Xhamia që Mbjell Përçarje në Pejë

Ndërtimi i një xhamie të re në një fshat të Pejës është bërë mollë sherri ndërmjet Bashkësisë Islame, banorëve, Drejtorisë së Urbanizmit të Pejës, komunës dhe vetë koalicionit qeverisës.
Bashkësia Islame e Pejës, kishte aplikuar në Drejtorinë e Urbanizmit për të marrë leje për ndërtimin e një xhamie në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Aplikimi i Bashkësisë Islame për ndërtimin e kësaj xhamie nxiti shumë debate në qytetin e Pejës.
Madje për këtë çështje u bënë nga kallëzime penale e deri tek lëkundja e koalicionit qeverisës në Komunën e Pejës mes LDK-së dhe PDK-së.

Tensionet filluan kur drejtori i Urbanizmit në Pejë, Salih Lajçi, nuk dha pëlqimin përndërtimin e kësaj xhamie.

Kundërshtime pati edhe nga disa banorë të fshatit Vitomiricë, për fillimin e punimeve të kësaj xhamie pa leje.

Përkundër këtyre kundërshtimeve, xhamia filloi të ndërtohet me lejen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili dha pëlqimin për fillimin e ndërtimeve të xhamisë.

Refuzimi nga Urbanizmi

Bashkësia Islame kishte bërë kërkesë në Drejtorin e Urbanizmit për leje ndërtimore të një xhamie në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Kjo kërkesë ishte refuzuar nga drejtori i Urbanizmit në Pejë, Salih Lajçi.

Ky i fundit tha për Gazetën Jeta në Kosovë se vendimi ishte marrë sipas ligjit dhe për këtë arsye u refuzua kërkesa e Bashkësisë Islame.

“Bashkësia Islame ka aplikuar për kushtet e ndërtimore për të ndërtuar një xhami me afarizëm në Vitomiricë në pjesën ku kanë qenë varreza. Drejtoria e Urbanizmit duke u bazuar në ligjin e ndërtimit, duke u bazuar në udhëzimin administrativ për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore, duke u bazuar në rregulloren komunal mbi varreza, ka refuzuar kërkesën e Bashkësisë Islame”, tha Lajçi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pas kësaj, Bashkësia Islame u ankua në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, ku kjo e fundit kërkoi që kërkesa për dhënien e lejes së ndërtimit të rishqyrtohet dhe të mbahet dëgjim publik për këtë çështje.
Me të përfunduar procedurat e dëgjimit publik me qytetarët, drejtori i Urbanizmit sërish refuzoi kërkesën e Bashkësisë Islame.

Sipas drejtorit Lajçi, vendimi sërish është marrë sipas procedurave ligjore dhe kërkesës së komunitetit.

“Pas disa vendimeve gjyqësore për pezullim të përkohshëm të lëndës, disa qytetarë janë ankuar. Ne kemi dhënë një përgjigje modeste, por ligjore,totalisht ligjore, që kjo lëndë, kjo kërkesë e Bashkësisë Islame për momentin të pezullohet, për ngastrën kadastrave mbi varreza,” tha Lajçi.

Ai shtoi se kanë dhënë propozime në dy ngastra kadastrale si opsion për ndërtimin e xhamisë.
Kundërshtimi i banorëve

Edhe përkundër mungesës për leje ndërtimi, Bashkësia Islame në Pejë, kishte filluar ndërtimin e xhamisë në fshatin Vitomiricë.

Për këtë menjëherë reaguan disa banorë të cilët kundërshtuan ndërtimin e kësaj xhamie duke penguar edhe zhvillimin e punimeve.

Bajram Kurtaj, i cili banon afër me parcelën e Bashkësisë Islame, tha se nuk kanë nevojë për xhami në këtë fshat, por për gjëra tjera.

“Nuk e kemi kërkuar ne këtë xhami, nuk kemi nevojë [ngaqë]e kemi një xhami. Çfarë kemi nevojë i kërkojmë Gazmend Muhaxherit për nevojat qe i kemi ne këtu, s’kemi kanalizim, s’kemi shkollë, s’kemi çerdhe,s’kemi dom [shpi] të pleqve. Të gjitha këto nuk është i interesuar për t’i plotësuar, por është i interesuar të na qesë këtu këtë mollë sherri, kryetari i cili me votat tona është ardhur aty,” theksoi Kurtaj.

Kurse, Rexhë Krasniqi, thotë së shumica e banorëve janë kundër ndërtimit të xhamisë në fshatin e tyre.

“Prej 21 banorëve që rrethojnë këtë objekt këtu, këtë tokë të varrezave, 18 janë kundër, një është për dhe dy kanë abstenuar,”tha ai.

Kallëzime penale

Mospërfillja e ligjit të ndërtimit dhe mosintervenimi i institucioneve komunale për punimet e pretenduara si pa leje të Bashkësisë Islame të Pejës, shkaktuan që për këtë çështje të bëhen dy kallëzime penale nga banorët. Njëri është bërë  ndaj kreut komunal të Pejës e drejtorit të inspektoratit, ndërsa tjetri është bërë ndaj Bashkësisë Islame të Pejës.

Bajram Kurtaj ka bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtorit të inspektoratit Demë Dashi.

Ai tha së këtë kallëzim penal e ka bërë për shkak së nuk janë marrë masa parandaluese për shkeljen e ligjit të ndërtimit.

“Kallëzimi penal është bërë për kryetarin e Pejës dhe Demë Dashin [drejtor i inspektoratit] që nuk e kanë zbatuar ligjin për të ndërprerë punën dhe të mos bëhet asgjë pa ligj, duke dëmtuar varrezat”, tha Kurtaj.

Ndërsa kryetari i Pejës, i pyetur për këtë çështje tha se për të gjitha procedurat që janë të pakënaqurmund t’i drejtohen ligjit.

Sipas kreut komunal, personat që kanë bërë kallëzimin penal, kanë ndërtuar shtëpitë e tyre pikërisht mbi pronën e Bashkësisë Islame.

Gjatë punimeve të Bashkësisë Islame për ndërtimin e xhamisë, e moshuara Dnore Lajçi, thotë së i është dëmtuar varri i nënës së saj, e cila ishte e varrosur para shumë viteve në atë vend.

Ajo tha për Gazetën Jeta në Kosovë se varri i nënës së saj është shkatërruar dhe për ketë arsye ka bërë kallëzim penal ndajë Bashkësisë Islame të Pejës.

“Kam shkuar nganjëherë për ta parë te varri aty, tash e kishin prishur dhe nuk kishe çfarë për të parë, e kishin bërë rrafsh,” theksoi e moshuara Dnore Lajçi.

Krisje brenda koalicionit?

Pas refuzimit të dytë për lejen e ndërtimit të xhamisë nga Drejtoria e Urbanizmit, kryetari i Pejës,

Gazmend Muhaxheri,mori vendim që t’i lejohen kushtet ndërtimit të xhamisë,sepse Drejtoria e Urbanizmit ka dështuar të japë përgjigje adekuate.

Muhaxheri tha së leja është lëshuar sipas Ligjit të Planifikimit Hapësinor të nenit 8.

“Drejtoria e Urbanizmit ka pasur afatin kohor për të kthyer përgjigje. Në afatin kohor që është dashur të kthehet përgjigje adekuate, ka dështuar për t’i kthyer përgjigje adekuate Bashkësisë Islame në Pejë. Unë si kryetar i Komunës, duke e marrë parasysh Ligjin për Planifikim Hapësinor, neni 8 thotë së heshtja është aprovim dhe në bazë të saj, kemi lëshuar kushtet. Kemi zhvilluar procedurat e mëtutjeshme,

Bashkësia Islame ka respektuar procedurat,” tha kreu komunal në Pejë.

Muhaxheri tha se nuk është dashur të merret me këtë çështje drejtori i Urbanizmit të Pejës, sepse sipas tij, Salih Lajçi ka konflikt interesi në këtë çështje sepse jeton afër asaj zone.

“Është dashur me i kërkuardrejtorit që të merret tjetërkush me këtë çështje, se është konflikt interesi në pjesë ku ai banon,” thotë Muhaxheri.

Kurse drejtori Lajçi tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk dëshiron të komentojë deklaratat e kryetarit të tij.

Drejtori i Urbanizmit tha se ka vepruar sipas ligjit dhe se nuk ka konflikt interesi.

“Nuk e komentoj vendimin e kryetarit. Unë jam thellë i bindur që asnjë drejtor, as unë personalisht për vete nuk do ta vë interesin personal para atij të përgjithshëm,“ u shpreh Lajçi.

Mirëpo këto veprime të kundërta të kryetarit të Pejës nga radhët e LDK-së me drejtorin e Urbanizmit nga

PDK-ja trazuan harmoninë e koalicionit dypartiak në Pejë.

Menjëherë dega e PDK-së mbajti mbledhje për të diskutuar rreth koalicionit me partnerin e tyre në qeverisje.

Përkundër mosmarrëveshjeve dhe akuzave mes palëve, koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së ka vazhduar normalisht.

Muhaxheri për këtë çështje tha se koalicioni është duke shkuar mirë edhe pse ka ndonjëherë mosmarrëveshje.

“Ka ndonjëherë mosmarrëveshje, mirëpo mosmarrëveshjet nuk janë pengesë për të vazhduar koalicionin”, tha ai.

Dhe xhamia ndërtohet…

Përkundër shumë reagimeve rreth ndërtimit të xhamisë në fshatin Vitomiricë, punimet janë duke u zhvilluar normalisht.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi edhe kryetarin e Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj.
Ky i fundit u përgjigj përmes telefonit duke thënë së Bashkësia Islame ka fituar një donacion nga një biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe që jeton në Londër.

“Xhamia është duke u ndërtuar për nevojat e komunitetit mysliman. Fondet për ndërtimin e kësaj xhamie janë dhënë nga një biznesmen afarist nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por që jeton në Londër. Ky donator është një besimtar ultra modern që ka shprehur dëshirën të na ndihmojë financiarisht për ndërtimin e kësaj xhamie,” tha Arifaj.

Ai nuk pranoi të tregojë se kush është donatori, me çfarë biznesi merret, apo detaje të tjera mbi këtë financim.