Arkiv - Filharmonia e Kosovës - Koncert

Kompozitori Britanik Përkujton të Vdekurit e Luftës në Kosovë

Mesha e Jenkisit “The armed Man” u performua për herë të parë në Prishtinë ditën e dielë ndërsa Orkestra Filharmonike e Kosovës dhe Kori festuan përvjetorin e tyre në kryeqytet.

“Gjatë viteve 1998-1999, dëgjova për ngjarjet këtu dhe çdo ditë në lajme thuhej diçka për luftën, konfliktin, gjenocidin dhe tmerrin që po përjetohej. Ky ishte frymëzimi im në një farë mënyre, sepse tragjedia më preku emocionalisht dhe më shtyu të shkruaj këtë pjesë,” tha për BIRN Jenkins.

Para koncertit, një ndihmës i presidentes Atifete Jahjaga i dha kompozitorit një medalje të meritës së veçantë për punën e tij në emër të popullit të Kosovës.

“Unë mendoj se ishte e nevojshme që ne ta performonim këtë, sepse është shkruar për ne dhe për Kosovën, kështu që është një mrekulli që kemi arritur të kemi institucionet për ta realizuar këtë gjë,” tha Jashari.

Dirigjenti Baki Jashari tha se kompozimi u luajt për herë të parë si një para-premierë në qytetin e Gjakovës, një vend i zgjedhur për shkak se ajo ishte një nga zonat më të prekura nga lufta.

“Pas koncertit, publiku po qante,” tha Jashari.

Karl Jenkins

“The Armed Man”, e cila pasqyron ardhjen e luftës dhe pasojat e saj të tmerrshme, u kompozua në vitin 1999, por ishte pak e njohur në Kosovë deri kohët e fundit.

Ajo është e bazuar në meshën katolike, por teksti i saj përmban gjithashtu poezi nga fe të tjera dhe burime historike, duke përfshirë një lutje myslimane, fragmente nga Bibla dhe poemën indiane Mahabharata, si edhe vargje nga shkrimtarët si Rudyard Kipling dhe Alfred Lord Tennyson.

Jenkins është një ish-muzikant xhaz-rrok me grupin “Soft Machine” dhe ka pasur suksese në të gjithë botën si kompozitor.