Një Rebelim i Vendosur Kundër Anonimitetit

Regjisorja kosovare, Blerta Zeqiri, e cila u bë e njohur për çmimin që mori në Sundance Festival me filmin “Kthimi”, në janar të këtij viti, ia kishte mësyrë jetës artistike që në adoleshencë, me muzikë.

Motivim për këtë nuk ishte edhe aq dhuntia për këndim, sa dëshira për të dalë nga anonimiteti në Kosovë e për të thënë mendimet e saj. “Kam pas shumë qejf me kanë këngëtare, por s’kam ditë me këndu…”, thotë Blerta.

Dhe ky udhëtim i saj për të dalë nga anonimiteti, i ngjan një filmi me heroinën që heq shumë, por arrin atë që synon, ndërsa vepra e tij është mesazh dhe shembull për të gjithë njerëzit e tjerë.

Në të nëntëdhjetat, bashkë me shoqet e saj, ajo kishte formuar grupin “Bam”, që është ndër grupet e para Rap të femrave në Kosovë. Kishin incizuar disa këngë, e kishin fituar çmimet e para. Shfrynin mllefin për problemet e shumta të rinisë në Kosovë.

Paraja ishte një nga këto probleme. Kënga “Aman, Aman, Gjermani” mund t’i kujtohet shumëkujt që i ka parë kasetat e Vitit të Ri të ‘97tës.

Por, ndërsa ajo po e shijonte suksesin e grupit të saj në një turne në Gjermani, pikërisht aty vendosi që të linte muzikën. Artistët i bën kjo ndjeshmëri. “Një prej performimeve që ka qenë vendimtare për me vendosë që s’po du me u marrë më me muzikë ka qenë një vend që ka qenë si striptiz bar, kishte vetëm burra të moshuar…”, thotë ajo. “Unë isha atëherë e re dhe s’kom ditë as me u tut. Thashë: nuk du me dalë këtu”.

Nuk i kishte ndodhur asgjë atë natë, por mbrëmjen e kishte mbajtur në mend. Ajo i ka shërbyer në punën e saj në filmin “OK”. Mos u thuaj gjërave “në rregull është / OK”, ndrysho nëse këtë e mendon. 

Tani, shumë vjet më vonë, në portofolin e saj ka mbi 90 festivale ku ka marrë pjesë me filma dhe dhjetëra çmime ndërkombëtare për filmin e saj “Kthimi”. Filmi është pasioni i saj.

Por, sukseset nuk janë siç shkruhen në CV. Thjesht, kalim nga paragrafi në paragraf.

Ato janë të mbushura shpesh me vuajtje. Për të arritur këtë sukses, Blerta ka kaluar nëpër periudha të vështira si studente në Paris, “në krejt atë botë aq të madhe”.

“Kam qenë e varfër, kam qenë studente pa bursë. I kam pasur disa të ardhura të vogla prej shtetit të Francës, si refugjate në atë kohë, të cilat i kam shti me një kredi për me pagu një shkollë me msu gjuhën në një afat më rekord, kështu që dy vitet e para të jetës time në Francë kanë qenë shumë të vështira”, rrëfen Blerta.

“Në Paris është keq me qenë i varfër se s’ke ku me shku. S’ke nanë, s’ke babë, s’ke ku me lypë. Je vet”, thotë ajo. “Në një rast, në shtëpi e kam pasur një konservë të bizeleve dhe atë konservë e kam ditë kur e ha, e s’e kam ditë çka kam me hëngër të nesërmen”, tregon ajo.

Ajo, megjithatë, është mirënjohëse për atë që i ka dhënë Franca gjatë kohës së studimeve. “Dallimi në mes të fakultetit që e kam bërë këtu dhe shkollës që e kam kry në Francë, është se atje kam studiu, ndërsa këtu kemi provu me mësu ma shumë, me riprodhu informata”.

Atë dije dhe përvojë tani Blerta Zeqiri e ndan me studentët dhe artistët duke punuar në shkollën “Evolucion” dhe në filmat e saj. Ata i quan filma minimalistë, kryesisht të karaktereve, që i realizon, sipas saj, “”vullneti i gjithë ekipit”.

Aktorët ia njohin punën. “Blertën nuk mundet me e refuzu asnjë aktor. Është regjisore e mrekullueshme, din çka don prej vetes edhe është lehtë me punu me të”, thotë Adriana Matoshi, aktore në filmat e Blertës, e cila çmon stilin e punës së saj.

 “Në filmin ‘Kthimi’ kemi punu si improvizim. Skenarin nuk e kam pa, nuk na ka lanë, vetëm e kemi ditë bazën”, thotë Matoshi. “Ka qëndruar me një fletë mbrapa neve, na ka dhënë informata. Është më vështirë se nuk e din çka pret nga partneri, çka ka me thanë ai, qysh ka me na çu skena, kah kemi me dalë, por Blerta na ka qëndru gati me një letër e me një laps,” thotë Matoshi e cila ka luajtur personazhin kryesor në filmin “Kthimi”.

Për të mbajtur nën kontroll situatën dhe qetësinë në grup ajo fsheh stresin e saj dhe zgjedh të punojë me ekipe të vogla. Regjisorja ka energji pozitive dhe është shumë e qetë, pavarësisht se zgjedh tema të rënda në filmat e saj, si luftën, prostitucionin e të drejtat e grave.

Është nënë e dy fëmijëve dhe thotë se filmi kërkon punë intensive.

Mirëpo për njerëzit e këtij profesioni shpesh jeta e filmi janë gati një.

Gjatë studimeve në Paris, Blerta kishte punuar si përkthyese për polici e gjykata. Pikërisht ajo përvojë, sado ngarkuese gjatë studimit, u bë temë e filmave të saj.

“Më ka ra me përkthy një herë nja 3 ditë intensive për një rrjet të trafikimit që i kanë nxanë dhe aty më ka rënë me pas kontakt direkt me femra të trafikuara dhe trafikantë. Një përzierje e krejt qatyne përvojave të mia janë tek filmi ‘OK’”, thotë ajo.

Nga ky film, po ashtu shihet një preokupim i Blertës me pozitën e femrës në Kosovë. “Pozita e gruas në shoqëri, është temë që më preokupon. ‘Darka’ është një film që e trajton këtë temë. Aty flitet për çiftet dhe relacionin ndërmjet një çifti dhe mes çifteve mes vete në Kosovë”.

“Sa ka të drejta femra me një relacion, sa është e rëndësishme paraqitja, sa shumë tutet femra te na me i zbulu gjanat e palame në familje…e qajo frikë e bën me qenë rob i imazhit të vet edhe me pranu gjithfarë lloj relacionesh apo lidhjesh veç për me qenë me dikë edhe me thanë që është puna mirë, sepse është vështirë me qenë femër dhe me qenë vet në Kosovë,” shprehet Blerta. 

Ndërsa të qenit femër atë nuk e ka ndalur të vazhdojë rrugën e suksesit, përkundër mosbesimit të shoqërisë kosovare. Ajo përkrah e ka gjithmonë burrin, të cilin është edhe bashkëpunëtor.

“Frustrim i madh ka qenë për mua se nuk i janë besuar punët, edhe i kam thënë që duhet me dalë gjithsesi në media që njerëzit me i bind që me të dhanë punë sepse besoja në të”, thotë Kreshnik Berisha-Keka.

E faktin që Blerta është bërë e famshme dhe e respektuar në Kosovë vetëm pas fitores në Sundance, Keka e shpjegon me mungesën e kritikës së pavarur në Kosovë.

“Ke problem, duhesh me shku jashtë me fitu në një festival dhe mandej kur të kthehesh të vlerësojnë, sepse filmin e njëjtë mundesh me ua lëshu në Kosovë dhe kalon pa u vërejt fare, apo s’u pëlqen”, thotë ai.

“Madje për shkak të pamundësisë së shprehjes së femrës në Kosovë e shoh si mision me ua vërtetu që e kanë gabim…” thotë Keka.

“Një grua në Kosovë e ka të vështirë të ketë sukses kur e ka një burrë që nuk e përkrah. Por, e ka shumë të lehtë mos me zgjedhë një burrë që nuk e përkrah, ma mirë është me qenë vet sesa me dikë që e shtyp”,  thotë ndërkaq Blerta, aktualisht e fokusuar në një film të metrazhit të gjatë.