Kosovari që Luftoi në Drenicën e Sirisë

Gjithçka që kërkohet është një biletë drejt Stambollit për ku kosovarëve nuk u duhen viza. Prej kufirit turk, qindra njerëz pastaj i drejtohen territoreve siriane ku kryengritësit që nga viti 2011 luftojnë për ta rrëzuar qeverinë. Vetëm këtu “pranvera arabe” po shtrihet në më shumë stinë. 

Duke i rënë kësaj rruge, Kosovari S.T. madje kishte mbërritur e kishte luftuar edhe në “Drenicën” siriane. 

Dikur punonte si mësimdhënës i gjuhës angleze në një shkollë fillore në juglindje të Kosovës. Tani, ai mban mjekër më të gjatë – diçka që nuk shihet aq perëndimore sa anglishtja. Në kafene zgjedh makiato. Aty ka të ulur edhe policë të Kosovës. S.T. thotë se të gjithë e dinë se ai ka qenë në luftën e Sirisë, por prapë nuk dëshiron të indetifikohet me emër e mbiemër.  

Tridhjetë vjeçari thotë se i ishte dashur të hynte borxh për të siguruar një biletë deri në Turqi. Ai ka qenë deri më tash dy herë radhazi vullnetar në kryengritjen siriane. 

“Herë e parë kamë qenë në fund të 2012-tës, kam qëndruar dy muaj e një javë dhe jam kthyer për disa arsye familjare në shtëpi dhe kam qëndruar një muaj këtu”, tregon S.T. “Herën e dytë, kur jam kthyer në Siri edhe kam qëndruar 3 javë edhe e kam lënduar pak krahun. Ishte e detyrueshme që të kthehem”.

Ai thotë se kishte bërë përpjekje të mëdha për të shkuar në luftë, por motivin e kishte marrë nga pamjet që shfaqnin krimet e forcave të Bashar Al Assad-it ndaj qytetarëve. “Pata fillu të shoh ëndrra. E dija se një ditë do të shkoj”.

Arsyet e shkuarjes thotë se janë kryesisht fetare dhe aspak materiale. Më saktësisht, thotë ai, luftës iu bashkëngjit për xhihad, luftën e shenjtë sipas fesë islame, jo për çështje materiale. Sipas kësaj “lufte të shenjtë”, kur dikush ka nevojë për ndihmë, myslimani i del në ndihmë materiale, humanitare ose e këtillë si e S.T.-së, me bashkëngjitje në luftë. 

“Ideja ka ardhë nga disa video që i kam parë në internet dhe jam shqetësuar shumë…Edhe janë premtimet kuranore e hadithet e Muhamedit a.s. se një ditë në xhihad është sa 60 vjet në adhurim, ibadet e ramazan”, thotë S.T. “Pastaj ka edhe shumë ajete e hadithe tjera përkëdhelëse dhe premtuese për ata që u dalin në ndihmë myslimanëve”.

S.T. thotë se në xhamitë e Stambollit njerëzit do ta tregojnë rrugën drejt betejës. 

“Xhamia është vendi ku gjen njerëz që të dërgojnë në Siri sepse aty janë refugjatët sirianë”, tregon S.T. “Në Siri po vuajnë sunitë. Siria dhe Rusia janë bashkë prandaj Siria nuk e njeh Kosovën”.

Ai luftoi në Aleppo dhe në Sakhur. Kjo e fundit njihet për luftëtarë të fortë e të guximshëm, sipas tij. “Është sikur tek ne Drenica”. 

Në luftë mbante kallashnikov. “Vija frontale në luftë mes dy grupeve është 30-40 metra. Gjithnjë kam qenë afër vijës frontale edhe herën e parë edhe të dytën”. 

Ai thotë se komunikonte edhe në anglisht edhe në gjuhen arabe. Kishte probleme me muskuj që në Kosovë mirëpo lufta siriane i kishte ndihmuar që të ketë dhimbje më të mëdha dhe ishte detyruar të kthehej.  

S.T. nuk mban mend vetëm luftën në Sakhur. “Kam qenë njëherë te berberi ku i kam prerë flokët të shkurtra”, tregon ai. “Pastaj, kisha nevojë për një parfum. U ndala me emirin (komandantin), por tmerri ishte se e pashë shitësin që i kish duart dhe këmbët e këputura”. 

“Kur të shkoj në Xhihad në të njëjtën kohë bëhesh edhe i prekshëm. Aty e morra vesh që atij i kanë hyrë njësia speciale e Assadit edhe e kanë fillu ta rrahin edhe pas asaj ia kanë prerë duart edhe këmbët…”.

Edhe Vedat Xhymshiti, gazetari kosovar që ka raportuar nga Siria për disa javë, kur kishte pyetur shqiptarët që kishte takuar në Siri, thotë se ata kishin thënë se atje kanë shkuar për Xhihad. “Kryesisht shqiptarët që i kam parë atje, më është konfirmuar nga ata, se arsyeja se pse iu kanë bashkuar luftës është xhihadi, lufta e shenjtë”. 

Xhymshiti thotë se ai ka takuar diku 100-150 shqiptarë në luftën e Sirisë. 

S.T. thotë se vetëm një pyetje e ka detyruar të flasë publikisht. “Pyetja: A paguheni për punën që bëni atje apo keni shkuar në mënyrë vullnetare? Kjo më ka detyruar të dal me folë për popullin tim shqiptar mysliman, sidomos për ata të xhamive, që ndihen rehat me të qenit në fensë islame”.

“Nuk marrim para”, tha ai. “Po ashtu kam lexuar disa artikuj nëpër gazeta që flasin për vende, adresa dhe xhami të cilat organizojnë. Por këto janë vetëm dezinformata dhe gënjeshtra të mëdha. Ai që do të shkojë, vija e frontit është e hapur dhe ti nuk mundesh me ndal askënd. Nuk ka nevojë për organizime”.

Në një konferencë për media të mbajtur me 17 Maj të këtij viti drejtues të Lëvizjes Islame për Bashkim kanë folur edhe për luftën e Sirisë. Ata kërkuan nga qeveria e Kosovës të ndihmojë Sirinë dhe popullin sirian, qoftë edhe me ndihmë simbolike.

“Por ne nuk e dimë numrin saktë e shqiptarëve nga Kosova ose nga mbarë trojet shqiptare të cilët janë atje sepse ne nuk jemi marrë me sponsorimin apo organizimin e tyre sepse ajo bëhet në baza vullnetare. Nuk jemi me marrë me atë se kush do të shkon apo kush nuk do të shkon .Nuk jemi marrë me këtë gjë dhe nuk merremi”, pati thënë Fuad Ramiqi nga LISBA me 17 maj të këtij viti.

Lëvizja Islame – Bashkohu, që është formuar si parti politike në mars të këtij viti, ka protestuar disa herë deri tash ku ka kërkuar të drejta më të mëdha për komunitetin islam kosovar që, sipas saj, është i diskriminuar.

Edhe Abit Hoxha nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë  thotë se në Kosovë nuk ka organizata që bëjnë organizime për të luftuar në Siri. 

Por, sipas tij, shkuarja e këtyre personave në Siri lidhet me dy perspektiva. E para është perspektiva e besimit dhe e dyta statusi social dhe shoqëror që mund të fitojnë këta persona.

Ish-reporteri i Rilindjes nga Lindja e Mesme, Nehat Islami, thotë po ashtu se në Siri ka shqiptarë që janë duke luftuar sepse ata janë qytetarë të sirianë e që kanë shkuar para dhe pas vitit 1912.

“Ata janë sirianë me prejardhje shqiptare”, thotë Islami

Lufta civile në Siri është një konflikt i armatosur në mes forcave besnike të qeverisë siriane e udhëhequr nga partia Bath dhe rebelëve që kërkojnë heqjen e kësaj qeverie. Konflikti kishte filluar më 15 mars në vitin 2011 me protesta popullore te cilat u shpërndanë anembanë Sirisë.

Këto demonstrata ishin pjesë e një lëvizje më të madhe e njohur ndryshe si pranvera arabe. Protestuesit kërkonin dorëheqjen e presidentit Bashar Al Asad, familja e të cilit udhëheqë Sirinë që nga viti 1971. 

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, i bërë publik me 15 maj të këtij viti, numri i të vdekurve nga lufta atje është 80 mijë persona. 10 mijë kanë vdekur vetëm në shkurt të këtij viti.