Snowden-Prishësi i Parajsës Personale Për Njerëzimin

Adami dhe Eva, dy njerëzit e parë sipas Biblës, jetonin shkujdesshëm në kopshtet e Edenit, derisa hëngrën frutat e mollës së ndaluar. Në atë moment, jeta e tyre ndryshoi, pasi fituan njohuri për të mirën dhe të keqen. U përzunë nga parajsa në tokë, ku edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jetojnë pasardhësit njerëzorë të çiftit të parë. 

Një gjë e ngjashme i ndodhi edhe Edward Snowden-it, ish-kontraktuesit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së (NSA) dhe ish-punonjësit të CIA-s, kur vendosi të publikojë gjatë pranverës së vitit 2013 sekretet e përgjimit në shkallë botërore të NSA-së. 

Njeriu që në shtetin më të fuqishëm të botës kërkohet për spiunazh dhe nxjerrje në publik të dokumenteve sekrete, para se të zbulonte të fshehtat e ShBA-ve, jetonte si në parajsë në ishujt Hawai, me të dashurën e tij, duke punuar nga viti 2009 në kompaninë Booz Allen Hamilton, si kontraktues për qeverinë. 

Booz Alen Hamilton, kompania që është ofruesja kryesore e teknologjisë dhe këshillave të teknologjisë për qeverisë amerikane në fushën e mbrojtjes, shërbimeve inteligjente dhe tregjeve civile, e paguante Snowdenin me rrogë gjashtëshifrore, derisa i njëjti njeri mund të shijonte gjatë punës dhe pushimit, pamjet magjepsëse të plazheve më të bukura të botës. 

Por Snowden që në vitin 2003, shkoi në ushtrinë e shtetit të tij, nga ku e lëshuan, pasi theu të dy këmbët në një aksident, duke përfunduar si roje sigurie në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-ve (NSA), për ta marrë më vonë përgjegjësinë e sigurimit të kompjuterëve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), nuk qëlloi të jetë nga njerëzit që kënaqen vetëm me mirëqenie personale. 

Ai donte të bënte diçka edhe për njerëzit tjerë. Të tregonte atë që dinte për përgjimet e paligjshme që i mbaheshin fshehtë publikut. 

Për këtë qëllim, gjeti rrugën që të depërtojë me dokumente te gazeta britanike The Guardian, në pranverën e sivjetme, për t’ia treguar më pas një pjesë të sekreteve edhe gazetës amerikane The Washington Post, edhe pse në gusht, i tha New York Times-it, se ka zgjedhur të publikojë të fshehtat në gazetën e Londrës, për faktin se pas 11 shtatorit 2001, ditës së sulmeve terroriste kundër ShBA-ve, mediat amerikane nuk e vëzhgojnë punën e qeverisë, pasi një gjë të tillë e konsiderojnë jopatriotike. 

Fëmijët e sotëm nuk do të dinë për momente private 

Snowden dha mesazhin e tij të krishtlindjeve përsëri për një medium britanik, nga një vend i panjohur në Moskë të Rusisë, kundërshtarit më të egër të ShBA-ve gjatë viteve të Luftës së Ftohtë (1947-1989), ku fitoi azil të përkohshëm politik më 1 gusht. 

Televizioni britanik Channel 4, çdo vit për këtë festë, publikon mesazhet e figurave publike kryesisht kontroverse që u dalluan me diçka gjatë 365 ditëve. Krahas Snowdenit, edhe papa Françesku dhe mbretëresha Elizabeth II, dhanë porositë e tyre. 

“Një fëmijë i lindur sot do të rritet pa konceptin e privatësisë. Ata nuk do të dinë asnjëherë se çka do të thotë të kesh një momet privat, një mendim të paregjistruar, ose të paanalizuar. Ky është një problem, sepse privatësia na lejon të përcaktojmë se kush jemi dhe kush dëshirojmë të bëhemi”, tha Snowden për Channel 4 në dhjetor. 

Ai shtoi se ne kemi senzorë zbulues të vendosur nëpër xhepat tanë që na ndjekin dhe lokalizojnë kudo që jemi. 

Ish-punonjësi i agjencive amerikane të inteligjencës, që iku drejt Hong Kongut në maj, për t’ia dhënë gazetës The Guardian 58 mijë dokumente top-sekrete të projekteve përgjuese gjatë qershorit, i tha televizionit Channel 4 se shkrimtari anglez George Orwell, i lindur në vitin 1903 dhe i vdekur në moshën 47 vjeçare, në vitin 1950, na paralajmëroi për përgjimet e sotme. 

Orvell në librin  e tij të titulluar “1984”, të shkruar në vitin 1949, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë bëri fjalë pikërisht për përgjimet dhe kontrollimin e mendjes publike, duke përmendur mjetet me të cilat do të arrihen këto qëllime. 

“Llojet e mbledhura në libër – mikrofonat dhe video kamerat, TV-të që na shikojnë, nuk janë asgjë krahasuar me çfarë kemi në dispozicion sot”, tha Snowden në videon afër dyminutëshe, të publikuar në www.channel4.com. 

Sipas Snowdenit, diskutimet për përgjimet që po ndodhin sot, do të përcaktojnë shkallën e besimit të teknologjisë që na rrethon dhe politikave qeveritare që rregullojnë këtë teknologji. 

Ai tha se mund të gjendet një balancim më i mirë për të përfunduar përgjimet masovike, duke përkujtuar qeverinë se nëse me të vërtetë dëshiron të dijë se “si ndihemi ne, mirë është që të pyesë, e jo të spiunojë”.

Sipas dokumentit të parë që rrodhi nga Snowdeni në maj, Gjykata për Përgjim dhe Zbulim të të Huajve (FISC), një gjykatë federale amerikane e themeluar dhe e autorizuar për shikimin e kërkesave të përgjimeve të qytetarëve të huaj të dyshuar për spiunazh brenda ShBA-ve, autorizoi NSA-në që të kryejë përgjime të atyre që përdorim rrjetin e tele-komunikimeve Verizon, në afat prej tre muajsh. 

Verizon është një nga rrjetet më të mëdha të komunikimeve elektronike dhe telefonike në ShBA. 

Në një dokument tjetër të zbuluar nga Snowden-i shihet se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) ka shkelur privatësinë e amerikanëve në 2 mijë e 776 raste, prej prillit të vitit 2011 e deri në majin e 2012-ës, duke përgjuar në mënyrë të paautorizuar.

Pas publikimit të artikujve, agjencia e spiunazhit mbajti një konferencë për shtyp duke thënë se shkeljet “nuk ishin bërë me paramendim” dhe “nuk ishin qëllimkëqija”.

Por Nancy Pelosi, liderja e demokratëve në Kongres, mendon se ky institucion duhet të marrë masa për të siguruar se këto incidente nuk do të përsëriten. “Raportimet e shtypit se NSA-ja shkeli rregullat e privatësisë mijëra herë për vit…janë zakonisht shqetësuese”, tha ajo në muajin gusht.

Edhe dy senatorët më kritikë të programeve të mbikëqyrjes, Ron Wyden dhe Mark Udall, thanë në një deklaratë se administrata nënvlerësoi ndikimin e programeve në privatësi. “Ne besojmë se amerikanët duhet ta dinë se [raportimi i shkeljeve] është vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh”. 

Skandali i përgjimeve bëhet global 

Por dokementet tjera të publikuara në The Guardian tregojnë se përgjimet nuk u kryen vetëm në Amerikë, por edhe në pjesë tjera të globit. Mendohet se NSA-ja mbikëqyri komunikimet e 35 liderëve evropianë, mes tyre edhe kancelares gjermane Angela Merkel. 

Merkel, për të ironizuar faktin se u përgjua nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë së ShBA-ve (NSA), mbërriti në samitin e liderëve të BE-së në Bruksel, të mbajtur më 24 tetor, me një makinë me targat 007. 

007 është kodi i karakterit filmik James Bond, një agjenti britanik që gjatë aksioneve të tij, megjithëse rrezikon tmerrësisht jetën, gjithmonë gjen një rrugë shpëtimi dhe kryerje të veprimeve sekrete me të cilat ngarkohet. 

Por, sipas BBC-së dhe The Guardian-it, kryeministri anglez David Cameron, i ka shpëtuar përgjimit të NSA-së për faktin se ShBA-të, Britania, Australia, Zelanda e Re dhe Kanadaja, pas Luftës së Dytë Botërore nënshkruan marrëveshjen me emrin “Five Stars” (pesë yjet) për shkëmbim të informacioneve të fshehta dhe mos-spiunim. Edhe Franca e Gjermania, po përpiqen ta krijojnë një marrëveshje dypalëshe mos-spiunimi. 

Kur foli për revistën e përjavshme gjermane Stern, në dhjetor, Snowden tha se respekton shumë shtetin më të fuqishëm evropian, ndërsa ofroi ndihmë për autoritetet gjermane rreth përgjimeve të kancelares Merkel nga NSA-ja, në këmbim me dhënien e azilit politik nga Gjermania. 

Snowden porositi Gjermaninë që të mos frikohet nga sanksionet e mundshme të ShBA-ve, nëse shteti gjerman strehon atë, ngase sanksionet e tilla të mundshme do t’i bënin dëm më shumë Amerikës, sesa Gjermanisë. 

Gjermania refuzoi ta marrë në mbrojtje, të kërkuarin nga shteti i tij, njësoj bëri edhe Brazili, të cilit shtet po gjatë dhjetorit Snowden i kërkoi strehim. Megjithatë, si Gjermania, si Brazili, dënuan përgjimet e paautorizuara amerikane. 

Britanikja The Guardian, në qershor publikoi një hartë globale të përgjimeve të shteteve nga NSA-ja. Në këtë hartë vendet më të përgjuara konsideroheshin të paraqiturat me ngjyrë të portokalltë. Këtë ngjyrë në hartë e kishte edhe Kosova. 

Gazeta Jeta në Kosovë gjatë shtatorit kontaktoi me Qeverinë, Presidencën, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, por asnjëra nga këto institucione nuk u deklaruan për përgjimet amerikane. 

Ministria e Punëve të Jashtme tha se qëndrimi zyrtar i saj është që të mos komentojë përgjimet, ndërsa institucioni i Avokatit të Popullit dhe Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, thanë se Kosova është e pambrojtur nga përgjimet. 

Snowden i tha para gjashtë ditësh, gazetarit të Washington Post-it Barton Gellman, në një bashkëbisedim, se pas zbulimit të sekreteve, misionin e konsideron të realizuar. 

“Nuk kam dashur ta ndryshoj shoqërinë, por kam dashur t’i jap shoqërisë një mundësi për ta parë nëse ajo mund ta ndryshojë veten”, i tha Snowden Washington Post-it më 24 dhjetor. 

Rruga e publikimit të sekreteve 

Edhe pse nuk përfundoi asnjëherë studimet për kompjuterë dhe teknologji informative, Snowden përdori njohuritë e tij të kësaj fushe, që komunikimet e tij të para me njerëz që do t’i ndihmojnë për të nxjerrë sekretet, të mos përgjohen. 

Snowden, në rrugë elektronike, në janar i nisi një e-mail anonim, krijueses së dokumentarëve Laura Poitras, duke i kërkuar që ka shumë gjëra për t’i treguar, por nëse ajo dëshiron ta vazhdojnë komunikimin, duhet ta përmirësojë sigurinë e këtij kanali të shkëmbimeve të informacioneve të dyanshme, në bazë të instruksioneve që do të merrte. 

Poitras që kshte punuar dy vjet në një dokumentar për përgjimet sekrete dhe që njihte vetëm programin Prism të NSA-së, i tha New York Times-it në muajin gusht, se pranoi të komunikojë me dërguesin anonim të e-mailit, pa menduar fare. 

Pastaj kur komunikimi mes tyre u intensikua, erdhi një moment, kur Poitras mendoi se jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. 

“Ose jeni duke marrë përsipër rreziqe të mëdha, ose po tentoni të më fusni në kurth mua dhe personat që njoh, ose jeni i çmendur”, tregon për New York Times t’i ketë thënë Poitras Snowden-it, teksa i kërkoi atij, të takoheshin për të vërtetuar pohimet, diku jashtë vendit.

Pastaj bashkë me ish-avokatin dhe kolumnistin e gazetës angleze Guardian, Glenn Greenwald, Poitras takoi Snowdenin në Hong Kong, në fillim të qershorit. Aty, ai u dha mijëra dokumente, ndërsa dy komunuikuesit me e-maila u panë për herë të parë fizikisht. 

Kështu dokumentet e fshehta të ShBA-së gjetën rrugën e daljes në dritë, nëpërmjet gazetës britanike The Guardian. 

Prej atëherë Snowden tridhjetëvjeçar, vazhdon të fshihet. Ai është dëbuar nga parajsa e ishujve Hawai.