Efekti Sylë Tahirsylaj

Shumica e njerëzve e njohin vetëm nga parashikimet e motit, të cilat nuk ka ndodhur rrallë të jenë objekt sarkazmi, por ai është një aktivist i suksesshëm, nga brenda institucioneve të vendit, dhe një njeri që i di mirë sëmundjet e ambientit tonë. “Butterfly effect” mund të jetë dogmë shkencore për ndjeshmërinë e klimës, por roli i Sylë Tahirsylajt është përcaktues në vendin e resurseve të vogla. Ai po tregon zëshëm se çfarë duhet bërë me hapësirën ku marrim frymë. 

Gjashtëdhjetedyvjeçari flet me mburrje për një jetë me sakrifica, por të karakterizuar shpesh me rebelim kundër autoriteteve dhe me rezultate. Teksa fut të dhënat që i merr nga aparatet moderne në modelin kompjuterik ‘McKenzie’ për të llogaritur parashikimet më të reja të motit, ai thotë se Kosova tashmë posedon një kapital serioz në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. 

“Ne bëjmë matje të ujit, ajrit dhe dheut”, thotë Tahirsylaj, i cili ishte vendosur në atëherë Entin Meteorologjik në vitin 1988, pasi kishte mbaruar studimet përkatëse të magjistraturës në Beograd. “Ato mund t’i hyjnë në punë institucioneve për të vlerësuar ndikimin e fabrikave, për planifikime të ndërtimeve të ndryshme rrugësh, urash, hekurudhash”. 

Në vitin 1990, Tahirsylaj së bashku me kolegët tjerë shqiptarë ishin larguar nga puna në Entin Meteorologjik ndërkohë për të punuar në arsim dhe vazhduar studimet në Shqipëri. Kur lufta mbaroi ai e kishte gjetur Institutin, pasionin e tij, krejtësisht në rregull. Por javë më vonë të gjitha shënimet që datonin që nga vjetari i parë i vitit 1925 ishin djegur nga një komandant lufte që i donte barakat për shtëpi. “U deshtë shumë kohë për ta mëkëmbur”, thotë ai. “Tani kemi 30 ekspertë dhe kemi thithur rreth 20 milionë euro fonde të huaja”. 

Për shembull, pesë muaj më parë instituti kishte marrë pajtimin e organizatës EUMESAT për të marrë foto dhe të dhëna tjera satelitore prej saj. Tani parashikimet janë edhe më të sakta dhe ai i sheh ato të rëndësishme për aktivitetet e kosovarëve. Jo vetëm atyre që donë t’ia qëllojnë se çfarë duhet të veshin kur të çelin një ditë të re, por sidomos agronomëve dhe planifikuesve.

Ai qeshet me parashikimet e disa shkencëtarëve skeptikë se bota do të përballet shpejt me ngrohje të fortë, dhe se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përjetojë thatësi të madhe të tokës. “Ngrohja globale është thjesht temë politike”, shprehet ai, me një dozë konservatizmi. “Unë besoj kjo është rezultat i aktivitetit diellor dhe cikleve të natyrshme. Nga studimet e mia mund t’ju them se në tetëdhjetë vitet e fundit, ka pasur 0.4 gradë Celsius ngritje të temperaturës në Kosovë”.

Tahirsylaj cekë se temperatura më e nxehtë ishte regjistruar në vend në vitin 1965 dhe ishte 39.05 gradë Celsius ndërsa më e ftohta në Gjilan, -34.5 gradë Celsius, në vitin 1963.

Por, ka diçka tjetër në lidhje me ambientin që atij ia tërheq vëmendjen shumë më tepër. “Janë katër pika të nxehta”, me gjuhën e tij. 

Së pari, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Kosovarët e blejnë energjinë më së shtrenjti në rajon kurse ajo ka qenë problem ndotje moti, prandaj edhe analizatori i parë nga Franca në ish-Jugosllavi ishte sjellë në Kosovë për të matur cilësinë e ajrit më 1988. Korporata asnjëherë nuk kishte përmbushur kriteret teknike. “Është më së miri të mbyllet në tërësi, unë jam ithtar i këtij opsioni”, shprehet profesori i meteorologjisë.

Energjia do të kompensohej përmes erës, diellit dhe energjisë termale ku vendi ka burime. Sipas tij, vetëm Prishtina ka 5.8 orë mesatarisht diell në ditë që është potencial i mirë për panele solare. “Fundja, më lirë kushton edhe me e ble”.

Sidomos ai e sheh kërcënues një grumbull prej 18 mijë tonësh fenoli afër Obiliqit – pasojë natyrore (nga kalbja) dhe industrializimi përmes gazifikimit, përpara luftës. Fenoli ka kapacitet tretës, depërton thellë në ujë, mund të shkaktojë kancer dhe sterilitet. “Është një bombë atomike”, thotë Tahirsylaj. “Flora dhe fauna do të merrnin fund deri në detin e zi në rast të një aksidenti dhe lumi sitnica nuk ka kapacitet për ta tretur”. 

Elementi i dytë është kontaminimi i ajrit dhe tokës me metale të rënda dhe nitrite në afërsi të KEK’ut, Ferronikelit, Trepçës, fabrikës IBG në Gjilan dhe CEM’it në Kaçanik. “Është problem i madh. Shpesh nëse blihen karota, patate ose lakra në rajonet pranë këtyre vendeve, do të kenë shumë gjasa të jenë të kontaminuara”, thotë ai. “Kërkohet një proces i madh dhe i kushtueshëm i dekontaminimit. Kualiteti i jetës është e drejtë e njeriut”.

Pastaj vjen radioaktiviteti. Mbetjet prej shpërthimeve gjatë luftës, rrufepritësit radioaktivë, mbetjet e izotopeve nga produktet mjekësore, llambat jonizuese kundër zjarrit, radioaktiviteti i metaleve të rënda në tokat afër fabrikave kur ndërveprojnë me energjinë diellore, përdorimi i dikurshëm i jodurit të argjendit radioaktiv për të evituar breshrin, gazin radon që del nga toka sidomos nga mihjet, fakti që nuk ka detektor radioaktiv në dogana etj., të gjitha së bashku, sipas tij, e bëjnë ambientin t’i ketë punët keq me rrezatim. “Dhe prapë nuk ka asnjë depo për mbetje radioaktive dhe institucion për asgjësimin e helmeve”.  

Së fundi, janë mbeturinat që në masën më të madhe nuk riciklohen, hedhën në hapësirë dhe diku edhe rrjedhin ujë të ndotur. Liqenet me ujë të pijshëm kontaminohen me rrugët afër tyre dhe shpesh edhe hedhjet në to. Nga lumenjtë zhavorri hiqet për t’u përdorë në ndërtime. “Të shpresojmë që vendimi i Qeverisë për të ndaluar këtë aktivitet do të respektohet”, thotë Tahirsylaj.  

Sipas tij, duhet të ruhet autoriteti i lumenjve me plus-minus dhjetë metra përreth tyre. Tahirsylaj thotë se duhet pasur parasysh edhe territorin e ndërtimit në afërsi, pasi lumenjtë rrezikojnë të vërshojnë në ciklin e tyre çdo 51 vjet. Kjo përveç devijimit të shtretërve dhe dëmtimit të ekosistemeve të lumenjve. 

Tahirsylaj ka botuar një numër artikujsh shkencorë dhe beson se ka ende shumë për të dhënë nga vetja e tij. Por, pavarësisht problemeve ambientale edhe ai jeton në Prishtinë.  

“Në kushte ideale, do të jetoja në Prevallë”, shprehet ai. “Atje bëhet gërshetimi i tri klimave – mesdhetare, malore dhe asaj që vjen nga deti Egje. Ndotja është zero”.

“Në Prevallë, për këtë, jeton edhe një bimë që nuk gjendet tjetërkund në Ballkan, breu i zi, i njohur edhe si mbreti i bimësisë”.

Ai beson në teorinë se klima përcakton shpesh karakterin e njerëzve. Nëse është kështu, s’do mend ç’karakter brumos tek kosovarët ky ambient.

Tahirsylaj sugjeron një sistem organizimi që përkrahë punësimin për të evituar edhe problemet me ambient dhe për të ruajtur shëndetin. “Në të vërtetë, do të duhej një lëvizje e pamëshirshme ambientale dhe padorëza në Kosovë”, thotë ai.