Kontradiktat mes Arsimimit dhe Tregut të Punës

Viti 2015 është viti i tetë prej se ka filluar të organizohet testi kombëtar i maturës. Çdo vit testohen afërsisht nga 33 mijë maturantë, ndërsa këtë test e kalojnë 50 deri në 70 përqind.

Shumica e këtyre maturantëve regjistrohen në universitete, dhe numri tyre nga viti 2008 e deri 2014 ka shkuar në rritje.

Statistikat tregojnë se universiteti publik dhe kolegjet private çdo vit kanë të regjistruar 55 mijë studentë, 45 mijë në universitete publike dhe 10 mijë në ato private.

Po ashtu çdo vit në këto universitete diplomohen nga afërsisht 5 mijë studentë dhe po aq kërkojnë punë pranë qendrës për punësim, sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Por, sa ofron tregu punë dhe sa universitetet i përgatitin studentët për tregun e punës?

Gjatë konferencave të ndryshme nga bota e biznesit, vazhdimisht nga sipërmarrësit ka ankesa se në treg nuk ka fuqi punëtore të kualifikuar.

Sipas vlerësimeve të kryera deri tani nga organizatat vendase, rreth 80 për qind e bizneseve në Kosovë janë biznese familjare, dhe mënyra e punësimit është po ashtu, familjare, pa kriteret dhe kualifikimet e nevojshme.

Sipas një hulumtimi nga Instituti Riinvest me 50 biznese familjare, rezulton se këto biznese përveç se nuk kanë besim që punët t’ia besojnë një punëtori që nuk është familjar i tyre, po ashtu, nuk investojnë as në trajnime që t’i avancojnë familjarët e punësuar.

Enver Krasniqi, profesor i ekonomisë,  thotë se nevojat e tregut po mundohen të plotësohen me hapjen e shkollave profesionale. Por ai është skeptik se do të ketë suksese hapja e këtyre shkollave.
“Gjendjen e krijuar të kuadrove sikur kanë dashur ta zbusin me hapjen e shkollave profesionale që i kanë hapur sikurse që e kemi shkollën profesionale në Malishevë,Skenderaj e Ferizaj po si duket nuk i kanë analizuar nevojat e tregut të atij qyteti se a kanë nevojë për ato profesione apo jo”, thotë Krasniqi.
Pos tjerash Krasniqi potencoi se vetë bizneset e bartin një pjesë të fajit për kuadro sepse nuk u japin hapësirë të rinjve për avancim si dhe nuk investojnë në trajnimin e tyre.

Ai shton se menaxhimi i firmave private preferohet të bëhet kryekëput nga vetë pronarët.

Ndërkaq eksperti tjetër i ekonomisë, Besnik Krasniqi, thotë se duhet shikuar dy anët e medaljes.
Krasniqi pos tjerash theksoi se problemin e kualifikimit duhet shikuar nga dy anë të medaljes,

“Në njërën anë fajin e kanë vetë pronarët e kompanive e në anën tjetër studentëve u mungojnë shkathtësitë praktike edhe pse kanë shkathtësi të thella teorike”, thotë Krasniqi.

Për çështjet e shkathtësive të punëtorëve dhe tregut të punës Oda Ekonomike Amerikane disa herë mbajti tryeza diskutimi duke i adresuar këto çështje tek qeveria.

Në njëren prej tyre të mbajtur në maj të këtij viti morri pjesë edhe Arban Abrashi, ministër për punë e mirëqenie sociale.

Tha se ky problem është evident dhe duhet një qasje shumëdimensionale për trajtimin e saj.
Deklaroi se ka propozime që shërbimet për këshillim të karrierës të fillojnë që nga fillet e para të shkollimit, në mënyrë që të formohet një pasqyrë më e qartë për gjeneratat në vijim se cilat janë realisht nevojat në tregun e punës dhe që nxënësit të orientohen në përputhje me këto projektime.

Lidhur me këtë çështje në takimet e organizuara nga Oda Amerikane është deklaruar edhe Arsim Bajrami, ministër i Arsimit.

Ka deklaurar se MASHT ka filluar proceset strategjike që arsimi parauniversitarë-niveli i shkollave fillore dhe të mesme- të jetë i orientuar në karriere dhe në treg të punës.

Vendet e rajonit

Nuk është e vetmja Kosova që përballet me sfida të tilla, ku pronarët e bizneseve nuk ua besojnë punën punëtorëve të tyre për mungesë kualifikimi në njërën anë,e në anën tjetër janë universitetet,të cilat nuk ofrojnë mësime kualitative,praktikë profesionale e hulumtim të tregut të punës.

Një situatë të ngjashme paraqesin edhe vendet e rajonit.

Një hulumtimi nga Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), në raportin e publikuar në bazë të anketës që ka zhvilluar me vendet e Ballkanit, pasqyron gjendjen e ngjashme dhe problemet e punësimit.

Pjesëmarrja në këtë anketë përfshin 200 biznese nga secilit shtet: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia si dhe 1400 biznese nga vendet tjera të Ballkanit si Sllovenia, Greqia, Turqia, Bullgaria.

Raporti paraqet një pasqyrë ku rinia është në gjendje tepër të vështirë për të gjetur një punë pas studimeve.

Sipas këtij barometri, Kosova mban vendin e parë për sa i përket bizneseve familjare, me 52 për qind në krahasim me vendet tjera të rajonit.

Raporti vëren se në Kosovë punësimi bëhet në baza familjare dhe kjo e vështirëson jo vetëm pozitën e studentit por edhe të vetë kompanisë në mungesë të strategjisë zhvillimore.

Pavarësisht kësaj, këto biznese kanë punëtorë të punësuar, por jo në pozita menaxheriale, dhe më shumë punësojnë punëtorë të thjeshtë ku nuk nevojitet kualifikimi.

Raporti tregon strukturën e të punësuarve në kompani private, ku dominojnë të punësuarit me shkollim të mesëm, pastaj ata me shkollim të lartë universitar.

Kategoria e tretë janë zanatlinjtë, ndjekur nga kategoria me shkollë fillore, dhe kategoria e fundit me më së paku përqindje, janë të punësuarit që nuk e kanë të përfunduar as shkollën fillore.

Sipas të dhënave nga të gjitha vendet e rajonit, më shumë janë të punësuar personat që kanë kryer shkollë të mesme.

E vetmja është Shqipëria që ka të punësuar më shumë me kualifikim universitar, rreth 44 për qind, në krahasim me të punësuarit me shkollë të mesme, vetëm 30 për qind.

Në Kosovë dominon punësimi me shkollë të mesme në masën 46 për qind, ndërsa me përgatitje universitare rezultojnë 33 për qind, ngjashmërisht me Malin e Zi.

Mali i Zi, nga ana tjetër, ka 600 mijë banorë kurse Kosova ka 1 milion e 800 mijë banorë dhe numëron 5 mijë të diplomuar në vit, pavarësisht se tregu ofron më shumë punë pa kualifikim universitar.

Por sa bashkëpunojnë këto biznese me universitete për të gjetur stafin e kualifikuar për zhvillim të kompanisë?

Raporti tregon se një përqindje e vogël bashkëpunon me universitet për gjetjen e stafit apo kërkon ndonjë projekt për zhvillimin e teknologjisë që të ndihmojë zhvillimin e produkteve apo shërbimeve.
Kjo tregon se vendet e Ballkanit ende nuk kanë të zhvilluar ndonjë strategji zhvillimi dhe aftësim të rinisë as për tregun vendor, aq më pak për tregun global.

Në anën tjetër hulumtimi tregon se si gjendet më së lehti një punë qoftë me kualifikim apo pa kualifikim.

Përgjigja që ka marrë më së shumti aprovim, është punësimi përmes rekomandimeve.

Ky hulumtim mat strategjinë ekonomike zhvillimore, dhe anketa pasqyron se mentaliteti i vendeve të Ballkanit mbetet i njëjtë përderisa Kosova dallon për nga zhvillimi ekonomik sepse është vendi me shkallën më të ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) për kokë banori, dhe fuqisë blerëse më të ultë në rajon (PPT).

Nga ky studim rezulton se Kosova ka nevojë për një strategji zhvillimore më të fokusuar dhe më të shpejtë të kompanive, duke investuar në burimet njerëzore dhe duke rritur punësimin e njerëzve të kualifikuar.

Një hap pozitiv që po bëhet në drejtim të përgatitjes së studentëve për të qenë konkurrent në tregun e punës është trajnimi i studentëve nga Qendra për mbështetjen e Bizneseve në Kosovë BSC nën mbështetjen e qeverisë ku ditë më parë shpërndau 200 certifikatat e para për 200 studentë vijues të trajnimit për ndërmarrësit e rinj.