Duhani Pihet edhe në Lokalin e Inspektorit (TV)

Në një konferencë për zbatimin e Ligjit të Duhanit, organizuar nga KADCja në bashkëpunim me Zyrën e Organizatën Botërore të Shëndetësisë si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, komuna e Gjakovës ishte vlerësuar si një nga komunat që bën më së shumti përpjekje në zbatimin e këtij ligji.

Por këto përpjekje nuk po i përkrah njëri nga inspektorët komunalë të këtij qyteti.

Në lokalin Code, të inspektorit të tregut Lekë Stublla, vazhdon të pihet duhan, me gjithë tërheqjen e vërejtjes nga inspektori sanitar.

Arben Lila nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim që i dedikohet shëndetit publik dhe mbrojtjes së ambientit, tha se kjo qendër e ka njoftuar Inspektoratin Sanitar në komunën e Gjakovës se në lokalin ne fjalë është duke u shkelur ligji.

“Ata kanë vizituar atë lokal dhe pronarët e atij lokali u kanë premtuar që më s’do ta ndezin duhanin. Ajo çka mundemi të bëjmë ne si organizatë, është që edhe një herë të njoftojmë Inspektoratin se prapë në atë lokal është duke u thyer ligji”, tha Lila

Sipas Lilës, pronarët ndoshta do të ishin më të kujdesshëm, sikur lënda e tyre të dërgohej në gjykatë dhe shkelësit të dënoheshin me 3.500 euro, aq sa e parasheh ligji.

Marjan Markaj, udhëheqës i Inspektoratit  Sanitar në komunën e Gjakovës,  mendon se ligji antiduhan në komunën e Gjakovës respektohet më shumë se në çdo komunë tjetër.

Sipas kryeinspektorit, ky ligj respektohet 51 për qind nga të gjitha lokalet, pa u shkuar fare inspektorët.

“Ndërsa me angazhimin tonë ky ligj mund të themi se respektohet 75 për qind”, tha Markaj.

Sa i përket lokalit Code, inspektori tha se është në dijeni që në atë lokal pihet duhani dhe se vetë ka shkuar atje dhe i ka parë duke pirë duhan.

“Kam bërë procesverbal dhe do të ngrej procedurë për kundërvajtje, për veprën që e kanë bërë”, tha inspektori më 30 janar.

Markaj e pranon se pronari i këtij lokali, Lekë Stublla, është inspektor komunal dhe mundohet ta arsyetojë me faktin se ai ndoshta nuk mund t’ua ndalojë pirjen e duhanit shokëve të luftës,   por megjithatë thotë se kjo nuk e ka ndaluar që të bëjë procesverbalin dhe se së shpejti do të bëjë edhe fletëparaqitjen.

I kontaktuar katër ditë më pas, të hënën, ai tha se ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, por premtoi përsëri se do ta bënte.

Gazeta Jeta në Kosovë ka qenë në lokalin Codemë 16 janar dhe aty janë parë klientë duke pirë duhan, ndërsa vetë pronari i lokalit Lekë Stublla  nuk pranoi të flasë para kamerës, por tha se është në dijeni për ekzistimin e ligjit antiduhan.

“Jam në dijeni për pasojat, por nga ky lokal ha bukë dhe nëse unë u tham mysafirëve që mos ta ndezin, ata nuk do te vinë më dhe nga kjo unë do te dëmtohna”, tha Stublla.

Ai e pranoi se disa herë është vizituar nga inspektorët sanitarë dhe se ka marrë vërejtje nga ta

Ligji për ndalimin e pirjes se duhanit ne hapësirat publike hyri në fuqi me 22 maj te viti 2013.

Rruga e këtij ligji nisi para 8 vjetësh, kur filloi të ndalohet pirja e duhanit në gjysmën e hapësirës së lokaleve, duke lënë më pas vetëm 30 për qind të hapësirave për duhanpirësit. Kurse tani hapësira për komunitetin e duhanpirësve është e ndaluar  100 %  në hapësirat publike.