Thaçi-Nga Nokia e Vjetër në “Selfie”

Në krejt skandalin e shkurtit të vitit 2011, kur në prapaskenë të mandatimit për president të milionerit Behgjet Pacolli po shkëmbëheshin SMS mes tij dhe ambasadorit amerikan Christopher Dell, Hashim Thaçi po binte në sy për diçka tjetër.

Teksa mediat kishin zënë komunikimet Pacolli-Dell nëpëmjet telefonave të mençur ishte kryeministri i vendit që mbante në dorë një telefon të dalë mode. 

Marka e telefonit sipas një fotografie të marrë nga raportimet e asaj kohe, del të jetë Nokia, i modelit të vjetër.

Ai para tre vjetësh ishte krejtësisht jashtë trendëve të teknologjisë së komunikimit.

Por më 2014 situata është krejtësisht ndryshe.

Thaçi, që ka bërë publik synimin për të marrë edhe një mandat si kryeministër, përdor tabletë dhe telefona të mençur për të treguar itinerarin e tij ditor. 

Gjatë tërë mandatit të tij të dytë ai nuk kishte zëdhënës.

Por zëvendësuesit e zëdhënësit e tij janë bërë rrjetet sociale, “Facebook”, “Twitter” e “Instagram”.

“Më erdhi koha edhe mua ta përdor këtë rrjet social, pasi që djali im Endriti, tash e një kohë, është i zemëruar pse nuk jam edhe unë prezent në rrjete sociale… Shpresoj të bashkëbisedojmë në këtë platformë”, shkruante Thaçi në postimin e tij të parë më 9 dhjetor të vitit të kaluar.

Më pas vazhdoi me krijimin e aplikacioneve sikurse “Shkruaj Thaçit” ose “Pyet Thaçin”.

Dhe këta “zëdhënës” po e pasqyrojnë të parin e ekzekutivit si një lider që bënë “selfie”, që blen perime të shtunave në treg bashkë me gruan e tij dhe që i blen asaj çokollata si një bashkëshort i kujdesshëm.

Por krejt kjo luftë e kryeministrit për të marrë pushtet edhe në rrjete sociale, për ekspertë të marrëdhënieve me publikun dhe fotografë që kanë përcjellë Thaçin qysh prej vitit 1999, është një inkuadrim i vonuar i tij në komunikimin pa tela.

Megjithatë, udhëheqësi i ekipit për realizimin e kësaj nisme thotë se numri i ndjekësve të Thaçit po rritet vazhdimisht.


Tre vjet më parë, Thaçi përdorte telefonin Nokia të modelit të vjetër | Foto: printscreen nga raportimi i Kohavisionit më 23 shkurt 2011

Spin Doctor-i i Thaçit

Është Petrit Selimi, zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, ai që mat se sa po “ndez” promovimi në rrjetet sociale i kryeministrit të vendit që pritet të garojë për një mandat të tretë.

Ai është pjesë e ekipit qeveritar të kryeministrit në promovimin e liderit Thaçi në komunikim.

Selimi i inkuadruar më 2010 i përket gjeneratës së re në PDK dhe insiston në promovimin nëpërmjet rrjeteve që mundësohen nga teknologjia e re informative.  

Vitin e kaluar kishte nisur platformën e diplomacisë kosovare në internet “E-Diplomacy”, që ka për synim të vendosë Kosovën edhe në hapësira jashtë samiteve zyrtare të diplomacisë botërore.

Selimi thotë se angazhimi për prani të kryeministrit në rrjet sociale po sjell të mira.

Tregon se Thaçi i ka bërë mbi 140 mijë ndjekës në rrjete sociale.

“Ndikimi është imediat. Gjë që dëshmon se qytetarët janë të interesuar për mesazhin e kryeministrit, por edhe mediat kanë filluar ta përdorin si burim të informimit të drejtpërdrejtë”, tha Selimi.

Derisa mediat publikojnë postimet e kreut të ekzekutivit, është zyra e tij që nuk është transparente për të dhënë përgjigje për gjërat që u interesojnë gazetarëve. 

Gazetarët u ankuan se nga qeveria nuk mund të marrin përgjigje për gjërat që u interesojnë kur u intervistuan nga Gazeta Jeta në Kosovë në shkurt të këtij viti.


Kryeministri Thaçi, me tablet në dorë duke ju përgjigjur nga aplikacioni “Shkruaj Thaçit” | Foto: printscreen nga videoja

Evolulimi i Thaçit

Por kryeministri që tash përdor telefon të mençur për të bërë “selfie” ndërsa më 2011 përdorte Nokia të vjetër, ka evoluar për sa i përket daljës në fotografi. 

Alban Bujari i Gazetës Koha Ditore, është njëri ndër fotografët që tashmë afro dy dekada me aparatin e tij ka fotografuar ngjarjet që kanë ndodhur në vend.

Atij nuk i kujtohet saktë data kur për herë të parë ka fotografuar Thaçin, por thotë se ka qenë diku viti 1998 në Kleçkë.

Por kur i krahason ato fotografi me këto që Thaçi i publikon në rrjete sociale, Bujari thotë se vëren dallime drastike. 

Nga përvoja e tij me kryeministrin, Bujari thotë se ai e ka një dëshirë që duhet t’i plotësohet kur fotografohet.

“Ka qejf të duket bukur në fotografi. Nuk ka qejf që të fotografohet në pozita jo të mira, për shembull derisa e kam aparatin në dorë dhe ai jep një intervistë nuk pi asgjë”, e përshkruan Bujari “kompleksitetin” e Thaçit kur pozon.

Fotografët kanë dëshirë që të kallëzojnë nëpërmjet fotografive të tyre, liderët në pozita të cilat dallojnë shumë nga ato zyrtaret. E pozicioni i Thaçit nëpër fotografi ka ndryshuar goxha.

Në fotografitë e kohës kur ai drejtonte UÇK-në dhe periudhën e viteve të para të lirisë, Thaçi kishte krejt një tjetër stil nga ai çfarë e ka tash. 

Prej një lideri që vishej me kostume të cilat ishin shumë më të gjera e më të gjata sesa trupi i tij, Thaçi tashmë vesh këmisha në të cilat janë të vendosura inicialet e tij,  H.Th.  

Thaçi ka ndryshuar edhe stilin e flokëve. Në fotografitë e tij të para 10 vjetëve Thaçi kishte një frizurë që pak a shumë i ngjante personazhit të filmave “Johny Bravo”. Por tash kryeministri ka një frizurë që e paraqet atë si një merakli të stilit classic.

E për Lirijon Kadriun pronarin e“D-Line Advertising Studio”, që e kishte implementuar fushatën e PDK-së në zgjedhjet e 2010-ës dhe ato të 2012-ës, kryeministri ka fituar shije estetike dhe nuk është vështirë të punosh me të.

“E pashë që ka hapur llogari në Facebook dhe mu duk interesant edhe për faktin se nuk poston lajme nga partia e tij gjë që e bëjnë liderë të tjerë”, tha Kadriu.

Por realizatori i dy fushatave të mëhershme të PDK-së ka drojën se nuk mund të fitohen vota nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Kam përshtypjen që mentaliteti i shoqërisë kosovare nuk e pranon Facebook-un si diçka serioze”, tha Kadriu. 

Megjithatë, sipas Petrit Selimit që edhe drejton ekipin e marketingut të Thaçit, kryeministri e merr goxha seriozisht prezencën në rrjetet sociale. Thotë se kryeministri e ka në agjendë javore mënyrën e komunikimit. 

Por përveç postimit të  famshëm të një “selfie” nga Prevalla, të tjera postime nuk është se priten mirë nga të gjithë ndjekësit e tij në “Facebook”. 

Për shembull, kur Thaçi më 12 mars shkoi për të parë lojën e basketbollit ndërmjes Sigal Prishtinës dhe  ekipit Kozuv të Gjevgjelisë, disa nga komentet drejtuar kryeministrit kishin të bënin me gjendjen ekonomike të vendit. 

“Se i kemi ndreq krejt punët veç ti me shku me kqyr loja e me u skijat në Brezovicë”, shkruante një përdorues i rrjetit social me emrin Altin Musliu. 

Por kryeministri merr edhe shumë lëvdata. Për shembull kur nëpërmjet “Facebook-ut”, lajmëroi vendimin për rritje pagash prej 25% për sektorin publik, mbi 200 komente i thurnin lavde atij. 

Thaçit i shkruajnë edhe komente të tilla sikurse, “Bravo, i shkele krejt”. 

Por nuk është se Thaçi komunikon edhe aq shumë me ndjekësit që tashmë janë bërë mbi 140 mijë. Kryeministri nuk përfshihet në komentet e përdoruesve të “Facebook-ut” dhe ai është vetëm një transmetues i një veprimi të tij.


Kryemistri Thaçi është kujdesur të bëjë nga një “selfie” në secilën nga vizitat e tij | Foto: Facebook

Interaktiviteti i njëanshëm i Thaçit

Jeton Mehmeti, njohës i marrëdhënieve me publikun dhe ligjërues i kësaj lënde ne Universitetin e Prishtinës, thotë se kryeministri ka për qëllim që të përfitojë sa më shumë ndjekës online në mënyrë që ata t’i ftojë për ta votuar, kur të vijë koha.

Një tjetër njohës i marrëdhënieve me publikun, Ilir Ibrahimi, inkuadrimin e kryeministrit në rrjete sociale e quan një vendim të vonuar të Thaçit.

Megjithatë ky vendim sipas Ibrahimit, ka bërë bujë pikërisht për shkak të prezencës së madhe të Thaçit në media sociale të transmetuar edhe në portalet e lajmeve.

“Por nuk duhet shikuar vetëm rrjetet sociale por edhe aktivitetet e kryetarit të PDK-së të cilat të bëjnë të besosh se ai ka filluar një parafushatë elektorale e cila në një mënyrë i ka lënë në hije kundërshtarët e tij politikë nga opozita”, tha Ibrahimi.

E i vetmi lider i partive të mëdha në vend që nuk ka Facebook është ai i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. 

Më së shumti ndjekës deri në fund të marsit ka lideri i AKR-së, Begjet Pacolli mbi 140 mijë, ndërsa dy liderë tjerë të subjekteve politike kanë më pak ndjekës. 

Isa Mustafa i LDK-së ka 74 mijë, ndërsa Ramush Haradinaj i AAK-së 22 mijë. 

Të tre kanë një të përbashkët. Nuk përfshihen në komunikim interaktiv me ndjekësit e tyre. Vetëm lansojnë postime.

Për dallim prej tyre, kryeministri nganjëherë jep përgjigje. 

Por ai kritikohet për komunikim të njëanshëm nga Jeton Mehmeti, ekspert i marrëdhënieve me publikun.

“Thaçi po i përdor rrjetet sociale më shumë si kanal të njëanshëm komunikimi, pra më shumë për të folur dhe rrallë për të dëgjuar”, thotë ai.

Sipas tij pyetjet që kryeministri përzgjedh për t’iu përgjigjur në Youtube në platformën “Shkruaji Thaçit” janë tepër të përgjithësuara.

E kryeministri deri më tani u është përgjigjur disa pyetjeve që kanë pasur të bëjnë me investimet, ligjin për veteranë dhe për punësimin. 

Në përgjigjet e tij kryeministri jep shifra që sipas tij tregojnë përparimin e qeverisë së drejtuar nga ai.  

Petrit Selimi thotë se ka një arsye se pse nuk ka përgjigje në të gjitha pyetjet.

“Shumica e pyetjeve janë të njëjta”, thotë ai.

Derisa angazhimi i Thaçit në rrjete sociale shihet si përgatitje për fushatë, Selimi thotë se kjo është bërë për arsye tjera.

Sipas tij kryeministri i ka përcjellë trendet e politikanëve dhe ka zgjeruar portofolin e paraqitjeve mediale edhe në rrjetet sociale, si mjet esencial për të ngritur transparencën. 

Liderët e vendeve të rajonit janë përdorues më të hershëm të rrjeteve sociale.

Kryeministri shqiptar Edi Rama është njëri ndër më aktivët në to, krahasuar me politikanët në Kosovë dhe Shqipëri. 

“Angazhimi im në platforma të rrjeteve sociale më ka ndihmuar shumë që shqiptarët ta dinë qëllimin tim qeverisës”, kishte thënë Rama, në emisionin “Top Show”, menjëherë pasi ishte zgjedhur kryeministër i Shqipërisë më 23 janar të këtij viti.

Por njohësi i marrëdhënieve me publikun, Jeton Mehmeti, ka bindjen se fushata përmes rrjeteve sociale, nuk mund të jetë faktor vendimtar për të përcaktuar fituesin, sepse votuesit kosovar i njohin mirë kandidatët e mundshëm për kryeministër.

“Megjithëse përfshirja e kryeministrit në rrjetet sociale mund të ndikojë në rritjen e popullaritetit të tij, megjithatë një ‘like’ nuk do të thotë një votë”, tha Mehmeti. 


Kryeministri Thaçi ka shfytëzuar rrjetet sociale edhe kur del ne treg për të blerë perime me gruan e tij Lumnije Thaçin | Foto: Facebook