Blerim Shala-Nga Roku Revoltues në Koordinator Normalizues

Blerim Shala, koordinatori i ekipit kosovar i dekretuar në këtë post nga presidentja Jahjaga në nëntorin e vitit 2012, udhëton si i vetmi opozitar pjesëmarrës në dialogun e ndërmjetësuar nga Catherrin Ashton.

Dhe si zakonisht është i ngarkuar me atë “peshën e kryqit të fajit” që negociatorëve kosovarë ua atribuojnë, disa nga opozitarët, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Dialogu me Serbinë është i kritikuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe i kundërshtuar nga “Vetëvendosje”. 

Vetë subjekti të cilit i takon Shala, nuk kishte mendim të unifikuar në vitin 2012 rreth dialogut. 

 “..me asnjë çmim (AAK-ja) nuk do të pranojë të jetë pjesë e çfarëdo ekipi për dialogun politik me Serbinë”, thoshte para gazetarëve në gusht të 2012-es Ahmet Isufi, nënkryetari i AAK-së.

Kur dialogu ende nuk kishte nisur Shala thoshte se AAK-ja se do të pranojë përgjegjësitë që i takojnë sa i përket zgjidhjes së problemit të veriut-zotim që shtyu atë të ulet sërish në një tryezë diskutimi me politikanët serbë.

“Nuk është politika një lojë kompjuterike që e instaloni dhe pastaj fitoni sa herë të doni ndaj armiqve apo kundërshtarëve tuaj”, thotë Blerim Shala për Gazetën Jeta në Kosovë,  kur flet për vështirësitë e bisedimeve në janar të vitit 2014. 

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka një përvojë të gjatë me negociata. 

Ishte pjesëmarrësi i Konferencës së Rambujesë në vitin 1999 dhe koordinatori i grupeve punuese të dialogut të Vjenës në vitet 2005-2007. 

Ai doli i pesti me fuqi të votave nga rradhët e kandidatëve për deputetë të përfshirë në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. 

Fitoi 13 mijë e 81 vota kur kandidoi dhe u bë deputet në zgjedhjet nacionale të vitit 2010. 

Por, opozitari i vetëm në negociata me Serbinë kritikohet për moskryerje të punës së tij. 

“Roli i Shalës nuk eshte shfrytezuar sa duhet dhe ai nuk ka arritur te bindte opoziten të mbeshtesë dialogun dhe opozita , me përjashtim të AAK-së, ka arritur të injorojë rolin e tij”, thotë Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombtar i Krizave. 

Kritikuesit më të mëdhenj të tij anëtarët e lëvizjës së zëshme opozitare Vetëvendosje e shohin si njeri të negociatave dhe të gatshëm për të bërë pazare me Serbinë. 

Rastësisht në politikë 

Rruga profesionale e Blerim Shalës mund të ishte krejt tjetër dhe të mos ndeshej me politikën e të zhvillohej brenda ambienteve akademike, sikur të pranohej si asistent në Fakultetin e Filozofisë dhe Sociologjisë, ku diplomoi në vitin 1986. 

“Kam menduar që roli im do të jetë roli i pedagogut, i një profesori i cili do t’i joshë të rinjtë dhe të rejat që të merren me mendim kritik e me filozofi. Por atëherë nuk u gjet vend në fakultet”, tregon Shala. 

Ishte viti 1987, kur ai nisi karrierë gazetarie në revistën  e atëhershme “Zëri i rinisë”, duke ndjekur hapat e babait, një redaktori dhe gazetari të “Rilindjes”, gazetës më jetëgjatë kosovare, me numrin e parë të publikuar në vitin 1945. 

Në këtë kohë Sllobodan Milosheviqi ishte bërë kryetar i Serbisë. 

“Jemi nismëtarët e gazetarisë së re jokonformiste dhe jokomuniste në Kosovë. Pra nisëm një gazetari ndryshe, jo romantike, por profesionale, deri aty ku lejonin rrethanat e luftës politike për çlirimin e Kosovës”, thotë Halil Matoshi, bashkudhëtari gazetar i Blerim Shalës, teksa përmend edhe emra tjerë të gazetarisë së atëhershme. 

Shala në këtë kohë kishte 24 vjet ndërsa nëpërmjet gazetarisë filloi të futet ngadalë në ujërat e turbullt të politikës që në atë kohë ishte detyrë patrotike dhe kryhej kryesisht nga intelektualët e profileve kulturore, letrare e filozofike. 

Kjo ndodhi kur në vitet 1989-1990 Shala ishte në mesin e atyre që krijuan të ashtuquajturën “Alternativën Kosovare”, të përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Parlamenti i Rinisë, Partia Fshatare dhe Partia Demokristiane. 

Ai e fut veten në mesin e disa njerëzve të asaj kohe që thotë se e dinin kah ta orientojnë Kosovën, në kohën e okupimit klasik. 

“Ne atëherë e dinim-ka qenë pa dilemë largpamësia e presidentit Ibrahim Rugova- por kemi qenë një grup mund të them 10-15 vetë që në vitet ’89-’90 e qartësuam se kah duhet të ecë Kosova”, thotë Shala. 

Kosova në korrikun e vitit 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese, ndërsa në shtator të të njëjtit vit miratoi Kushtetutën 140 nenëshe të Kaçanikut. 

Ky shtet i papranuar ndërkombëtarisht mbajti zgjedhje në vitin 1992 dhe 1998, të cilat po ashtu nuk u njohën. 

Roku 

Blerim Shala edhe pse e konsideron politikën themel të shtetit, thotë se perceptimi për këtë zanat, i cili e ka rrëmbyer plotësisht prej vitit 2009 kur shiti gazetën “Zëri”, është tejet negativ. 

“Politika në Kosovë sot është profesioni mbase më i padëshirueshëm, më i atakuar e gati më i përbuzur”, thotë Shala me bindjen se nuk janë të gjithë politikanët të këqij. 

Por ai vazhdon ta dojë muzikën rok, një muzikë proteste e rebelimi ndaj gjendjes së vështirë të shqiptarëve të Kosovës, në periudhën 1989-1997.  

“Roku i ka qëndruar më mirë e më afër asaj rezistence kombëtare në vitet e ’80 dhe ’90, sepse edhe me gjuhën e teksteve edhe me muzikën ka shprehur identitetin tonë: se përse jemi shqiptarë të Kosovës dhe çfarë duam të bëjmë”, thotë Shala. 

Rebelimi dhe pakënaqësia për realitetin që rrethonte shqiptarët atëkohë shprehej në një formë tjetër-përmes muzikës Rock apo shkrimeve që i dedikoheshin kësaj rryme.

Rambujeja 

Por, politika e çoi Blerim Shalën, më larg se ç’do ta kishte dërguar marrja me muzikë, sidomos kur nga 1997-ta filloi lufta e hapur mes forcave serbe dhe guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Gjatë shkurtit të vitit 1999, derisa në Kosovë vazhdonin betejat,  ai gjeti veten brenda mureve të Kështjellës së Rambujesë në Francë, ku kishte udhëtuar si pjesëmarrës i pavarur në kuadër të delegacionit kosovar për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund luftës. 

Marrëveshja që u nënshkrua vetëm nga delegacioni kosovar në mars të ’99-ës, për Shalën ishte vetëm nisje e procesit të pavarësisë së vendit. 

Më pas nënshkrimi kosovar në dokumentin e Rambujesë, të cilin nuk e pranoi shteti serb, shkaktoi bombardimin e Serbisë nga aleanca e NATO-s për 78 ditë, duke përfunduar me tërheqjen e forcave të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë nga Kosova. 

Shala që për mbylljen në kështjellë botoi librin “Vitet e Kosovës”, tregon ta ketë shkruar atë në dimrin e vitit 2000, në kohën e reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike, duke punuar me një laptop në prehër që për fat të mirë, sipas tij e mbante shumë gjatë baterinë. 

Në libër Shala përmend fjalët që ndërmjetësi amerikan Richard Holbrooke, i vdekur në vitin 2010, ia tha atij në gushtin e vitit 1999. “A po e dini se Kosova po bëhet shtet, po çliroheni dhe për herë të parë do të bëheni udhëheqës të vetvetes?”, citon Shala fjalët e Holbrook-ut. 

Vjena 

Në marsin e vitit 2004, kur Kosova qeverisej nga UNMIK-u, misioni i OKB-së që administronte vendin nga viti 1999, shpërthyen trazirat ndëretnike shqiptaro-serbe.

Ngjarjet e rënda ndikuan që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të propozojë negociata mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të vendit. 

Në shtator të vitit 2005, Blerim Shala u emërua nga presidenti Ibrahim Rugova, koordinator i grupeve punuese kosovare në këtë dialog. 

Bisedimet nisën në korrikun e 2006-ës në Vjenë, për ta ngarkuar emisarin finlandez Marti Ahtisaari me detyrën e përcaktimit të statusit të Kosovës. 

Shala thotë se, edhe pse diplomati nga Finlanda në ardhjen e parë në Prishtinë paralajmëroi pavarësinë e mbikëqyrur, u desh të shterohej mundësia e dialogut. 

“Pas një periudhe negociatore shumë të mundimshme… na u dha drita jeshile për të shpallë shtetin”. 

Propozimi i Ahtisaarit iu dorëzua ekipeve negociatore të Prishtinës e Beogradit më 2 shkurt të vitit 2007. 

Më 10 shkurt të të njëjtit vit, në një protestë të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Pakos së Ahtisaarit që parashihte kushtëzim të përkohshëm të pavarësisë, krijim të komunave me shumicë serbe dhe zona të mbrojtura rreth manastireve ortodokse, nga policët rumunë të UNMIK-ut u vranë dy protestues, e 80 të tjerë u plagosën me plumba gome. 

Edhe kjo ngjarje e rëndë shpejtoi pavarësinë, që u shpall një vit më vonë, por dialogu nuk përfundoi, pasi veriu i Kosovës mbeti jashtë kontrollit të institucioneve të shtetit. 

Brukseli 

Më 22 nëntor të vitit 2012, Shala u emërua koordinator i dialogut politik me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh, një dialog që prodhoi marrëveshjen e 19 prillit 2013, ndërsa pritet ta ndërtojë edhe Asociacionin e Komunave Serbe gjatë 2014-ës. 

“Mendoj se është dashur ta themi të vërtetën që prej ditës së parë: veriu është kontrolluar prej Serbisë e jo prej të ashtuquajturave struktura paralele”, shpjegon Shala, teksa thotë se po diskutohet për largimin e Serbisë nga ajo pjesë e vendit. 

Ai shpreh bindjen se Kosova ka dhënë shembull të mirë për të drejtat e pakicave. 

Por, jo të gjithë përkrahin vlerësimin e tij. Lëvizja “Vetëvendosje” vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë për Shalën që nga viti 2012, kur nënkryetari i AAK-së u bë koordinator politik i dialogut. 

“Blerim Shala njihet si njeri i negociatave. Angazhimi i tij kryesor politik kanë qenë negociatat. Por ne i lutemi Blerim Shalës që nëse do që t’u bashkohet pazareve të Qeverisë me Serbinë për veriun, le të shkoje atje i vetëm, por jo për dore me AAK-në”, tha Glauk Konjufca, në gushtin e 2012-ës. 

Zëdhënësi i VV-së Erzen Vraniqi, thotë se ky subjekt vazhdon ta ketë të njëjtin mendim për Blerim Shalën edhe në vitin 2014. Por, tash sipas Vraniqit edhe AAK-ja po e  përkrahë nënkryetarin e saj. 

Por në fillim të janarit të këtij viti, prapë si në vitin 2012, nënkryetari tjetër i AAK-së, Ahmet Isufi tha për portalin “lajmi.net” se Kosova duhet të tërhiqet nga dialogu i Brukselit, pasi procesi ka degraduar dhe takimet vetëm po përsëriten. 

“Ne vazhdojmë të besojmë që jemi në një proces të dobishëm për Kosovën. E nëse Aleanca së bashku-kryetari Haradinaj, unë dhe kolegët e mi, arrijmë në një përfundim që duhet të largohemi nga dialogu do ta bënim publike, do ta artikulonim e sqaronim.”, thotë Shala. 

Shefi i tyre Ramush Haradinaj po ripërserit se fillimisht duhet të zbatohet marrëveshjet që janë arritur deri më tash për të vazhduar tutje me dialog.

Megjithatë, Shala thekson se në procese të tilla nuk ka ndryshime të shpejta. 

“Në këto procese nuk ka një plumb të argjendtë, një të ashtuquajtur “silver bullet”, i cili me një të shtënë kryen punë”. 

Thotë se “nuk ka kurrfarë kërcënimi brenda marrëveshjes për krijimin e njëfarë entiteti të ri, i cili do të ishte i ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnjë e Hercegovinë”, teksa parashikon se “Serbia mund vetëm të shohë ëndërr, sepse nuk ka çare pa e njohur Kosovën para se të hyjë në Bashkimin Evropian”. 

Derisa ta bëjë këtë, sipas Shalës, shteti serb do ta ketë Kosovën “në qafë të sigurt [si gur] të rëndë të mullirit”. 

Shala thotë se preferon të mos shkëputet nga realiteti dhe këtë e bën duke u takuar kur ka kohë me taksistë, shitës, berberë, sepse sipas tij ata reflektojnë atë që e mendon rrethi. 

Njeriu që mori pjesë nëpër të gjitha proceset negociuese të vendit nuk e pranon se është njeri i Ibrahim Rugovës, Ramush Haradinajt a Hashim Thaçit. “Nëse më lejohet të them, jam njeri i Kosovës”, përfundon Blerim Shala.