Vendi i Panjohur i Letrave

Milan Jesih, shkrimtari slloven po më thoshte se do të duhej t’i ndëshkojmë të dy qeveritë, atë sllovene dhe atë kosovare, për mungesën e bashkëpunimit të ndërmjetshëm në fushën e kulturës e sidomos të letërsisë, që ka çuar në mungesën totale të respektit ndaj letërsisë. Jesih është një ndër poetët e mëdhenj slloven, veprat e të cilit janë përkthyer në gjuhë të ndryshme: “Po si është e mundur që asnjë nga qeveritë a institucionet tona nuk ndërmorri asgjë për njohjen mes dy kulturave, dy literaturave”. I çoj krahët, ndërkaq përgjigjen asnjëri s’e ka.

Po në bisedë mes mureve të lartë të kështjellës mesjetare në Stanjel, fshatit që ndodhet vetëm 13 kilometra larg kufirit italian, shkrimtari slloven kujton kohën kur edhe dikur, nën kupolën e “nënës Jugosllavi”, letrarët, përkthyesit, kulturologët shqiptaro-sllovenë nuk kanë arritur të gjejnë një urë lidhëse. Burri i moshuar ka dhjetëra pyetje për jetën dhe kulturën kosovare, por biseda për mundësinë e një komunikimi ndërkulturor nuk shkon përtej mureve të kështjellës.

Në mesin e kulturave të ndryshme nga e gjithë bota, gjuhëve dhe literaturave, Kosova është pothuajse e padëgjuar kur flitet për kulturën e saj. Shkrimtarë, botuesë, përkthyesë e gazetarë, rrallë ndonjë nga ata, ka rastisur të dëgjojë për jetën e letrave të bukura apo jetën intelektuale, pos historisë e politikës së shtetit më të ri në Evropë.

Kosova është një pikë e vogël në hartën evropiane. Edhe kur kjo pikë bën dritë o çon ndonjë sinjal është ose lufta, ose migrimi. “Dëm i madh”, thotë slloveni Jesih, “megjithë komunitetin jo të vogël shqiptarë këtu në Slloveni, kjo është e turpshme!”. 
Në ambientet e ashpra të shtëpive mesjetare në Stanjel, pjesë e rajonit turistik të komunës Sezhana të Sllovenisë, mes njerëzve të letrave nga i mbarë globi, zë vend biseda për Kosovën. çfarë po ndodh në Kosovë? Pyetja e njëjtë përsëritet vazhdimisht.

Botuesë e përkthyesë pyesin për institucione të mundshme bashkëpunimi, si Zyra për librin, përkthyesë, institucione përkthimi, qeveritare e joqeveritare dhe kërkojnë shpjegime e përgjigje për mundësi të hapjes së rrugëve.

Përgjigjet konkrete janë të vështira, sepse pak njerëz në Kosovë janë të gatshëm e të interesuar për të bashkëpunuar. John O’Brien, themelues dhe drejtor i shtëpisë botuese “Dalkey Archive Press” me qendër në Ilinois SHBA, Dublin, dhe Londër, pyet se kujt mund t’i drejtohet…. Kreu i shtëpisë që boton veprat fiksionale dhe kritikë letrare kërkon njerëz që janë krejtësisht të paanshëm dhe të pandikuar në botën e letrave shqipe. “Letërsia shqipe është krejtësisht e panjohur për ne. Do të doja të gjeja mundësinë për bashkëpunim me organizata serioze por të pavarura, krerët e të cilëve janë serioz dhe më paraqesin vlerën e jo miqtë e njerëzit që ata duan”. Amerikani me të folurit në theksin irlandez kërkon përgjigje, po ato sërish janë të vështira. Situata është edhe më e rëndë se që botuesi amerikan e mendon.

Ndërmjetësuesit letrar

Në takimin e ndërmjetësuesëve të letërsisë “Literary Mediators” mbajtur në fshatin turistik Lipica të Sllovenisë, pyetja se cilit nga botuesit apo panelistët pjesëmarrës i ka shkuar ndonjëherë në mend për një bashkëpunim me Kosovën, ngjan tmerrësisht naive. Mungesa e hallkave të komunikimit mes shteteve në kulturë , gjithçka e bën të pamundur.

Sllovenia ka një zyre për librin me një buxhet prej disa dhjetëra milionësh, buxhet ky që vjen nga Ministria e Kulturës së Sllovenisë, po zyreja është institucion që funksionon i pavarur nga kupola qeveritare. Drejtoresha e këtij institucioni Katja Stergar- Javna agencija za knjigo RS, Slovenija,  thotë se i gjithë buxheti që kanë shpenzohet në projektet e promovimit të literaturës sllovene brenda, po sidomos jashtë kufijve të saj, në botimet, përkthimet dhe prezantimin e shkrimtarëve sllovenë në vende të ndryshme. Stergar tregon se zyreja që drejton ka disa bashkëpunime me zyre të ngjashme me shtetet në të cilat këto zyre ekzistojnën, por edhe me institucione të tjera të cilat janë të interesuara për një gjë të tillë. “ Deri më tash me shtetin e Kosovës nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim apo përpjekje të filluar një projekt të përbashkët në këtë drejtim”. Ajo thotë se do të donte që të kishte një nismë për promovimin e autorëve slloven në Kosovë dhe të atyre kosovarë në Slloveni, gjë që do të mund të realizohej me botimin e një vepre reprezentative në të dy gjuhët. Por, kujt mund t’i drejtohem që të jetë profesional dhe i paanshëm, pyet ajo.

Gjërat nuk janë premtuese as në shtetin e ish-bashkimit sovjetik, në Lituani, siç duket të jenë në Sloveninë e pasur me një buxhet relativisht të lartë për librin. Jānis Oga nga Latvijas Literatūras centrs, në Lituani, thotë se vështirësitë për letërsinë dhe autorët në veçanti, vazhdojnë të jenë të rënda edhe në Lituani, megjithëse nismat e ndryshme të promovimit të autorëve lituanezë nuk mungojnë. Por një bashkëpunim me autoritet zyrtare e jozyrtare me Kosovën në fushën e librit ai nuk e ka menduar. “Nuk e di! Me kë do të mund të bashkëpunoja?” Përgjigjet sërish janë të vështira. Autori lituez i cili ka një dekadë që punon dhe në fushën e ndërmjetësimeve kulturore, e ka një pmaje të qartë se çfarë po ndodh në letërsitë e Evropës Qendrore, por dhe përtej, më kah Jugu, por nuk e ka idenë se ç‘ndodh në letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe.

Vendet e vogla, ndëshkimet e mëdha

Geoffrey E.Taylor, drejtor i International Festival of Authors, në Toronto të Kanadas,  thotë se asnjëherë në festivalin e tij nuk ka pasur një autor shqiptar, dhe për më tepër asnjëherë nuk është ftuar në ndonjë nga festivalet që mbahen në tokat shqiptare për të parë e gjetur rrugë të ndryshme bashkëpunimi. “Është kaq e izoluar Kosova në këtë aspekt?”, pyet Taylor, i cili për vite udhëheqë një ndër festivalet më të mëdhenj të letërsisë në Amerikën Veriore. Përgjigja duket më e lehtë. Mbase, ia kthej. “Vendi do të duhej të bëjë shumë për ta prezantuar kulturën e tij”, thotë kanadezi, buxheti i festivalit të të cilit ka një shumë prej 2.5 milionë dollarësh. Sikur të ishte kaq e thjeshtë!

Për një shtet të vogël dhe për një literaturë që flet gjuhën të cilën e njohin vetëm folësit e saj, nismat serioze në prezantimin jashtë kufijve, kanë rol primar. Shteti i Kosovës dhe institucionet e tij të kulturës mund të kenë zgjedhur izolimin. Por ndonjëherë gjërat rebelohen, çajnë rrugë e shkojnë përtej.

Një të premte shtatori me shi në Pallatin e kulturës në Ljubljanë, në Cankarjev Dom, poeti indian Sitanshu Yashaschandra gjatë leximit të poezive, paralajmëron se poezinë e radhës ia ka kushtuar Kosovës. Ai flet për Ibrahim Rugovën, Gandin e Ballkanit, siç e quan, dhe figurën e tij prej njeriu të paqes. “Poezia do të duhej të përcillej me muzikën tradicionale të rajonit indian prej nga unë vij”. Poeti nuk lexon, por këndon: Rugova, Kosova, Slobodani, Serbia, Kroacia, Bosnja e Sllovenia, Ivo Karaxhic e Ante Gotovia, shëtisin vargjeve të poezisë së tij, derisa publiku sllovenë dhe letrar nga e mbarë bota ngriten në këmbë dhe i duartrokasin. “Kjo këngë i kushtohet Ibrahim Rugovës, e kam njohur në Sorbonë dhe kemi studiuar bashkë”, vetëm kjo shenjë e Kosovës në vargjet e Indisë së largët.

Ballkanit vazhdon t’i dhembë palca e zemra, por pjesë të tij kanë gjetur rrugë e shpresa të reja, gjë të cilën Kosova me gjasë do të presë edhe gjatë kohë derisa t’i gjejë, ose derisa ta ketë vullnetin t’i gjejë.