Fytyra e Veriut

Disa e quajnë “konflikt i ngrirë”. Të tjerë e vlerësojnë përherë të “tensionuar nën sipërfaqe”. Biseda politike për Veriun janë paralajmëruar për këtë vjeshtë ndërmjet Kosovës e Serbisë. Barrikadat atje mbeten kërcënim i përditshëm. Por, një grua është e qetë në veri të Mitrovicës ku jeton me burrin dhe dy fëmijët e saj.

37 vjeçarja Adrijana Hoxhiq, e cila që nga muaji qershor është shefe e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriore të hapur nga qeveria e Kosovës, madje beson se perspektiva për këtë rajon – ku Kosova dëshiron ta shtrijë autoritetin e Serbia të zgjerojë territorin e saj – nuk është e errët si perceptohet.

Është lindur e rritur në këtë qytet dhe i njeh edhe shqiptarët edhe serbët. I ka mbetur edhe pak punë që të magjistrojë në fizioterapi ndërsa ka punuar me vite në organizata joqeveritare si Premiere Urgence Aide Humanitaire Internationale. Përpara se të aplikonte për detyrën që mban sot, kishte punuar edhe në ekipin përgatitor për themelimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore – e paraparë me pakon e ish-ndërmjetësit Martti Ahtisaari për statusin final të Kosovës.

“Unë kam filluar të punojë dhe të marrë një pagë si të gjithë për të mbajtur familjen”, thotë Hoxhiq për Gazetën Jeta në Kosovë. “Pastaj kuptova që kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një shans i mirë që të bëhet një hap për një të ardhme më të mirë para së gjithash për fëmijët e mi, të kolegëve të mi e edhe për fëmijët e pjesës veriore të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët e kësaj pjese, sepse këta janë njerëzit më të cilët jam rritur”.

Kur kjo zyrë u themelua në maj të këtij viti, kreu i qeverisë Hashim Thaçi pati thënë se ajo është në përputhje me shërbimet 4 milionëshe në vit që ekzekutivi ofron për veriun përfshirë “pagat, faturat e mirëmbajtjes së shkollave, zjarrfikësit, shërbimet e mirëqenies sociale, mirëmbajtjen e parqeve, ndriçimin dhe pastrimin e rrugëve”.

Adrijana Hoxhiq e kishte marrë këtë pozitë për të cilën kishin aplikuar shtatë persona. Kërkesat për ndihmë, shërbime e dokumente në këtë zyrë janë të shumta edhe nga komuniteti serb. Por, thotë Hoxhiq, prapë sfida kryesore tash është krijimi i besimit të qytetarëve të kësaj hapësire tek institucionet në kërkim të ofrimit të atyre shërbimeve.

“Me vetë faktin që nuk i takoj as komunitetit serb e as atij shqiptar dhe nuk jam në mes të atij konflikti, ndoshta e kam pas më lehtë gjithmonë që t’i kuptoj dy komunitet dhe t’i përgjigjem në mënyrë të paanshme çdo shërbimi që kërkohet”, thotë ajo. “Mirëpo kemi nevojë për ndihmë nga intelektualë e akademikë të Mitrovicës veriore. Vetëm atëherë (me besim) ky qytet do të ketë kuptim”.

Hapja e kësaj zyre ishte vlerësuar hap i mirë ndonëse kishte nxitur incidente pasi banorët serbë e shohin si shtrirje të autoritetit kosovar në veri. Deri më tash, tre punëtorëve serbë të kësaj zyre u janë sulmuar veturat para shtëpive të veta. Megjithatë, Adrijana dhe stafi tjetër i zyrës, që shumica janë serbë, besojnë në një të ardhme më të mirë për këtë pjesë të qytetit.

“Jeta është e shkurtë dhe është çmenduri ta kalosh atë me gjëra të këqija. Ka njerëz profesionistë dhe jo profesionistë, mirëpo duhesh me u mundu me e lehtësu jetën për të jetuar”, thotë ajo.

Hoxhiq beson se është një mundësi dhe kërkon që ajo të mos lejohet të ikë. Duhet të vendosen themele, shton ajo, ku në qendër janë qytetarët të cilët duhet të pyeten se ku duhet punuar.

“Ata të vendosin a duhet të ndërtohen shkolla, çerdhe, ambulanca, apo të ketë më shumë transparencë. Me tërë këtë prani ndërkombëtare dhe me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, besoj se ka shans që veriu të jetë shembull i një zhvillimi ekonomik”, thotë ajo. “Të gjitha problemet do të tejkalojnë nëse kjo u lihet në dorën e tyre qytetarëve të Mitrovicës veriore”.

Hoxhiq edhe vetë e pranon se posti i saj ka dalë të jetë më i komplikuar se sa që ka menduar. Por asgjë nuk bëhet pa provuar. E ndoshta këto orvatje, të njerëzve sikur ajo, që përpiqen të ofrojnë shërbime e tua lehtësojnë jetën bashkëvendësve – mund të lëvizin gjërat përpara drejt një fytyre ndryshe të veriut. Të besimit.