Muslim Mulliqi në Retrospektivë pas 22 Vjetësh

Ekspozita e parë e Muslim Mulliqit u hap kur ai ishte veçse 18 vjeç. Talenti dhe arti i tij, ndërlidhen me kulmet e ekspresionizmit në Evropë, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe artin kosovar.

Kur ai u nda nga jeta pa mbushur akoma 64 vjeç, ai kishte më shume se 45 vjet krijimtari intensive duke lënë pas vetes një numër të madh veprash.

Në ekspozitën e parë për vitin 2015 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, u prezantuan veprat jetësore të Mulliqit, ku 34 nga 86 veprat që u prezantuan, kishin qëndruar në Tiranë për më shumë se 22 vjet.

Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare, Erzen Shkololli, njëherësh dhe kurator i kësaj ekspozite, kjo është një mundësi e mirë për publikun e gjerë, e sidomos për të rinjtë që tash janë rreth të njëzetave dhe asnjëherë nuk e kanë pasur rastin t’i shohin veprat e Mulliqit, të cilat përbëjnë një trashëgimi të vlefshme artistike të këtij vendi.

“ Ne qysh vitin e kaluar kemi rënë dakord me familjen Mulliqi  që ta realizojmë këtë ekspozitë për shënimin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, edhe për faktin që veprat kanë mbetë 22 vjet në Tiranë. Nuk ka pasë ndonjë kontest për sjelljen e veprave nga Tirana”, tha Shkololli, i cili ka qenë edhe student i piktorit Mulliqi.

Veprat kanë qëndruar kaq gjatë në Tiranë me vendim të familjes Mulliqi, të cilët nuk pranuan të flasin detajisht rreth arsyeve konkrete.

Në pikturat e Mulliqit, temat ku ai është më i vërtetë dhe më autokton, janë kullat dhe peizazhi kosovar ato që e bëjnë të veçantë dhe të papërsëritshëm.

Por,  një pjesë të rëndësishme në krijimtarinë e tij, zënë edhe portretet. Në veprat e tij hasen portrete të zymtë e të ngujuar, por edhe të çeltë e më të zakonshëm.

Portretet në fakt reflektojnë periudhën në të cilën janë realizuar.

Sipas akademikut Eqrem Basha, piktori Mulliqi afirmoi dhe përhapi vlerat shpirtërore të artit tonë kudo që u paraqit.

U identifikua me të arritura kulmore të këtij arti brenda dhe jashtë kufijve, duke imponuar pashmangshmërisht emrin e tij ndër personalitetet më të merituar në historinë e re të artit dhe të kulturës sonë në përgjithësi.

Ekspozita “Retrospektivë” do të qëndrojë e hapur për publikun një muaj, deri më 16 mars.

Pas mbylljes së ekspozitës, veprat do të arkivohen te familja Mulliqi deri në realizimin e muzeut,  ku priten të jenë të ekspozuara në mënyrë permanente për publikun kosovar.