“Bomba Biologjike” Kosovare Transportohet në Suedi

Kanë mbetur edhe rreth 600 tonë të fenolit dhe katranit në oborrin e termocentralit Kosova A që priten të largohen nga aty së shpejti për tu dërguar në skajin tjetër të kontinentit, në Suedi.

Këto mbetje ishin mbajtur në disa rezervuarë të mëdhenj të ish-fabrikës së gazifikimit e cila ishte mbyllur në vitin 1998 dhe që la pas vete rreth 17.500 mijë metra kub të mbetjeve të rrezikshme.

Mbetjet janë koncentrat fenoli, fenol i përzier me ujë, katran, mbetje të vajrave, amoniak, benzol dhe metanol.

Ato i transporton kompania greke, Environmental Protection Engineering (EPE) e cila kishte fituar tenderin ndërkombëtar më 10 mars 2011.

Pastrimi i mbetjeve toksike është pjesë e projektit të Bankës Botërore – “Pastrimi dhe Rikultivimi i Tokës” që financohet me 10.5 milionë dollarë amerikanë. 

 

Banka Botërore thotë se përkrah autoritetet e Kosovës në këtë projekt pasi që çështja e hedhjes së hapur të hirit nga gjenerimi I energjisë termike është një problem kritik.

“Siç është kuantifikuar në analizën e paradokohshme Vlerësimi Mjedisor i Vendit, ndotja e ajrit nga pluhuri i gjeneruar nga termocentralet dhe kodrat e hirit në afërsi të kryeqyetit, Prishtinës, është një problem veçanërisht kritik. Krahas kësaj, kontaminimi i tokës dhe ujërave nëntokësore nga kodrat e hirit ka pasur impakte negative mjedisore”, tha  Jan-Peter Olters, kryesues i Bankës Botërore në Kosovë.

Banka ka dhënë financim shtesë për këtë projekt prej 4.2 milionë dollar të dedikuara për pastrim dhe rikultivim të tokës në lokacionet e Kosovës A dhe B, monitorimin mjedisor të ajrit, tokës dhe ujit dhe forcimin e kapacitetit të autoriteteve rregullative të mjedisit dhe energjisë në Kosovë.

Po ashtu, Olters tha se donacioni shtesë parasheh përgatitjen e një strategjie për rritje me karbon të ulët dhe një inventari të gazrave serrë (GHG).

Katrani i cili është i përzier me dheun është i paketuar nëpër thasë të mëdhenj ndërsa fenoli, lëngu i cili vjen nga djegia e qymyrit, është i vendosur në kazanë të plastikës.

Asgjësimi i këtyre mbetjeve nuk mund të bëhet në Kosovë për shkak të mungesës së teknologjisë së caktuar.

“Ne po i heqim këto helme të cilat kanë qenë rrezik potencial dhe, falë donacioneve e mirëkuptimit nga këto vende, po e lehtësojmë jetën e qytetarëve”, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Javën e kaluar, qeveritë në Kosovë dhe Suedi kanë arritur një marrëveshje që kjo pjesë e mbetjeve të mund të hyjë në Suedi.

“Fatmirësisht është gjetur një kompani në Suedi e cila është në gjendje ta kryejë këtë veprimtari por edhe qeveria suedeze ka pranuar që këto materiale të futen në territorin e saj”, tha Dardan Gashi, ministër i mjedisit, i cili nënshkroi marrëveshjen bilaterale me qeverinë suedeze.

 

foto  
Pamje nga hapësirat e ish-fabrikës  

 

Kosova, duke mos qenë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe pa njihjen e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian, nuk është nënshkruese e konventave ndërkombëtare, e në këtë rast edhe të konventës së Bazelit, e cila rregullon lëvizjet e mbetjeve të rrezikshme nëpër botë.

Kosova është dashur që të bëjë një marrëveshje për transport transit me Maqedoninë dhe me Greqinë ku materiali i rrezikshëm ngarkohet në anije në portin e Selanikut.

Më pastaj, marrëveshje tjetër bilaterale është bërë me Belgjikën ku anija nga Selaniku bën transferimin e mbetjeve të rrezikshme.

Dhe në fund, me Suedinë ku mbetjet përfundojnë në fund në kompaninë SAKAB që gjendet 200 kilometra larg Stokholmit.

Rreth 600 tonë katran dhe fenol mbesin brenda në KEK dhe kompania greke është duke aplikuar për një leje tjetër pasi që leja paraprake kishte të lejuar transferimin e 15.000 litrave fenol.

“Jemi duke ri-aplikuar për një licencë tjetër me Suedinë dhe procedurat janë në përfundim e sipër. Kjo pritet të kryhet për një deri në dy javë”, tha Eleni Malliarou, këshilltare e lartë e mjedisit në kompaninë EPE.

Ajo tha se EPE ka bartur 5.000 tonë të mbetjeve të rrezikshme nga Kosova në Suedi dhe se çdo gjë ka shkuar mirë.

Ndërsa, oxhaqet e KEK-ut vërehen nga të katër anët e komunës së Obiliqit për shkak të afërsisë me këtë gjigant të vjetër e ndotës.

Nazif Shala, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Obiliq, thotë se qytetarët e kanë mirëpritur largimin e mbetjeve të rrezikshme pasi që për ta kjo ishte kërcënim për jetë.

“Për 24 vjet, sa kanë qëndruar këto mbetje në KEK janë konsideruar si bombë biologjike e pashpërthyer. Mirë po bëhet që po largohen më në fund”, tha Shala. 

Gazifikimi i thëngjillit

Ish-fabrika e gazifikimit që gjendet në Korporatën Energjetike të Kosovës, KEK, dhe e cila ka prodhuar fenol, vaj të ndotur, katran dhe benzen, ishte mbyllur në vitin 1988.

foto  
Pamje nga hapësirat e ish-fabrikës  

Fabrika kishte filluar punën në vitin 1970 dhe pas mbylljes kishte lënë pas rreth 20 mijë metra kub të materieve të rrezikshme.

Për 24 vite këto materie të rrezikshme janë ruajtur në oborrin e termocentralit Kosova A ku edhe gjendet fabrika e ndryshkur e gazifikimit. Kjo fabrikë ka djegur thëngjillin prej të cilës ka fituar gazin dhe produkte të tjera.

Deri në vitin 1988 një pjesë e tyre janë shitur në Francë dhe Gjermani për përdorim në prodhimin e materialeve plastike ndërsa një pjesë tjetër e këtyre lëndëve është përpunuar në separacionin kimik të Gazifikimit.

KEK ka në plan që ta çmontoj këtë fabrikë së shpejti dhe pjesët e saj të shiten për skrap.