Kujtimet për Luftën dhe Dashurinë në një Sallon Bukurie

Sikur titulli “Lufta në Kohën e Dashurisë”, i krijuar si lojë fjalësh nga romani “Dashuria në Kohën e Kolerës” i Gabriel Garcia Marques, edhe ngjarjet që zhvilloheshin ishin një lojë rrëfimesh e përjetimesh të treguara  e të luajtura nga katër aktore femra e një aktor mashkull.

Ngjarja fillon e zhvillohet në një sallon bukurie ku aktorët rrëfejnë intimitetet, pasionet, marrëzitë, sekretet dhe dëshirat e tyre, komike e tragjike, duke shpalosur stereotipe e klishe sentimentale për dashurinë, luftën, hakmarrjen, frikën e të shkuarën e trishtë. Në fund ë gjitha është veçse paramendimi i një gruaje të shtruar në një insitucion psikiatrik.

Pjesë e shfaqjes ishin Aurita Agushi, Shengyl Ismajli, Shkëlzen Veseli, Albulena Kryeziu dhe Molikë Maxhuni.

Regjisorja Blerta Neziraj, për të cilën ky është projekti i katërt që e punon në bashkëpunim me Qendrën “Multimedia”, tha se publiku ka nevojë për shfaqje që trajtojnë  më ndryshe temat e tilla.

“Publiku nuk ka nevojë për ambiente ku vetëm moralizohet me të kaluarën, kështu që mendoj që ka edhe mënyra tjera me bisedu, me folë e me u shprehë për traumat që i kemi përjetu. Publiku është mërzitur  me shfaqje ku vetëm teksti u del përpara, ku u flasin për luftën e gjëra traumatizuese. Ata kanë nevojë për diçka që u ofrohet edhe syve të tyre, e jo vetëm veshëve”, tha Neziraj.

Për aktorët një përzierje e tillë e zhanreve dhe llojeve të performancave të dyzuara në një shfaqje, kërkoi një përkushtim dhe kohë përgaditore prej tre muajve.

Aktorja Albulena Kryeziu tregoi se përgaditja ka qenë një punë me mundime, pasi tregoi se kishte pësuar edhe lëndime gjatë procesit të punës. Roli i saj prekte pjesën më sentimentale të dashurisë- ndarjet dhe rikthimet.

“Mendoj se kjo shfaqje është shumë njerëzore. Secili njeri që do të vijë ta shohë, edhe nëse do t’i dhemb pak ose do ta kënaqet, do të jetë një shpëlarje shpirtërore,” tha aktorja Kryeziu.

Aktorja Shengyl Ismajli, e cila u dallua për nxitjen e të qeshurave në public, tha që loja në shfaqje me disa tema e role të ngërthyera, janë sfidë sepse është nje fije e hollë që ndan nga gabimet e ngatërrimeve.

Ndërsa për Shkelzen Veselin, aktorin e vetëm mashkull në këtë performancë, nuk ishte hera e parë që luante në një shfaqje me frymë të tillë, por kjo është fryma më e mirë e teatrit sipas tij.

“Ky është lloji i teatrit që sot e bëjnë krejt bota, bota e avancuar, teatri i avancuar,” tha Veseli.