrosje çoi në zbulimin e një varri masiv që përmbante pesë trupa. Në të njëjtin varr, u gjend po ashtu një teh prerës. Autopsia e dy mbetjeve njerëzore, tregoi si shkak të vdekjes “prerje në qafë nga një instrument i mprehtë”.

Dëshmia e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shpërfaqë se si dëshmitari bashkëpunues Zogaj, kishte treguar se i njëjti varr masiv përmbante trupat e katër të burgosurve tjerë serbë të cilët ishin ekzekutuar më të shtëna kallashnikovësh. Zogaj kishte shënuar emrat dhe datat e lindjes së katër personave tashmë trupa të pajetë. Të katër trupat u gjendën në vendndodhjen e treguar dhe identitetet e tyre u konfirmuan përmes analizave të ADN’së. Autopsia tregon se tre prej tyre ishin vrarë nga të shtëna armësh në kokë.

Ish-roja e burgut i siguroi hetuesve edhe dokumente zyrtare me origjinë nga UÇK’ja si gjykimet e gjykatës ushtarake, vendimet disiplinore, listat e të burgosurve, kërkesat me shkrim, datat e burgosjes dhe lirimit të një sërë të burgosurish të ndaluar në burgun e Kleçkës.

Të gjitha këto Zogaj i mbështeste edhe në ditarët e tij.

Aktakuza dhe fillimi i gjykimit

Fundi i gushtit të vitit 2011, gjeti Fatmir Limajn dhe 9 bashkëluftëtarët e tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, para gjykatësit për konfirmimin e aktakuzës.

Prokurori në fillim të gushtit në këtë gjykatë paraqiti aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve, duke i akuzuar të gjithë për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Më parë prokurori kishte kërkuar paraburgim dhe arrest shtëpiak për shumicën nga të pandehurve, pos Fatmir Limaj, i cili deri në atë kohë konsiderohej se kishte imunitet.

Në fund të shtatorit Gjykata Kushtetuese sqaroi çështjen e imunitetit dhe vendimi i gjykatës për personat që gëzojnë imunitet ishte se ata atë e gëzonin vetëm në kohën sa e kryerin detyrën në vendin e tyre të punës, pra vetëm gjatë orarit të punës.

Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese, i dha dritën e gjelbër prokurorit special Maurizio Salustro që të kërkonte arrestin shtëpiak për Fatmir Limajn. Gjykata në bazë të kërkesës së prokurorisë veproi dhe Limajt i caktoi masën e arrestit shtëpiak, duke i kufizuar kështu lirin e lëvizjes dhe komunikimit me persona të tjerë.

Me këtë vendim, gjykata i pamundësoi Limajt që të paraqitej në Kuvendin e Kosovës dhe të merrej me çështje që i takonin si deputet i Kuvendit. Për Limajn kjo ishte e rëndë, pasi që atij ju kufizua lira dhe komunikimin me të gjithë, përjashtim familjarët.

Që në fillim të tetorit i gjithë procesi gjyqësor para se të fillonte përjeton një goditje të rëndë. Në Gjermani gjendet i vetëvrarë dëshmitari bashkëpunues i prokurorisë Agim Zogaj, i njohur për procesin si dëshmitari X.

Tutje konfirmimi i aktakuzës ishte bërë dhe ishte caktuar kolegji i gjykatësve që do të gjykonte çështjen. Përbërje e cila ndryshoi para fillimit të seancave. Burime nga EULEX-i për Gazetën Jeta në Kosovë në atë kohë thanë se kjo ishte bërë për shkaqe personale të kryetarit të kolegjit, meqë ai do ta lente misionin e seanca do të zgjaste.

Ndryshe ishte mendimi i mbrojtësve të pandehurve, të cilët kishin plan që në fillim të seancës së parë të kontestonin përbërjen e kolegjit, kjo pasi që kryetari i kolegjit në një seancë ndër të tjera kishte parashikuar vdekjen e Zogajt.

Ishte 11 nëntori i 2011-së data e fillimit të seancave në Rasti Kleçka.

Të gjithë të pandehurit që në fillim të procesit u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Kurse avokati i Limajt, Karim Khan, avokat nga Britania e Madhe i regjistruar në Kosovë vetëm për këtë rast, që në seancën e parë kërkoi shtyrjen e seancave për fundin e muajit shkurt ose fillimin e muajit mars. E gjithë kjo me arsyen që mbrojtjes i duhej më shumë kohë për tu përgatitur dhe se prokurori duhet ti kompletonte të gjitha provat.

Ndërkohë prokurori vazhdonte me hetimin dhe gjykatës e mbrojtjes i sillte deklaratat të dëshmitarëve të cilët i merrte në pyetje në atë kohë. Ndërsa për provat thoshte se ato që kishte i kishte dorëzuar.

Kolegji i caktoi mbrojtjes që me shkrim t’i dorëzojnë kërkesat e tyre lidhur me mungesat që kanë në prova rreth dëshmisë së dëshmitarit X dhe prova të tjera si dhe shkaqet që kërkojnë shtyrje e seancave.

Mbrojtja në këto seanca kërkoi edhe përjashtimin e prokurorit duke e propozuar dëshmitar, por që u refuzua nga kryeprokurorja Speciale e EULEX-it.

Gjykimi vazhdoi tutje me 18 seanca në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku disa nga seancat nuk u mbajtën për shkak të gripit të gjykatëses vendore, sëmundjes së Behlul Limajt dhe kërkesave të mbrojtjes për përgatitje.

Mbrojtja në shumicën e seancave ishte në përbërjen e plotë, ku Limaj kishte dy avokatë dhe tre asistentë ligjorë, ndërsa edhe të pandehurit e tjerë kishin nga dy e një mbrojtës. Gjithsejtë në seanca merrnin pjesë 12 avokatë dhe 3 asistentë ligjorë.