Kandidatit të Pavarur i Ndihmojnë Fëmijët

Hasan Gashi, garën për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet e ka nisur pa përkrahjen e asnjë subjekti politik. Ai është kandidati i vetëm i pavarur që merr pjesë në zgjedhjet e 8 qershorit. 

Thotë se mbështetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës, miqtë e familja dhe fushatën po e bën me mjete vetiake, ndërsa nga KQZ-ja nuk ka marrë asnjë ndihmë materiale

“Asnjë pare, asnjë diçka kështu çështje investive jo[nuk ka ardhur nga KQZ-ja]. Unë i kam 5 fëmijë,  katër vajza dhe një djalë të cilët janë në botën e jashtme. Ata më kanë ndihmuar financiarisht  për t’i mbuluar shpenzimet për fushatë”, thotë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Miradije Mavriqi, drejtoreshë në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike pranë KQZ-së thotë se nga institucioni që organizon zgjedhjet para mund të marrin vetëm subjektet parlamentare. 

“Fondi që ndahet për partitë politike ndahet për ato parti që fitojnë dhe hyjnë në Kuvend. Ato marrin mjete pastaj”, shpjegon Mavriqi.

Neni 9 i Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike precizon se mjetet e fondit ndahen në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve për atë mandat.  

Për t’u bërë deputet, sipas ligjit aktual të zgjedhjeve, Gashi, punonjës civil i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i lindur në fshatin Baran të Pejës, duhet të fitojë 5 për qind të votave të atyre që do të votojnë. 

Trupi votues për zgjedhjet e 8 qershorit është 1 milion e 786 mijë e 929 persona. Nëse në këto zgjedhje numri i votuesve është i ngjashëm me ata që dolën më 3 nëntor 2013 për ta dhënë votën e tyre (47.92 për qind), Gashit do t’i duhen 42 mijë e 815 vota për ta zënë një ulëse në parlament. 

Pragun elektoral Gashi e konsideron tepër të lartë. 

“Është numër shumë i lartë, kjo është njëfarë forme edhe cenim i vet personave të cilët me siguri kanë një mbështetje nga vetë populli. E bllokuan edhe ligjin e ri mbi zgjedhjet ku me siguri aty nuk ishte me qenë ky numër kaq i lartë i pragut për kandidatin e pavarur”, thotë Gashi. 

Ky ligj që kaloi në lexim të parë në Kuvend më 4 prill 2014, parashikonte përgjysmim të pragut zgjedhor për kandidatët e pavarur. Por Kuvendi u shpërnda pak më shumë se një muaj më pas, ndërsa zgjedhjet po organizohen me ligjin e vjetër. 

Gashi të njihet me popullin 

Seremb Gjergji që shpalli kandidaturën e pavarur për president në nëntorin e vitit 2011, kur Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese po diskutonte zgjedhjen e kryetarit të vendit direkt nga populli, e këshillon Gashin që të jetë më i dukshëm për të fituar më shumë vota. 

“Ta hapë kanalin e tij ne Youtube dhe të bëjë të qarta qëllimet e tij. T’i publikojë fotot e tij në Flickr. Të njihet nga qytetarët e Kosovës. Në internet nuk e gjen askund. Portalet mediale nuk e kanë paraqitur dhe kjo është disavantazh për të”, këshillon Gjergji. 

Ai sugjeron edhe që Gashi “të merret me vullnetarizëm”. 

Gashit dhe kandidatëve të tjerë të pavarur në këtë sistem zgjedhor të Kosovës që e cilëson plotësisht të pafavorshëm për njerëzit e paparti,  u jep këshilla edhe analisti Krenar Gashi. 

“Kandidatët e pavarur e kanë pothuajse të pamundur zgjedhjen e tyre. Kësisoj, këshilla ime e vetme për të gjithë ata përbrenda këtij sistemi, është që t’u bashkohen listave të partive politike”, thotë Gashi. 

Ndërsa Albert Krasniqi nga Instituti KIPRED propozon ulje të pragut zgjedhor deri në 1 për qind për ata që duan të hyjnë në Kuvend pa u përfshirë në subjektet politike. 

“Nëse do të ishte pragu prej 1 për qind shumë më lirshëm do të mund të dilnin kandiatët e pavarur”, thotë Krasniqi. 

Krenar Gashi nuk është i sigurt nëse pragu është i nevojshëm. 

“Shkollarët politikë nuk janë të një mendimi sa i përket pragut parlamentar i cili edhe pse mund të ketë disa përparësi teknike, në fakt e ngulfat përfaqësimin e denjë”, thotë Gashi. 

Seremb Gjergji parashikon vështirësi për Hasan Gashin. 

“Në Kosovë të gjithë kandidatët e pavarur e kanë shume të vështirë t’i ruajnë votat. Problem tjetër është financimi – një element shumë i rëndësishëm në garë”, thotë Gjergji. 

Por Hasan Gashi që kreu shkollën e policisë në Vushtrri në vitet 1972-1976, për të vazhduar më pas studimet e kësaj fushe në Zemun, ka shpresë se do të bëhet deputet. Përndryshe thotë se nuk do të kandidonte. 

Shpresën e bazon te shërbimi që mendon se ka bërë për vendin. Iahte komandant në ish-Zonën Operative të Dukagjinit, ndërsa guerilasve kosovarë tregon  t’u jetë bashkuar në vitin 1998. 

“Kënaqësi e imja ka qenë në 98-ën kur fizikisht i kam thënë regjimit  dhe forcave serbe se do të ballafaqohem me ta. Jam pjesëtar i luftës, përndryshe komandant i Policisë Ushtarake të Brigadës 131”, shpjegon kandidati i pavarur për deputet. 

Ai paralajmëron subjektet politike që të ruhen prej tij, pasi do të marrë vota nga të gjitha dhe nga njerëzit që hamenden për kë të votojnë. 

“Unë mendoj se do të marr vota nga njerëz të të gjitha partive, do të kem mbështetje edhe vota të konsiderueshme”, shton Gashi.