Teknikë dhe Material i Ri në Skulpturën Kosovare

Galeria e Ministrisë së Kulturës do të ekspozojë deri më 28 mars punimet e skulptorit të ri, të krijuara nga plastika e ricikluar.

Përmes relievit dhe skulpturës tredimensionale, Jakupi ka krijuar 45 punime të aranzhuara në disa kompozicione. Skulpturat janë punuar kryesisht gjatë një viti e gjysmë, sa Jakupi kryente studimet master  në Fakultetin e Arteve.

Këto punime në ekspozitën “Mbulimet dhe Formësimet Skulpturale” shfaqin tendencën e tij për të eksperimentuar me forma, duke krijuar përshtypjen se gjërat ndodhen nën masë të materialit. Realizime të arritura duke shkrirë kështu materialin mbi portretet e gdhendura më herët në gips,  mjetet e përditshme dhe ato me të cilat krijohet skulptura, si metri, dalta, dryri, lapsi, thika, tavolina, piruni etj.

 “Artistët e rinj të cilët i hyjnë kësaj rruge, duhet të kenë së pari guxim dhe të mos kenë frikë të hulumtojnë materiale tjera,” tha Jakupi, sa i përket depërtimit dhe dallimit më të lehtë të artistëve.

Ai si frymëzim e përmend skulptorin bullgar Christo. Mirëpo punimet e tij dallojnë me të Christos, sepse ai krijonte skulptura të përmasave më të mëdha, kryesisht në ambiente të hapura, duke mbështjellë me pëlhurë ndërtesa gjigante, katedrale, ura, pemë etj.

“Skulpturat e Christos janë art afatshkurtër. Unë kam dashtë me gjet një mënyrë, një material i cili është punim afatgjatë dhe që mundet me e pa secili, jo vetëm si fotografi,” tha Jakupi.

Ismet Jonuzi, kurator i ekspozitës dhe mentor i tij në fakultet, tha qe Burimi i takon periudhës së mileniumit të ri dhe forma e tij e të punuarit me këto mbulesa krijon diçka që nuk e shohim në skulpturën klasike apo tradicionale.

“Burimin e dallon materializimi i skulpturës , që ka një qasje shumë bashkëkohore dhe që tejkalon qasjen tradicionale,” tha ai.

Ndërsa duke krahasuar gjeneratat e vjetra të skulptorëve me gjeneratat e reja, Jonuzi thotë që artistët e rinj kanë më shumë favore, sidomos internetin ku mund ta plasojnë punën e tyre nëpër krejt botën.

“Fatkeqësia te ne, është që shumica e krijuesve të rinj shumë pak e flasin anglishten. Mendoj se kjo është një hendikep, sepse gjuha e komunikimit paralelisht është e rëndësishme, aq sa edhe puna artistike,” shtoi ai.

Sipas tij nëse një artist i ri nuk di të komunikojë dhe ta mbrojë punën e vet, atëherë mbetet brenda kufijve të Kosovës, pa mundësi që të plasohet.

 

Tjetër preokupim është që në shoqërinë shqiptare akoma nuk ka një kulturë artistike për të vizituar galeritë dhe kuptuar artin në përgjithësi, e skulpturën në veçanti në këtë rast.

Sipas profesorit Jonuzi, njerëzit duhet të vijnë të vizitojnë ekspozitat në ditët kur ekspozita qëndron e hapur, jo vetëm në ceremoninë e hapjes.

“Apeloj te opinioni dhe te artistët e rinj që të vijnë pas hapjes dhe të shijojnë veprat artistike, sepse tri-katër ditë pas hapjes, nuk gjen njeri të gjallë nëpër galeri,” tha ai.