Garë e Ngushtë në "Skena Up"

Nga gjithsej 43 filma të shfaqur, gara ishte e ngushtë në mes artistëve tanë dhe atyre të huaj. 

Çmimin “Best Fiction” e fitoi filmi meksikan “The Last Veil” (Perdja e Fundit) nga regjisori Luis David Palomino Benitez.

Ky film, si shumica e filmave këtë edicion, trajtoi një temë sociale, në lidhje me jetën e një vajze të sëmurë e cila kërkonte shërim, ku ndodhitë e saj njëkohësisht servonin një realitet të Meksikës, si një vend i pazhvilluar i mbushur me vështirësi konstante.

Regjisorja franceze, Eva Sehet, fitoi çmimin“Best Documentary” (Filmi më i mirë Dokumentar) me filmin e saj “The Railway Girl” (Vajza e Hekurudhës), film ky që paraqiste një karakter të pazakontë të njërës nga dy gratë e vetme, gjatë ngjarjes kur ato udhëtonin me lokomotivë në Afrikën Perëndimore.

Çmimin “Best Animation” e fitoi filmi “Little Cousteau” nga regjisori Jakub Kouril, ndërkaq regjisori Sungbin Byun nga Korea e Jugut fitoi Çmimin “Special Mention” me filmin “Horn” (Briri).

Natasha Lako, pedagoge e skenarit dhe dramaturgjisë pranë Akademisë Marubi dhe Universitetit të Arteve në Tiranë, e cila ishte në jurinë e gjykimit të filmave, tha që filmat që fituan kishin gjuhë të ndryshme, të papritura, tonalitete madje edhe romantike, por gjithçka tregonte një perspektivë të bukur.

“Më ka bërë shumë përshtypje që janë të lidhur të rinjtë me dramat njerëzore dhe një nga temat kryesore të filmave ishte marrëdhënia e të rinjve me paraardhësit e tyre”, tha Lako për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sa u përket shfaqjeve teatrale, këtë edicion u dhanë tetë.

Shfaqja më e mirë e këtij edicioni u shpall “Crave” nga regjisori kosovar Astrit Ismajli, e cila pati një ndërthurje temash që kishin të bëjnë me homoseksualitetin, dhunën, diskriminimin, dhunimin dhe pedofilinë. Edhe çmimi “Best Actor” shkoi për kosovarë, përkatësisht për aktorin Dardan Gashi.

Tre regjisorët spanjollë morën Çmimin “Best Director” me shfaqjen e tyre “Locos Amoenus” me një temë mistike që paraqet mendimet e pak para vdekjes të tre të rinjve, të cilët vdesin në tren që gjatë udhëtimit del nga binarët.

Nga Irani, regjisori Faezeh Rokhifirooz, mori Çmimin “Special Mention” dhe çmimin “Adriana” i ndarë nga Teatri Dodona, me shfaqjen “Remember me” (Më Kujto), e cila u cilësua për shfaqjen më sentimentale të edicionit, që përçonte emocione të ndërlidhura me kujtime, ndjenja e arsye.

Çmimi “Vehap Shita” për kritikë teatrale, i takoi Lirika Demirit me kritikën e saj, pikërisht për shfaqjen “Remember Me”.

Këtë çmim festivali e themeloi sivjet, për të nxitur të rinjtë në kritikë më profesionale ndaj shfaqjeve teatrale dhe do të vazhdojë të jepet edhe në edicionet tjera.