Interesohej për Medicusin nga “Obligimi Moral”

Në sallën e ftohtë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të hënën, vazhdoi gjykimi në rastin Medicus, me dëshminë e deputetit Shaip Muja. Ish-këshilltari i Kryeministrit të Kosovës ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga prokurori i çështjes që të sqarojë se cila ka qenë lidhja e tij me klinikën Medicus dhe pronarin e saj të pandehur Lutfi Dervishi si dhe se çka i kishte kërkuar ish-Ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi.

Muja është deputeti i dytë i Kuvendit të Kosovës që dëshmon në këtë çështje, pas Alush Gashit.

Gashi, gjatë dëshmisë së tij në dhjetor 2011, kishte thënë se gjatë një takimi me këshilltarin Shaip Muja në vitin 2008 ky i fundit ishte interesuar për licencën e Klinikës Medicus.

Muja e konfirmoi të hënën atë çfarë kishte deklaruar ish-ministri Gashi.

Deputeti tregoi se në takimin e muajit mars të vitit 2008, në një restorant në Prishtinë, në takim me ish ministrin Gashi, ndër të tjera, kishte biseduar edhe për Klinikën Medicus, me saktësisht se ku ishte procesi i licencimit për urologjinë dhe shërbimet e përgjithshme urologjike. “E kam pyetur deri ku ka arritur procesi i Medicusit dhe ai mu përgjigj se jemi duke punuar në këtë rast”, tha Muja.

Më vonë dëshmitari tregoi që edhe gjatë muajit korrik të 2008-së e kishte marrë në telefon ish-Ministrin Gashi për ta pyetur për të njëjtën çështje. Por dëshmitari Muja mohoi të ketë  pasur takim mes tij, Lutfi Dervishit dhe ish-ministrit Alush Gashi.

“Të tretë, asnjëherë nuk jemi takuar”, u shpreh ai.

Deputeti shtoi se ish-ministri Gashi në atë kohë dyshonte se ai kishte influencuar gazetarët që të shkruajnë kundër ministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Për problemin e licencës së Medicusit, Shaip Muja kishte biseduar edhe me ish sekretarin permanet të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Recaj, i pandehur në rastin Medicus.

Muja tha se të gjitha takimet i ka bërë për shkak të ndjenjës së obligimit moral që vinte pas takimeve dhe telefonatave që kishte pasur në mes tij dhe Lutfi Dervishit. Në njërën nga telefonatat, Muja e kishte pyetur Dervishin lidhur me një rast të rëndë të dializës, ndërsa Dervishi pasi që i kishte shpjeguar se cilat janë zgjidhjet, ishte ankuar tek Muja për keqmenaxhimin e shëndetësisë dhe për vdekjen e njerëzve në mungesë të shërbimeve urologjike.

Ndërkohë, dëshmitari Muja i tregoi kolegjit që Yosuf Somnezin e kishte takuar një herë në dasmën e djalit të Lutfi Dervishit, Arban Dervishit. “Aty kishte shumë personalitete mjekësore dhe politike…është traditë që të takohen në mes vetë të gjithë dasmorët”, tha Shaip Muja. I njëjti shtoi “me Yosuf Somnezin me takoi Lutfi Dervishi”.

Somnez, i njohur si “Dr.Vampiri” ngase është një prej trafikantëve më të njohur të organeve në botë, dyshohet të ketë kryesuar operimet dhe transplantet e veshkave në klinikën Medicus, që kushtonin dhjetëra mijëra euro, ndërsa Lutfi Dervishi i prin listës së të akuzuarve në këtë rast në procesin që zhvillohet në Gjykatën e Qarkut që prej tetorit 2011.

Muja dëshmoi edhe për letrën që prokuroria pretendonte se është licencë e klinikës Medicus, lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas dëshmitarit ajo letër ishte vetëm “një njoftim preliminar dhe inkurajues por assesi një licencë për Klinikën Medicus që të ofronte shërbime urologjike, pavarësisht se si lexohet”.
Shaip Muja tregoi për buxhetin e vogël që ka sektori i shëndetësisë dhe koston e shtrenjtë që ka dializa e cila sipas tij merr 40% të buxhetit. I njëjti po ashtu dha edhe një shifër se sa njerëz vdesin nga mungesa e kushteve për transplantimin e veshkave. “Në Kosovë 100 deri 150 persona vdesin në mungesë të transplantimit të veshkave” .

Mujës nuk i kujtohej nëse kishte qenë ndonjë herë në Klinikën Medicus, por i kujtohej se mund të ketë rekomanduar pacientë për atë klinikë. “Kam dërguar ndonjë pacient i cili nuk ka mundur të kryejë punë në QKUK”.

Prokurori kërkoi nga dëshmitari që të shikonte nëse e njihte të pandehurin Driton Jilta, por dëshmitari pasi që shikoi nga të pandehurit tha se nuk po e njeh edhe pse thoshte se mund të ishte takuar ndonjëherë me të. Këtu reagoi edhe mbrojtja e të pandehurit Jilta duke i bërë vërejtje prokurorit se po e udhëzon dëshmitarin me sy se cili është i pandehuri. E prokurori e mohoi këtë, por kur dëshmitari u pyet nga kryetari i kolegjit nëse ishte e vërtetë, dëshmitari Muja tha “e pash tek i lëvizte sytë, por nuk e di nëse e pati për të më udhëzuar”.

Seancat në çështjen Medicus do të vazhdojnë në muajin mars, ku si dëshmitarë do të jenë dy mjekë të cilët ishin paraparë që të merreshin si dëshmitarë gjatë dhjetorit, por ftesat u ishin renovuar për shkak të shtyrjes së seancës.