‘Miqtë Ndërkombëtarë’-Dy Fjalët ‘Magjike’ të Politikanëve Kosovarë

Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, kapitulli i quajtur “Ndera Shoqnore” nis me fjalinë “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit e e mikut”. 

Sikur ta kishte lexuar këtë fjali, shefi i EULEX-it Gabriele Meucci në një shkrim autorial të publikuar nga gjysma e gushtit 2015, teksa argumentonte se Kosova meritonte më shumë, shkruante “Ne në EULEX nuk jemi tjetër veç mysafirë në Kosovë dhe si mysafirë e dimë që nuk mund ta imponojmë ndryshimin…”

Mysafirllëkun dhe mikpritjen nëpër vendet me shqiptarë e përjetuan dhe nuk e harruan as njerëz të njohur si poeti George Gordon Byron dhe artistja e udhëtarja britanike Edith Durham. 

Elizabeth Gowing, një bashkatdhetare e Byronit dhe Durhamit dhe mysafire e kohëve moderne në Kosovë, thotë se tradita e mikpritjes ka mbijetuar. 

“Një ndër gjërat që më së shumti më pëlqen në Kosovë është mikpritja e vërtetë/sinqertë dhe prej përvojës që kam pasur këtu ‘shpija përnjëmend është e zotit dhe e mikut’,” thotë Gowing për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Duke ditur ndjeshmërinë shqiptare për miqtë e mysafirët dhe duke dashur të jenë sa më bashkëpunues me të fortët e politikës globale, politikanët kosovarë sa herë deshën t’ia mbushin mendjen njëri-tjetrit, ose popullit për çkadoqoftë, diku nëpër fjalimet e tyre përmendën patjetër konsultimet me miqtë ndërkombëtarë për vendimet që morën.

Në një intervistë për Radio-Televizionin “21” gjatë qershorit, kryeministri Isa Mustafa dy javë përpara se amendamenti i Gjykatës Speciale të mos kalojë në Kuvend, tregoi mesazhin e marrë nga ndërkombëtarët se miratimi i saj nuk duhet të shtyhej më tutje.

“Unë mendoj që ne gjatë qershorit duhet këtë [Gjykatën Speciale] ta përfundojmë. Neve s’na është dhënë data e fundit nga Brukseli dhe ShBA-të. Është thënë që këtë duhet ta dërgojmë shpejt,” tha Mustafa. 

Por Elizabeth Gowing, autorja e dy librave nga përvojat e saj ballkanike, thotë se miqtë nuk duhet t’i përzihen të zotit të shtëpisë. 

“Askund në Kanun apo në traditën shqiptare nuk sugjerohet qe mysafiri ta urdhërojë/mësojë të zotin e shtëpisë se çka duhet të bëjë me pasurinë e tij apo me kë t’i martojë fëmijët. Kështu që ‘miqtë ndërkombëtarë’ nuk duhet të shpresojnë për këtë lloj ndikimi, por edhe ata që me të vërtetë janë zot në këtë shtëpi nuk duhet t’ua japin këtë të drejtë!”, thotë Gowing. 

Megjithatë, më 31 korrik, tri ditë para se amendamenti numër 24 të miratohej, kryeministri Mustafa në mbledhjen e qeverisë kërkoi çuarjen përpara të Speciales në emër të mosizolimit nga miqtë.

 “Partneriteti me ShBA-të dhe BE-në janë në interes të pozitës dhe opozitës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne po ashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë vend, të izoluar nga vendet mike,” tha atëherë Mustafa. 

Edhe në objektivat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës të hartuar nga MPJ-ja i kushtohet rëndësi strategjike kultivimit të miqësisë për shkak të pafuqisë së shtetit të ri. 

“Republika e Kosovës, si një pjesëmarrës i ri në skenën politike globale, nuk mund të veprojë e vetme në të gjitha sfidat ndërkombëtare. Integrimi në strukturat euro-atlantike është një ndër aspiratat kryesore të shoqërisë kosovare. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vend shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme të Kosovës,” thuhet në dokumentin e objektivave të MPJ-së. 

Por miqësive të përjetshme me shtete të fuqishme nuk u beson politikologu Belul Beqaj.

 “Fjala bie, unë mendoj se “miqësi të përjetshme ndërkombëtare “siç thotë lidershipi politik i Kosovës  për ShBA-të, nuk ka, meqë vetëm interesat politike janë të përhershme,” thotë Beqaj. 

Ngjashëm mendon edhe historiani Jusuf Buxhovi. 

“Në politikë, megjithatë, ‘miqësia’ është e barasvlefshme me ‘interesin’, gjë që edhe raportet midis shteteve ndërtohen mbi bazat e ineresave dhe jo të miqësive,” shpjegon Buxhovi.

Analisti Belul Beqaj thotë se termi “miqtë ndërkombëtarë” përdoret edhe nëpër vende tjera, por nuk shërben si bazë e politikës së tyre. 

“Slogani ‘miqtë ndërkombëtarë’ përdoret çdokund në botë, por ky slogan në pjesën tjetër të botës nuk shërben si bazë mbi të cilën ndërtohet politika vendore, siç është rasti me Ballkanin, veçmas  Kosovën,” thotë Beqaj.

Historiani Jusuf Buxhovi “fajin” pse përdoren kaq shumë fjalët “miqtë ndërkombëtarë” ia lë mënyrës se si u shpall shtet Kosova.

“Në Kosovë, më shumë se kudo, vend e pa vend, spekulohet me termin  ‘miqtë ndërkombëtarë’, “miqësi ndërkombëtare” nga shkaku se shteti i Kosovës është projekt ndërkombëtar (euro-atlantik) dhe si i tillë u nënshtrohet sferave të caktuara të interesit, të cilat i pasqyron më së miri edhe inkorporimi i Pakos së Ahtisarit në Kushtetutën e Kosovës,” thotë Buxhovi. 

Ibrahim Rugova-krijuesi i “miqve ndërkombëtarë”

Buxhovi që ishte edhe njëri nga themeluesit e LDK-së, tregon se Ibrahim Rugova i pari përdori fjalët “miqtë ndërkombëtarë”. 

“Ndër të parët çështjen e miqve ndërkombëtarë dhe të miqësisë me botën e përdori dr. Ibrahim Rugova,  në vitin 1992, sapo u zgjodh president i parë i Kosovës. Në fjalën e rastit, qëllimisht theksoi ‘miqtë ndërkombëtarë’, për të promovuar politikën perëndimore të Kosovës,” shpjegon Buxhovi. 

Rugova u zgjodh president i Kosovës më 24 maj 1992 në zgjedhjet e papranuara ndërkombëtarisht. 

Analisti dhe publicisti Halil Matoshi kujton një rast tjetër më të vonshëm, kur Rugova përmendi miqtë. 

“Pa dyshim se [termin miqtë ndërkombëtarë] e përdori Ibrahim Rugova. Ai iu pat drejtuar Kryetarit të Parlamentit Evropian më 16 dhjetor 1998 me këto fjalë: “Zotëri President më lejoni të përfundoj fjalën time me një proverb nga Shqipëria, si një nga qytetërimet më të vjetra të Evropës: ‘Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm’.

Rugova kështu e kishte përfunduar fjalimin kur mori Çmimin “Saharov” para gati 17 vjetësh në Strasburg. 

Edhe Belul Beqaj ia lë autorësinë Rugovës për këto dy fjalë. 

“Ky slogan është afirmuar më së shumti në Kosovë në kohën e konferencave të ‘famshme’  të kryetarit të ndjerë Rugova,” thotë Beqaj. 

Buxhovi mendon se përmendja e miqve nga Ibrahim Rugova e çoi Kosovën drejt shtetësisë. 

“Këtë sllogan Rugova e përdori  me shumë sukses vazhdimisht deri në vitin 1999, por edhe më vonë me çka iu hap rruga edhe ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë në vitin 1999 si dhe pavarësisë së Kosovës në vitin 2008,” thotë Buxhovi. 

Hashim Thaçi-vazhduesi i përdorimit të tepërt të “miqve…” 

Halil Matoshi thotë se edhe Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës në vitet 2007-2014 shumë shpesh përdori termin “miqtë ndërkombëtarë”. 

“Pas Rugovës, nocionin ‘miqtë ndërkombëtarë’ e kanë përdorur të gjithë liderët politikë, e posaçërisht shumë dendur Hashim Thaçi,” thotë Matoshi. 

Këtë e dëshmon fotografia e dalë nga marrëveshja e transformimit të UÇK-së më 21 qershor 1999 që dha imazhin e bashkëpunimit ideal kosovarë-ndërkombëtarë. 

Pas negociatave të lodhshme, aparati fotografik zuri një mbi një duart e komandantit në NATO Wesley Clark, shefit të atëhershëm të UNMIK-ut Kouchner, komandantit të KFOR-it Jackson, shefit të Drejtorisë Politike të UÇK-së Hashim Thaçi dhe komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie Agim Çeku. 

Me këtë marrëveshje parashikohej formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të ShBA-ve, një gjë që ende nuk ka ndodhur. 

Hashim Thaçi “miqtë ndërkombëtarë” i përmendi edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. 

“Ne u jemi mirënjohës miqve dhe aleatëve tanë në vend dhe jashtë vendit të cilët na kanë ndihmuar të mbërrijmë deri këtu,” tha ai para shtatë vjetësh. 

Takimi Thaçi-Hillary Clinton (Fotoja nga faqja zyrtare e zonjës Clinton)

Atifete Jahjaga-presidente nga marrëveshja me një mik

Edhe Atifete Jahjaga u zgjodh presidente më 7 prill 2011 me ndërmjetësimin e një “miku ndërkombëtar”-ish ambasadorit amerikan Christopfer Dell. 

Zgjedhja e saj tejkaloi krizën politike në të cilën kishte hyrë Kosova, pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu dhe zgjedhjes së Behgjet Pacollit në këtë pozitë, e cila u kontestua nga Gjykata Kushtetuese. 

Këtë radhë fotografia që doli nga marrëveshja nuk ishte si ajo e vitit 1999 ku pesë zyrtarë kosovarë e ndërkombëtarë bashkuan duart për të ardhmen e forcave të armatosura të Kosovës. 

Kësaj here në konferencën për shtyp në një anë dolën Isa Mustafa, Thaçi e Pacolli si nënshkrues të marrëveshjes dhe në anën tjetër qëndroi Dell-i si garantues i saj. 

Marrëveshja që nxori presidente Atifete Jahjagën

Jahjaga nuk ua harroi ndërkombëtarëve ndikimin për përzgjedhjen në krye të shtetit. I përmendi ata në fjalimin inaugurues në Kuvend, kur foli për dialogun e Brukselit me Serbinë. 

“Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë ne kemi nisur një proces dialogu me Serbinë… Pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do të ndërtojmë të ardhmen… Dialogu do të ketë sukses,” tha atëherë Jahjaga.

Atifete Jahjaga ditën kur u zgjodh Presidente

Por analistët u frikohen fjalëve “miq ndërkombëtarë” kur ato i thonë politikanët që luftojnë vetëm për pushtet. 

“Të gjitha partitë politike (madje këtë sintagmë e dëgjon edhe nga militantët e tyre)  manovrojnë dhe manipulojnë me këtë nocion, kur të thonë: ‘Kështu ka thënë Amerika’, ‘Këtë e ka imponu Amerika’, ‘LDK-në ose PDK-në për koalicionin qeverisës e detyruan amerikanët’, ‘Miqtë tanë kanë vendosur kështu e ashtu…’ etj. Në këtë kurth shpesh bie publiku kosovar, e që në fakt është vetëm floskulë politike e demagogëve të përsosur,” thotë Halil Matoshi. 

Jusuf Buxhovi mendon se politikanët e tillë fajin për dështimet në bërjen e shtetit të Kosovës ashtu si duhet, tentojnë t’ua hedhin “miqve ndërkombëtarë”. 

“Kjo klasë politike që ka  shkelë thuajse çdo vlerë morale dhe njerëzore dhe shtetin e ka kthyer në plaçkë, e përballur me një dështim historik për çka nuk mund t’i ikë përgjegjësisë as morale e as ligjore, mundohet që një pjesë të fajit pse Kosova ka ardhur në këtë derexhe, t’ua hedhë ‘miqve ndërkombëtarë’ dhe recetave të tyre!” thotë Buxhovi. 

Belul Beqaj hise të fajit u lë edhe ndërkombëtarëve. 

“Ndërkombëtarët protektoratin e  tyre të pasluftës e kanë arsyetuar formalisht me aftësimin sa më të shpejtë për vetëqeverisje vendore të lidershipit politik vendor, por lidershipi ynë në vend se të pavarësohet nga ‘miqtë ndërkombëtarë’ është plotësisht i varur nga ta. Shembulli i Presidentes dhe Gjykatës Speciale janë argumente të pakontestueshme,” thotë Beqaj. 

Por Beqaj e Matoshi pajtohen për një gjë-se “miqtë ndërkombëtarë” nuk po u kërkojnë kosovarëve të pamundurën-atë që nuk e bëjnë vetë. 

“Aleatët, ose miqtë e Kosovës kërkojnë që të mos abuzohet me lirinë dhe pavarësinë, që të respektohet e drejta dhe drejtësia, të drejtat e njeriut dhe komunitetet joshumicë, të resoektohen liritë civile. Kaq. Asgjë që nuk e bëjnë vetë nuk e kërkojnë nga ne!’” është i prerë Matoshi. 

Beqaj mendon se keqpërdorimi i miqësisë kosovarë-ndërkombëtarë mund të bëhet vetëm nga individët.

 “Keqpërdorimi i kësaj miqësie më tepër është qasje individuale e atyre që flasin dhe veprojnë në emër të Kosovës dhe të liderëve politikë kosovarë që përmes mbështetjes ndërkombëtare i realizojnë synimet veta, sesa që është strategji e planifikuar,” shpjegon Beqaj. 

Buxhovi tregon se miqësia është stabile kur ndërthuren interesat. 

“Ndërkombëtarët i kanë interesat e tyre strategjike në Kosovë dhe rajon, ndërsa shqiptarët duhet ta kenë interes parësor shtetin e Kosovës.Vetëm në përputhje me këtë ndërthurje të ineresave ka kuptim sentenca e shtëpisë ‘së zotit dhe të mikut’,” deklaron Buxhovi. 

Por Belul Beqaj ankohet se “miqtë ndërkombëtarë” nganjëherë  ia vështirësojnë kryerjen e punës si analist, kur u bëjnë komplimente politikanëve kosovarë. 

“Zëvendëspresidenti amerikan thotë se ‘Hashim Thaçi është Xhorxh Uashingtoni i Kosovës’. Qytetari i zakonshëm që nuk percepton argumente, por autoritete, në nëndije thotë: ‘kush është ky B. Beqaj që po kritikon qeverinë apo Thaçin, kur ambasadori apo nënpresidenti i ShBA-ve  po e lavdëron atë,” flet për mendësinë kosovare Beqaj.