Djali i Simbolit të Sarajevës Vazhdon Punën e Babait

Në ditën e tij të parë të punës si lustrues këpucësh, Ramiz Pashiq nuk u caktoi çmim askujt nga njerëzit që ua pastroi ato. 

Ai nuk do të caktojë çmim për shërbimet që ofron, ashtu siç bënte edhe babai i tij Husein Hasani. Pashiq do të marrë vetëm aq sa klientët kanë dëshirë të japin.

Husein Hasani i njohur për shumicën e njerëzve si “Xha Mishoja”, ishte lustruesi i fundit i këpucëve në Sarajevë për disa dekada, derisa vdiq më 6 janar nga sulmi në zemër, kur kishte mbushur 82 vjet. 

Tash doli se ai nuk është i fundit. Djali i “Xha Mishos” thotë se pasi babai i tij e luti ta vazhdojë punën, vendosi ta bëjë këtë. 

 “Në vitet e fundit ai vazhdimisht më pyeste nëse do ta vazhdoj punën pas tij”, i tha Pashiq Balkan Insight-it.  

“Janë bërë rreth 70 ditë prejse vdiq dhe koha ka ardhur”, shtoi ai.

Pashiq 64 vjeçar vë në kokë të njëjtën kapelë të zezë si “Xha Mishoja” dhe përdor të njëjtat vegla- një koleksion të brushave dhe ngjyrave, një karrige dhe një vendqëndrim të vogël ku njerëzit vendosin këpucët, teksa rrinë në këmbë gjatë lyerjes së tyre. 

Më 13 mars kur Pashiq nisi punën e tij të re, ishte shumë i hapur për të biseduar me njerëz, njësoj siç bënte edhe babai i tij i famshëm.

Ditën e parë kur nisi punën aty ku babai i tij e la, Pashiqit iu duk se njerëzit ishin të lumtur që e shihnin.

 “Njerëzit dukeshin të kënaqur që më shihnin. Ishte një lloj ngushëllimi për ta, pas humbjes së tij”, thotë Pashiq që tash duket i ngjashëm me babanë e tij, sidomos pasi mban të njëjtën kapelë të zezë dhe ka rritur mustaqet. 

 “Tradita e ‘Xha Mishos’ vazhdon me djalin e tij Ramizin”, shkruan në një letër të vogël të futur në kornizë, pranë vendit ku kryen punën e tij Pashiq, në rrugën “Mareshal Tito” të Sarajevës. 

Për dallim nga babai i tij, Ramiz Pashiq nuk ka ndonjë pseudonim. 

“Nuk kam ndonjë pseudonim. Jam vetëm Ramizi”, thotë ai me buzëqeshje. 

Ai gjithashtu përdor mbiemrin boshnjak të mamasë Pashiq, në vend të mbiemrit shqiptar të babait-Hasani. 

“Xha Mishoja” erdhi me familjen e tij nga Kosova si i ri dhe nisi lustrimin e këpucëve kur kishte më shumë se njëzet vjet, duke e trashëguar këtë zeje nga babai. 


“Xha Mishoja”- lustruesi simbol i Sarajevës 

Gjatë dy dekadave të fundit të jetës ai kreu punën e tij në bulevardin më të madh të qytetit, duke lyer këpucë edhe në kohën kur jehona e armëve të serbëve boshnjakë dëgjohej në kohën e rrethimit të qytetit prej tyre gjatë të nëntëdhjetave.

Në funeralin e “Xha Mishos” në janar, gjenerali boshnjak i kohës së luftës Jovan Divjak, kujtoi se Husein Hasani kishte qëndruar në vendin e tij, pavarësisht se çfarë ndodhte.

 “Gjatë luftës ai dilte çdo ditë në vendin e tij të punës. Mesazhi i ‘Xha Mishos’ për njerëzit nëpër kodra [që granatonin qytetin] ishte: unë e dua këtë qytet dhe njerëzit e tij dhe nuk do ta braktis”, tha Divjak. 

Pasi vdiq në janar, kryetari i Sarajevës Ivo Komshiq kujtoi simbolin shumë të dashur për kryeqytetin boshnjak.

 “Xha Mishoja u bë simbol i këtij qyteti”, tha Komshiq. “Ai shpesh thoshte se njeh ministra dhe punëtorë dhe të gjithë ishin mësuar t’i pastronin këpucët te ai dhe të  bisedonin me të”, shtoi Komshiq. 

 “Xha Mishoja u bë një lloj kryetari alternativ i qytetit, pasi që njihte shumë njerëz dhe shumë prej tyre e respektonin”, vijoi Komshiq. 

 “Ishte privilegj ta kishim në qytetin tonë një njeri të mbushur me energji të jashtëzakonshme, gëzim, ngrohtësi dhe njerëzi-një dashurues të madh të qytetit”, tha më tutje Komshiq, pas vdekjes së lustruesit.

Derisa “Xha Mishoja” po plakej, autoritetet e qytetit filluan t’i kushtojnë më shumë rëndësi shërbëtorit besnik të Sarajevës. 

Në vitin 2009 qyteti ia dha një çmim, ndërsa qeveria kantonale “Xha Mishos” dhe familjes së tij ua siguroi një banesë. 

Pas vdekjes së “Xha Mishos”, muajin që shkoi, autoritetet e qytetit paralajmëruan se do të ndërtojnë një pllakë përkujtimore për Husein Hasanin në prill, kur shënohet dita e Sarajevës.

Derisa bisedojmë, një njeri i afrohet Ramiz Pashiqit dhe kërkon t’i pastrohen këpucët. Pashiqi merr brushat dhe shpejt e shpjet lustron këpucët e klientit të tij. 

Ramizi jo vetëm që dëshiron ta ruajë kujtimin e babait të tij, por do që ta kthejë këtë punë në një traditë të rregullt familjare. 

Fatmirësisht, duke pasur një djalë dhe tre nipa ai ka disa mundësi që ta zgjedhë trashëgimtarin e zanatit.

“Si mundet që dikush tjetër ta vazhdojë traditën e babait tim? Shpresoj që djali im, ose djemtë e tij do ta bëjnë atë që bëj unë”, thotë Ramiz Pashiq. 

Ramizi nuk do ta ketë lehtë. “Me rëndësi është të mos e përlyesh fytyrën”, kishte thënë një herë “Xha Mishoja”.

 
Ramiz Pashiq, lustruesi i këpucëve vazhdon traditën e babait-“Xha Mishos” në rrugën “Mareshal Tito” të Sarajevës