Tymtari i “Argjendtë”

Përfaqësues të Bankës Europiane për Investime mbajtën më 28 shkurt një konferencë për shtyp në Bruksel ku edhe u “shpërblyen” me çmimin e tymtarit të argjendtë për “të nderuar angazhimin e tyre për t’u shkëputur nga projektet me thëngjill dhe përkushtimin që përfundimisht të merren masa rreth ndryshimeve klimatike”.

Kështu thoshte shpërblimi i dhënë përfaqësuesve të Bankës Europiane për Investime nga një protestues anonim gjatë konferencës në Bruksel muajin e kaluar. Shpërblimi “ironik” aludonte në vendimin e bankës për të financuar një projekt kontrovers të një termocentrali me linjit në Slloveni i njohur si TES 6.

Termocentrali TES 6, me kapacitet  prej 600 MW, ka filluar të ndërtohet në Slloveni afër qytetit verior Sostan në vitin 2010 dhe llogaritej të hynte në funksion të plotë në vitin 2015. Banka Europiane për Investime ishte pajtuar të miratonte një kredi prej 440 milionë eurosh ndërsa Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH) kishte aprovuar një kredi tjetër prej 200 milionë eurosh, kredi të cilat ishin stopuar pas dyshimeve për korrupsion dhe hetimeve të vazhdueshme për mashtrime, por edhe për shkak të shqetësimeve se termocentrali do të sabotonte përpjekjet e Sllovenisë për dekarbonizim deri në vitin 2050.

“Projekti ka ngritur shumë çështje të cilat po marrin shumë kohë përderisa ne do të mund të merreshim me gjëra tjera”, kishte thënë një burim i Bankës Evropiane për Investime për portalin EurActiv. Projekti i Sostanjit “ka pasur probleme për vite të tëra”, kishte thënë ai.

Projekti i TES 6 ishte propozuar për herë të parë në vitin 2003 nga kompania publike Holding Slovenske Elektrane (HSE) — e ngjashme me KEK-un –, dhe ideja kishte qenë që të ndërtohej një termocentral prej 400 MW kostoja e të cilit nuk duhej të kalonte 600 milionë euro. Megjithatë me ndërrimin e qeverive dhe personave që udhëhiqnin HSE-në ndërruan edhe parametrat dhe kostoja e termocentralit TES 6. Nga 400 MW sa ishte propozuar në fillim kapacitetit i TES 6 kaloi në 525 MW dhe përfundimisht në 600 MW.

Kostoja e projektit nuk është bërë zyrtare, megjithatë në ueb faqen zyrtare të Bankës Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim thuhet se banka është duke kontribuar me një kredi prej 200 milionë eurosh në Termocentralin e Sostanjit si pjesë e një plani investiv të Sllovenisë prej 1.2 miliardë eurosh për zëvendësimin e 4 njësive të termocentraleve të vjetër. Termocentralet në Sostanj kanë edhe 5 blloqe tjera ndërsa blloqet TES 1,2,3 dhe 4 pritet të zëvendësohen me termocentralin e ri TES 6.

Kundërshtarët e projektit kanë shpresuar se Banka për Europiane për Investime do të vendosë që projektet e termocentraleve me thëngjill mund të financohen vetëm nëse posedojnë teknologjinë e nxënies së plotë të karbonit, e njohur ndryshe si CSS. Mirëpo ekspertë të kësaj fushe thonë se teknologjia e CSS është ende në fazën testuese dhe tash për tash nuk ka ndonjë teknologji e cila do të bënte absorbimin dhe nxënien e plotë të karbonit. Megjithatë sipas raporteve të shoqatës Bankwatch, Banka Europiane për Investime në vitin 2011 kishte zvogëluar financimin e termocentraleve me lëndë djegëse fosile nga  66 për qind në 25 për qind.

Shoqëria civile e Sllovenisë dhe Banknwatch, e cila merret me monitorimin e aktiviteteve të institucioneve financiare ndërkombëtare, kanë kritikuar vendimin e Bankës Europiane për Investime dhe BERZH-it për financimin e termocentralit TES 6. Sipas tyre ky projekt është jo efecient dhe do të përpijë të gjithë buxhetin e Sllovenisë për ndalimin e karbonit deri në vitin 2050. Termocentrali i ri do të emetojë 3.4 mt të dyoksidit të karbonit në vit, ndërsa kjo sasi do të jetë e barabartë me limitin e lejuar për gjithë emestusit e karbonit (veturat, transporti publik, fabrikat e ndryshme etj.) në Slloveni deri në vtin 2050.

Gazeta sllovene “Dnevnik” kishte botuar një analizë të detajuar të projektit TES 6 më 6 shkurt 2010. Një pjesë e kësaj analize flet mbi “mitin” e bllokut 6 dhe efektet socio-ekonomike.  Lugina e Shalekut, ku edhe po ndërtohet termocentrali, është një rajon ku banorët e vendit zakonisht ishin punësuar në sektorin e prodhimtarisë dhe mihjes.

Kompania “Gorenje” kishte qene një shtyllë e rëndësishme e punësimit, mirëpo me rritjen e kostos së prodhimit dhe me trendet e globalizmit, prodhimi kishte kaluar në vende me kosto të ulët të prodhimit ndërsa mihja e qymyrit kishte shënuar rënie të vazhdueshme. E ardhmja e këtij sektori është vënë në dyshim për shkak të kërkesës së ultë dhe çmimit në rënie të thëngjillit. Investimet në këtë rajon nuk kanë prekur banorët. Ata edhe sot jetojnë me të hyra vjetore 3 mijë dollarë amerikanë më pak se mesatarja e vendit. Ideja se investimet në termocentralin e ri do të sillnin punësim ka dalë të jetë një propagandë e rrejshme.

Sot në termocentralet e TES-it punojnë 500 punëtorë, mirëpo me mbylljen e blloqeve në vitin 2015 numri i tyre i të punësuarve pritet të bjerë në 200. Pos problemeve ekonomike dhe sociale, banorët e Luginës se Shalekut në Slloveni pritet të bartin edhe pasojat shëndetësore dhe ambientale që prodhojnë termocentralet me thëngjill.