Rënia e Diktaturës në Sekonda

Gjatë paradites, ai vizitoi studentët të cilët kishin hyrë në grevë urie tashmë dy javë. 

Ishte 20 shkurt, 1991. Studentët kërkonin që emri i diktatorit të largohej nga tempulli i dijes. 

Kishte vdekur disa vite më herët, por populli nuk dëshironte që as emri e as busti prej 7 metrash i Enver Hoxhës të zinte vend në qendër të kryeqytetit.

Armando Babani mori një sinjal se po bëhej nami në qendër të qytetit. E mbante gjithmonë një motoçikletë dhe u nis për në qendër të Tiranës duke mos ditur se do të bënte histori. Së paku për profesionin e tij. 

Ai thotë se në atë kohë kishte një aparat Shanghai mirëpo nuk kishte film në të dhe gjatë rrugës mendonte se ku do të ndalej për të marrë një. 

Së pari u ndal tek laboratori i filmit të Ministrisë së Mbrojtjes që nuk i dha film por sharje se po merrej “me ata plehra”. 

Më shumë fat pati kur shkoi tek laboratori i Komunales, tek posta e Tiranës, aty ku laheshin filmat, dhe njëri nga punëtorët i dha një film.

Armando Babani

Babani arrin që të ngjitet në një tarracë të një ndërtese prapa Bankës së Shqipërisë, me ndihmën e disa burrave që ishin aty lart, ndërsa dëgjoheshin të shtënat me armë nga policia. 

Turma theu kordonin e policisë dhe iu vërsul bustit të bronztë të diktatorit. 

Babani filloi të shkrepte me fotoaparatin që i jepte shenjën se po i binte bateria dhe ndërkohë që të shtënat vazhdonin. 

“Fika aparatin dhe prisja”, kujton Babani. “Në momentin që filloi të binte busti, e kam ndezur dhe kam bërë jo më shumë se 6 shkrepje”. 

“Ishin në pyetje sekondat. Dhe me këtë, e sidomos me dy shkrepjet që i dalloj, kam bërë historinë e profesionit tim”.

Në atë kohë, Babani përveç që punonte si fotograf në Institutin e Bujqësisë, filloi të punonte edhe për gazetën opozitare “Republika”. 

Por “Republika” doli të nesërmen dhe fotografia e Babanit nuk u shfaq në ballinë. 

“Ishte vendimi i kryetarit të Partisë Republikane i cili në atë kohë, ndoshta mendoi të mbante një ekuilibër, ndoshta për të mos acaruar situatën më tej me ato fotografi”, thotë Babani.

Ndërkohë njerëz të sigurimit nga Instituti i Bujqësisë e ndalën për t’ia kërkuar negativët por ai arrin tu shpëtoj duke iu thënë se ato gjendeshin tek gazeta Republika. 

“Kështu e shpëtova historinë time”. 

Fotografitë e Armando Babanit panë dritën në shtyp vetëm pas disa muajsh, kur takohet me një gazetar italian i cili ia kërkoi fotografitë. Babani u pagua për këtë transaksion. 

Në periudhën e fundit të regjimit, shpjegon ai, Enver Hoxhën mund ta fotografonin vetëm fotografët nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, ATSH. 

Askush tjetër nuk guxonte t’i afrohej.

Shqipëria kishte hequr shumë, por Babanit shpresat filluan t’i vinën ndërsa e lante filmin. 

“Isha i lumtur sepse me të vërtet rinia ime iku me vuajtje, me plotë kuptimin e fjalës me vuajtje, dhe jo vetëm për veten time por praktikisht për gjithë brezin tim”, kujton Babani. “Dhe të gjithë e dinim se diçka po ndryshonte dhe e dinim se më keq s’ka më ku të shkojë”. 

Mirëpo, ajo fotografi e njohur u keqpërdor e u shpërnda shumë duke mos ia respektuar autorësinë. Dhe shumë fotografi të tij vazhdojnë të kenë fatin e njëjtë. Shembulli i fundit është një libër historie që doli në shitje dhe shfrytëzonte fotot e tij. “Pa përmendur emrin tim, pa marrë leje nga unë. Njerëzit që flasin për të drejtat e autorit shkelin rregullin me të dyja këmbët”, thotë Babani. 

Tani, pas 21 vitesh të kalimit të Shqipërisë nga komunizmi në demokraci, Babani vazhdon punën e tij si fotoreporter me përvojë në European Photopress Agency (EPA) dhe shpesh shihet në stadiumet e futbollit. 

“Nuk do të më pëlqente të fotografoja më rrëzime, përveç nëse janë rrëzime diktatoriale do të thosha, dhe këtu nuk dua te them nëse janë shqiptare apo të huaja”.