Balaj Mund të Mos Shënonte...

Odise Roshi, driblon një kundërshtar, ngre kokën lart, kroson, Bekim Balaj bën një hap prapa, godet. Ajo që ndodhi më pas, tashmë është e ditur. 

Ishte ky goli historik në fitoren historike të Shqipërisë ndaj kombëtares pjesë e së cilës është edhe lojtari më i mirë në botë Cristiano Ronaldo.

Përpos që ky gol i solli fitoren e parë Shqipërisë në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2016, përballë një kundërshtari që gjithmonë ka qenë vendburim i emrave të mëdhenj të futbollit, duke filluar nga Eusebio, Figo, e në vitet e fundit Ronaldo, kjo fitore arrihet në stadiumin “Muncipal de Aveiro”, me një kapacitet prej 30 mijë shikuesish,këtë gol për Kombëtaren “Kuq e Zi”, e shënoi një ish-portier. 

Bekim Balaj e filloi karrierën e tij në moshën 11 vjeçare në “Vllazninë” e Shkodrës. 

Për shkak të shtatit të hedhur babai i tij e kishte propozuar si portier, por pas disa sesioneve të stërvitjes, trajneri i tij i parë Astrit Premçi e aktivizoi në rolin e qendërsulmuesit.

Balaj për “Vllazninë” e Shkodrës në 38 ndeshje, realizoi 18 gola, duke tërhequr kështu vëmendjen e klubeve evropiane. 

Kështu, më datën 17 qershor 2010, Balaj nënshkroi kontratë me ekipin turk “Gençlerbirliği S.K”, duke i sjellë kështu në arkat e klubit shkodran plot 300 mijë euro për transferimin e tij. 

Aventura e Balajt në Turqi nuk shkoi edhe aq mirë dhe kështu ai vendosi që edhe njëherë të kthehej në vendlindje, duke nënshkruar kontratë me klubin më të madh shqiptar K.F “Tirana” ku në 37 ndeshje, shënoi 15 gola. 

Pas një sezoni të sukseshëm me Tiranën, ambiciet e Balajt përsëri u kthyen drejt Evropës, kështu në korrik 2012 ai pasi kaloi një provë me ekipin nga Çekia “Sparta Prague” shënoi një gol historik për këtë skuadër në “UEFA Evropa Ligë”, kundër suakdrës spanjolle “Athletic Bilbao”. 

Balaj në vitin 2013 u transferua në skuadrën “Jagiellonia”, ndërsa pas përfundimit të huazimit në këtë skuadër në korrik të vitit 2014 kaloi në skuadrën tjetër çeke “Slavia Prague”, ku po vazhdon ende karrierën.

Me Kombëtaren “Kuq e Zi”, heroi i fitores historike udhëtimin e nisi në vitin 2008, në grupmoshën deri në 19 vjet kundër Anglisë. 

Balaj po ashtu ishte pjesë edhe e grupmoshës deri në 21 vjet të kombëtares shqiptare, duke realizuar 4 gola. 

Debutimin me Kombëtaren A të Shqipërisë Balaj e ka bërë në ndeshjen kundër Kamerunit më 14 nëntor 2012, ndërsa golin e parë e shënoi në fitoren e madhe kundër Portugalisë, duke i dhënë kështu një fillim të mbarë Shqipërisë, të udhëhequr nga italiani De Biasi. 

Ky ishte goli i tij i parë dhe i vetëm për kombëtaren e “të mëdhenjve”, goli që do ta kujtojë me krenari gjithë jetën, e me krenari do ta kujtojnë të gjithë shqiptarët. 

Për më tepër, ky gol u shënua nga dikush që do të duhej të qëndronte në portë. Fatmirësisht, ai qëndron në skajin tjetër të fushës, fare pranë portierit kundërshtar. 

(Artikulli u bazua edhe nga raportimet e mediave të huaja pas ndeshjes Portugali- Shqipëri)