Plazhet Nuk Largohen nga Batllava

Vikendi i fundit i muajit shtator ka shënuar ndoshta përmbylljen e sezonit turistik veror në zonën përreth liqenit të Batllavës. 

Vjeshta ka nisur zyrtarisht dhe ditët janë ftohur, gjë që ka bërë që plazhet të mos shfrytëzohen. 

Por ishte një paralajmërim se plazhet do të bëheshin jofunksionale para se të niste stina e vjeshtës.

Në korrik të këtij  një marrëveshje e arritur mes Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkimit Evropian,  parashihte shkatërrimin e plazheve rreth liqenit të Batllavës. 

“Ne së bashku me BE-në në Kosovë kemi bërë një marrëveshje gjatë javës së kaluar (korrik) në bazë të së cilës ne do të shkatërrojmë plazhet e ndërtuara atje dhe do t’i lëmë vetëm ndërtimet për rekreacion, siç janë fushat e sportit dhe terrenet për ecje”, pati thënë zëdhënësi i MMPH-së, Kreshnik Berisha për Emisionin Jeta në Kosovë, të transmetuar më 14 gusht të këtij viti.

Ministria e Mjedisit thotë se liqeni i Batllavës është një zonë e mbrojtur ku ndalohet ndërtimi i objekteve për rekreacion dhe qëllime turistike.

Fadil Maxhuni, zëdhënës në MMPH-së, i tha javën e kaluar Gazetës Jeta në Kosovë  se kanë kërkuar nga Komuna e Podujevës largimin e çadrave të vendosura nga projekti i përbashkët që kishin me Bashkimin Evropian. 

“Inspektorati i MMPH–së ka inspektuar këtë rast dhe me procesverbal ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Podujevës të ndërhyjë në këto investime, në mënyrë që eliminohen elementet e lokacionit që do të shfrytëzoheshin si plazh”, i ka thënë Maxhuni, Gazetës Jeta në Kosovë.

Por autoritetet lokale të qytetit të Podujevës nuk kanë lëvizur në drejtim të realizimit të kësaj kërkese qeveritare.

“Ne nuk kemi ndërmarrë asgjë, gjendja është ashtu qysh ka qenë, ne konsiderojmë që aty është gjithçka në rregull”, tha Nazmi Elezi, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

“Ne nuk konsiderojmë se atje nuk është bërë degradim, përkundrazi aty mbrohet ambienti”, shtoi ai. 

Sipas tij autoritetet komunale nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, pasi nuk janë rekomanduar nga BE-ja për një gjë të tillë.

“Komisioni Evropian nuk ka bërë diçka në këtë drejtim, pasi projekti ka qenë i tyre. Ne madje nuk kemi marrë as rekomandime prej tyre se duhet të veprojmë ndryshe”, i ka thënë Elezi, Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërsa Ministria e Mjedisit gjithë çështjen e ka adresuar tek Komuna e Podujevës, madje thonë se për moskryerje të obligimeve nuk kanë dhënë as gjoba.

“Gjobitje nuk ka pasë, pasi që është kërkuar nga komuna dhe ajo e ka marrë përsipër që do të veprojë në zhdukjen e pamjes së plazhit”, ka thënë Maxhuni. 

Por, Zyra e Bashkimit Evropian, investitori kryesor i këtij projekti thotë se për hapat e mëtutjeshëm nuk janë njoftuar nga Ministria e Mjedisit, edhe pse u patën dakorduar për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për këtë çështje.

“Në këtë drejtim ne jemi ende duke pritur nga Ministria për të filluar diskutimet, në mënyrë që të ketë një zgjidhje të dakorduar për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e  Zyrës për Media të Bashkimit Evropian dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërsa Maxhuni, zëdhënësi i MMPH-së ka dhënë një arsyetim se pse nuk kanë komunikuar më me Zyrën e BE-së në Prishtinë. 

“Kemi konsideruar se kjo çështje është në pronësi të Komunës së Podujevës”, tha Maxhuni.

Liqenit të Batllavës iu ndryshua pamja nga një projekt i Bashkimit Evropian dhe Komunës së Podujevës, i quajtur “Zhvillimi, përmirësimi dhe promovimi i turizmit në liqenin e Batllavës”, i cili ka përfunduar në maj të këtij viti. 

Projekti kishte nisur në verën e vitit 2012, ku ishin riparuar rrugët hyrëse për në liqe, ndërtimi i hapësirave për parkingje dhe rregullimi i gjashtë plazheve të liqenit që gjendet rreth 40 kilometra larg nga Prishtina. 

Aty u ndërtuan edhe fusha sportive, u emërtuan vendet e frekuentuara nga vizitorët, u vendosën kontejnerë  të mëdhenj për mbeturina  dhe u bë edhe ndërtimi i vendit ku lidhen barkat. 

Ndërsa gjithçka kishte ndodhur pas vendimit numër 17/127 për Mbrojtjen e Burimeve Ujore i Qeverisë së Kosovës, i nxjerrë më 24 prill 2013.

Përmes këtij vendimi, Liqeni i Batllavës është bërë një zonë e mbrojtur ku ndalohet ndërtimi i objekteve për rekreacion dhe qëllime turistike.

Ministri Gashi e pati kritikuar komunën e Podujevës për këtë investim të bërë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. 

“Komuna e Podujevës nuk e ka kuptuar se Liqeni i Batllavës është liqe, bazen me ujë të pijes, dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, çohen e ndërtojnë plazhe aty”, pati thënë Gashi në emisionin Jeta në Kosovë, të transmetua më 7 shkurt 2014. 

Një muaj më vonë Gashi kishte shkruar edhe më tej duke paralajmëruar padi për investitorin e projektit-Bashkimin Evropian. 

Por përfaqësuesi special dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar i kishte shkruar letër ministrit të Ambientit Dardan Gashit më 24 mars, duke i kërkuar shpjegim se pse po u jep imazh të keq investimeve të BE-së në Kosovë. 

Gazeta Jeta në Kosovë rreth kësaj çështje pati raportuar në 12 maj të këtij viti, por Ministria e Mjedisit, nuk u patën përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë të pyetur rreth shpjegimeve që u kërkonte Zhbogar në letrën e shkruar. 

Më shumë rreth Liqenit të Batllavës:

Plazhi 6. Batllavë 🙂

Gashi e Zhbogar Ndeshen për Plazhet në Batllavë