“Remusica”- Më Pak Buxhet dhe Koncerte

Në natën përbmyllëse të këtij edicioni luajti në violinë Jonian Ilias Kadesha me prejardhje shqiptare, i lindur dhe i shkolluar në Greqi. Ai u përcoll nga Filarmonia e Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit japonez Le Fi Fi.

Kadesha tregoi se “Remusica” përmendet edhe jashtë kufijve të viseve shqiptare.

 “Një koleg i imi pianist, i cili ka luajtur këtu më tha për këtë festival dhe unë u befasova se nuk prisja që ai pianist që është me shumë famë në Gjermani, të ketë ardhur këtu dhe t’i ketë pëlqyer aq shumë,” tha Kadesha për Gazetën Jeta Në Kosovë.

Edhe dirigjenti Le Fi Fi, i cili ka një bashkëpunim disavjeçar me Filarmoninë e Kosovës, u nda i kënaqur me nivelin dhe përgatitjen e kësaj filarmonie dhe artistëve që u prezantuan. 

Por të dy, Kadesha dhe Le Fi Fi shtruan nevojën për ndërtimin e një salleje të koncerteve, pasi edhe sivjet veprat muzikore u ekzekutuan në Katedralen “Nënë Tereza” dhe Kishën Katolike “Shën Ndou”.

Në natën e gjashtë Kori dhe Filharmonia e Kosovës interpretuan së bashku nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi.

Nata e pestë iu kushtua një zhanri relativisht të ri muzikor.

“Nata e pestë ishte nata e muzikës akusmatike belge. Muzika akusmatike është një zhanër mjaft i ri për publikun tonë, ani pse ekziston që nga vitet ‘50 kur ka ekzistuar muzika konkrete, muzika elektronike,” tha Donika Rudi, drejtoresha e këtij festivali, e cila performoi këtë natë. 

Nata e katërt ishte e tëra e artistëve shqiptarë. Në fillim të saj Rudina Ciko luajti në piano, ndërsa Kristian Gusho në violinë. Pastaj vendin e duos në skenë e zuri trioja-Artemida Qarri-Haxhiaj-piano, Elton Balla-fizarmonikë dhe Adorel Haxhiaj-violinçel. 

Të fundit e “Natës shqiptare” në festivalin e “Remusic”-as, ishin kuarteti “Saxophon” nga Kosova.

Nata e tretë bëri bashkë në skenë violonçelistin nga Italia, Roberto Trainini dhe pianisten nga Shqipëria, Merita Rexha-Tërshana, të cilët luajtën pjesë nga Beethoveni, Paganini, T.Harapi dhe Shostakovich.

Për Traininin ishte hera e dytë që performonte në Prishtinë.

“Ky festival është mjaft mirë i organizuar. E gjeta Prishtinën më të përmirësuar këtë vit, sesa para tre vjetësh. Por është koha tashmë që në këtë vend të ndërtohet një sallë e duhur koncertesh,” tha Trainini.

Tërshana dhe Trainini u paraqitën mjaft mirë, edhe pse bënë vetëm dy ditë prova.

“Ishim një duo që funksiononte. Plus që më pëlqen shumë që të performoj në Kosovë,” tha Tërshana.

Në natën e parë dhe të dytë, u paraqitën kore nga Japonia dhe Amerika. Përpos veprave të gjuhëve përkatëse që u performuan, në të dy netët u këndua edhe shqip.

“Në të dy mbrëmjet pati vepra shqiptare, ku gjuha shqipe ishte mjaft e vështirë për interpretim, mirëpo ato këngë u pritën mjaft mirë. Është e rëndësishmë që në program kishte edhe vepra të Ballkanit, pasi ‘Remusica’ gjithmonë insiston që në programet e ansambleve, instrumentistëve që vijnë, të ketë edhe vepra të autorëve tanë,” tha Diana Toska, përgjegjëse për media e këtij festivali.

“Remusica” sivjet anuloi një numër të disa koncerteve që do të mbaheshin në kuadër të festivalit, për arsye të mosmbështetjes financiare.

“Vitin e ardhshëm shpresojmë sinqerisht që do të këmi përkrahje institucionale. Ne veç kemi nisur programin për vitin 2016. Disa prej koncerteve janë fiksuar dhe do të shikojmë mënyrat më të mira që t’i realizojmë të gjitha koncertet, pa pasur nevojë t’i anulojmë ato,” shtoi drejtoresha e festivalit, Donika Rudi. 

“Remusica” vitin e kaluar zgjati dhjetë net, ndërsa gjatë tyre u mbajtën 13 koncerte. Sivjet programi u reduktua në vetëm shtatë net.