Në Kujtim të Gjakut

Ekspozita “Kujtesë gjaku” është punë e artistes e cila rastësisht e filloi në moshën 23 vjeçare kur erdhi në Kosovë, me dëshirën ta mësojë gjuhën shqipe. Atë kohë ajo merrej me pikturën, por fotografinë e kishte pasion.

Pasi qëlloi e pranishme në një ceremoni të faljes së gjaqeve, ajo u prek emocionalisht, duke u motivuar kështu të vazhojë të ndjekë ceremoni të tjera për një vit rresht, për të shkrepur fotografi, nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës.

“Shpresoj se njerëzit vijnë dhe mendojnë diçka, me ndërru pak, me i ndihmu njëri-tjetrit ndoshta. Me qenë më shumë për edukim, humanitet e përmirësim të vetës” tha Meredith Vula, me një shqipe të rrjedhshme tashmë.

Prezentimi i fotografive pas 25 viteve, ndër të tjerash, sipas fotografes është bërë edhe për vetëdijesim të popullit për rastet të cilat akoma mund të jenë “në gjak”.

“Nëse ka aksion pajtimi të gjaqeve sot, unë i kisha lutur ata me falë gjak” tha Meredith Vula për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ekspozita përmban 40 fotografi, kryesisht në zonën rreth Deçanit, Malishevës, Hasit, por edhe viseve tjera. Gjatë atij viti ajo bëri rreth 1 mijë fotografi.

Kuratorja e kësaj ekspozite, Karen Mcquaid, e cila nuk kishte qenë në dijeni për këtë fenomen para fotografive, tha që është një ceremoni e pasur vizuale paraqitja e faljes së gjaqeve përmes këtyre imazheve.

“Privilegji më i madh është të shoh njerëz të pranishëm këtu që janë edhe ne fotografi, apo njerëz që bëjnë me gisht kah të afërmit e tyre. Shpresoj që te gjeneratat e reja, që nuk ishin në dijeni për këtë, të percillet një përmbledhje historike e atyre ceremonive dhe një mënyrë përmes së cilës kuptohen ngjarjet e gjeneratave të kaluara” tha Mcquaid.

Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare, Erzen Shkololli, është e rëndësishme të kujtohet populli në mënyrë të përgjithshme, se ku kemi qenë dhe ku jemi sot.

“Kjo ekspozitë i duhet rinisë, por edhe Kosovës, që të kujtojmë se ne jemi solidarë, jemi njerëz të cilët falim dhe kjo e tregon një unitet të popullit në atë kohë”, thotë ai.

“Kjo nuk është veti që është zhdukur. Por është një veti që duhet të rikujtohet” , shton Shkololli.
Fotografja Lala Meredith Vula,  u lind në vitin 1966 në Sarajevë. Ne vitet e ’70-ta u zhvendos në Angli ku ka studiuar artet e bukura ne “Goldsmith’s College”.

Ekspozita e saj e parë “Freeze” u hap në Londër në vitin 1988. Ajo vazhdon të merret me veprimtari të ndryshme artistike.