Rektorati: Et’hem Çeku, Asnjë Punim në Revista Kredibile

Et’hem Çeku e Muhamet Mala kanë shumë të përbashkëta. Janë nga komuna e Pejës dhe që të dy janë të doktoruar për histori. Që të dy i përkisnin një partie politike-AAK-së. Ishin bashkë në listën zgjedhore për deputetë më 2007.

Por jo gjithçka është e ngjashme në karrierën e tyre.

Çeku, i renditur i pesti në listë, kishte fituar votat e duhura për të qenë parlamentar. Ishte i renditur i pesti në listë. Mala, i renditur i 50-ti nuk kishte mundur të bëhej deputet.

Derisa Çeku më 2012 dha dorëheqje nga të qenët anëtar i Këshillit Drejtues të AAK-së, karriera politike e Malës në AAK po shënon suksese. Në korrik të këtij viti Mala u zgjodh kryetar i degës së AAK-së në Pejë.

Përkundër rrugëve të ndryshme që morën në parti, Mala i ka bërë Çekut një favor të rëndësishëm në karrierën akademike.

Ka dhënë miratimin se Çeku e meriton që të avancohet nga profesor asistent në profesor i asocuar.

Por favori i bërë nga Mala është bllokuar nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Komisioni i Studimeve i udhëhequr nga Eda Vula, prorektore për mësimdhënie.

Rektorati rrëzoi vlerësimin e ish-kolegut partiak të Çekut

Et’hem Çeku aktualisht është dekan i Fakultetit të Edukimit. Ligjëron lëndët Histori Bashkëkohore Botërore dhe ‘Historia e Kosovës nga 1912 Deri më Sot.

Çeku e ka gradën akademike “profesor asistent”.

Në konkursin e shpallur më 14 janar 2015 nga Universiteti i Prishtinës për zgjedhjen e personelit akademik, Komisioni Recensues (vlerësues) dhe Këshilli i Fakultetit të Edukimit e kanë propozuar atë për t’u avancuar në gradën e “profesorit të asocuar”

Anëtarët e Komisionit Recensues propozohen nga dekani i njësisë akademike.Dekani mund të propozojë në komision profesorë nga brenda dhe jashtë njësisë akademike që e udhëheq.

Emrat e komisionit miratohen nga këshilli i fakultetit që udhëhiqet nga dekani i njësisë akademike.
Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit konkluduan se Çeku përmbush kriteret e kërkuara në nenin 176 të Statutit të UP-së.  Kështu u konkludua në buletinin për vlerësimin e Çekut të bërë më 25 mars të vitit 2015.

Ky nen kërkon që kandidati të ketë gradën e doktorit të shkencave dhe të së paku tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore për t’u avancuar në profesor të asocuar.
Çeku ka doktoruar në histori me temën “Kosova në Sfondin e Diplomacisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë 1945-1981”.

Ibrahim Gashin, ish-rektorin e dorëhequr pas protestave se ishte avancuar kundërligjshëm, e ka pasur për mentor në doktorimin e tij.

Por Çekut problemet i kanë dalë me plotësimin e kushtit për tri punimet shkencore të botuara në revista ndërkombëtare.

Komisioni Vlerësues i kryesuar nga Muhamet Mala ka konkluduar se Çeku e tejkalon këtë kërkesë ligjore.
Kanë shënuar në vlerësimin për Çekun se ai i ka katër punime të tilla të botuara në revista me recension ndërkombëtar si autor kryesor.

Kurse Komisioni i Studimeve pas vlerësimit të dosjes së tij nxjerr përfundimin se revistat ku ka botuar

Çeku nuk i plotësojnë kriteret e revistave ndërkombëtare, ashtu siç e kërkon Statuti i UP-së.
Gazetës Jeta në Kosovë nga burimet e veta ka siguruar vlerësimin që i është bërë aplikimit të Çekut.

Komisioni i Studimeve e ka bërë vlerësimin e reputacionit të revistës ku ka botuar dekani Çeku dhe nuk është lëshuar në vlerësimin e cilësisë së punimit.

Punimi i parë me të cilin Et’hem Çeku ka aplikuar për t’u avancuar është “Kosovo During the Tense Relations Between Albania and Yugoslavia During Sixties and Seventies of the Tëentieth Century”.

Ky punim është botuar në revistën South East European Foundation, një revistë e publikuar nga International Relations Quarterly.

Kjo revistë, bazuar në vlerësimin e komisionit të studimeve, nuk është revistë me recension ndërkombëtar.

Komisioni i Studimeve po ashtu ka vlerësuar se edhe punimet tjera të prezantuara nga Çeku nuk janë punime shkencore.

Disa prej tyre janë të botuara në revistën Studime Albanologjike, e botuar nga Qendra për Studime Albanologjike dhe disa janë punime të pjesëmarrjes në konferenca shkencore.

Bazuar në vlerësimin e komisionit, kjo revistë dhe pjesëmarrja në konferenca, nuk llogariten si punime të publikuara në revista me recension ndërkombëtar.

Si vlerësim përfundimtar i Komisionit të Studimeve është se në buletinin e dekanit të Fakultetit të Edukimit  nuk figuron asnjë punim që është botuar në revista kredibile.

Kështu që, ai është refuzuar të gradohet më lart dhe është propozuar që të mbetet të thirrjen e njëjtë “profesor asistent”.

Gazeta ka siguruar informacione se Çeku tashmë e ka një punim të botuar në një revistë me kredibilitet, por që ai punim nuk gjendet në buletin, për shkak se koha kur është publikuar punimi, konkursi për zgjedhjen e personelit akademik në UP ishte i mbyllur.

Por edhe po të merrej për bazë ky punim, Çeku sërish nuk do ta arrinte kuotën e tri punimeve që kërkohen me Statut të UP-së.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar dekanit të Edukimit, Et’hem Çeku, për ta pyetur rreth refuzimit të tij për t’u avancuar, por ai nuk është përgjigjur.

Gjithashtu, Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar sqarim për këtë çështje edhe nga kryetari i Komisionit Vlerësues, Muhamet Mala. Por as ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga Gazeta Jeta në Kosovë.