Seminari i Gjuhës Shqipe Kërkon Njohje

Në hapje të këtij seminari të përvitshëm, drejtori i tij Rrahman Paçarizi ka kërkuar nga institucionet e vendit që t’i njohin dhe pranojnë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në kuadër të Seminarit.

“Në botë nuk ka një institucion më serioz që merret me shkencat albanologjike dhe nuk ka një revistë më përfaqësuese se kjo e Seminarit, ku botohen të arriturat në këto fusha”, tha Paçarizi duke arsyetuar kërkesën e tij.

Dhjetëra shkencëtarë të albanologjisë, për çdo vit mblidhen gjatë muajit gusht në Prishtinë për t’i prezantuar studimet e tyre në këtë fushë.

Sipas Paçarizit, një numër impresiv studentësh e studiuesish të rinj i bashkohen seminarit për çdo vit.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij ka përmendur rëndësinë e organizimit të këtij Seminari.

“Ky Seminar është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, misionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe gjithë atyre që po japin kontributin e tyre në mësimdhënie”, tha Mustafa.

Sipas dekanit të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinë, Sedat Kuçi, seminari ka për mision edhe afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare në botë dhe njohjen reciproke me rezultatet e studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fusha të ndryshme të albanologjisë.

Në këtë ceremoni foli edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili theksoi rëndësinë e gjuhës në qëndresën e Kosovës karshi okupimit shumëvjeçar.

“Gjuha mbijetoi në një vend të okupuar mizorisht për dekada. Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe. Dyzet vjet, katër dekada gjuha jo vetëm që ka mbijetuar por është zhvilluar me një ritëm shumë të shpejtë”, tha Minxhozi.

Seminari është themeluar në vitin 1974 ndërsa këtë vit do të zgjasë deri më 28 gusht. Gjatë këtyre ditëve, të pjesëmarrësit e huaj do të kenë mundësi që të marrin pjesë edhe në kurse të gjuhës shqipe.