Një Film Merr Tri Statuja të “Hyjneshës”

Tri çmime u dhanë për filmat e metrazhit të shkurtër dhe pesë për filmat e metrazhit të gjatë.

Për të gjykuar filmat e metrazhit të gjatë, gjithsej pesë që u shfaqën këtë festival, juria përbëhej nga Enver Petrovcit, Moni Damevski dhe Alfred Trebicka.

Ata vendosën që filmit çeko-sllovak “In Silence” të regjisorit Zdenek Jirasky, t’i takojne tri çmime të këtij festivali. Ky film mori çmimet “Regjia më e Mirë”, “Skenari më i Mirë” dhe “Filmi më i Mirë i Festivalit”.

Filmi trajtoi si temë jetën e dy vajzave, njëra balerinë adoleshente, tjetra një pianise e arrirë, në kohën e parapushtimit nazist të ish-Çekosllovakisë, kur të dyja u deportuan në një kamp të përqendrimit 40 milje larg nga veriu i Pragës.

Çmimin “Roli Kryesor – Aktorja më e Mirë” e fitoi Njomëza Fetiu me rolin e saj në filmin “Babai im”, ndërsa çmimin “Roli Kryesor – Aktori më i Mirë”, e fitoi Simon Berger, me rolin e tij kryesor në filmin “Call Girl” të regjisorit suedez, Mikael Marcimain.

Anetari i jurisë Enver Petrovci, tha që nuk ka pasur mosmarrëveshje ndërmjet anëtarëve të jurisë për përcaktimin e çmimeve, përpos per çmimin “Aktorja më e Mirë”, sepse këtë edicion të festivalit, sipas tij nuk kishte shume role konkurrente për të.

Anëtarët e jurisë që gjykuan filmat e metrazhit të shkurter ishin Qazmedin Nuredini, Ekrem Xani dhe Naser Gjinovci. Ata vendosën që prej gjashtëmbëdhjetë filmave të këtij metrazhi të shfaqur këtë edicion, çmimin “Filmi më i Mirë” ta fitojë filmi “The Chicken” nën regji të Una Gunjak.

Filmi “The Killers” [Vrasësit] i regjisorit shqiptar Ergys Meta fitoi ‘Çmimin Special”, ndërsa filmi “Pandora” nën regji të Arlinda Morinës, mori çmimin “Kinemaja e së ardhmes”.

Çmimi special i festivalit për  “Vepër Jetësore” sivjet iu nda aktores Marjeta Larja nga Shqipëria, e cila nuk ishte e pranishme për ta marre vetë çmimin, ashtu si nuk qenë të pranishëm shumica e atyre që fituan.

Një nga synimet kryesore të festivalit këtë edicion ishte edhe fuqizimi i grave në biznes dhe integrimi në shoqëri i komuniteteve rome, ashkalinje dhe egjiptase.

Gratë nga këto komunitete gjatë ditëve të festivalit punuan sapunët e tyre në ambientet e hollit të stacionit hekurudhor dhe shitën nga dy euro një sosh.

Ndërkaq gratë e organizatës joqeveritare “Rona” ekspozuan dhe shitën punët e tyre të dorës në këto ambiente, përfshi këtu rroba kombëtare, bizhuteri, plisa dhe thurje të dorës.

Afërdita Zeneli, anëtare e kësaj organizate, tha që janë të kënaqur për hapësirën që ua mundësoi sivjet ky festival, pasi që nevoja për mbështetje dhe ftesa të tilla është e madhe.

“Mjafton qe ky të jetë një promovim, një reklamë që me u dukë se si punojnë gratë, pasi kjo është krejt punë dore, edhe 80 për qind e grave e kanë bukën prej këtyre”, tha Zeneli.

Edicionet e ardhshme të festivalit “Hyjnesha në Fron” do të zhvillohen tash e tutje vetëm në Komunën e Fushë-Kosovës dhe nuk do të shëtisin më nëpër qytete të ndryshme.

Besim Ajeti, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i festivalit, tha që vitin e ardhshëm festivali do të fillojë me 1 qershor në diten e fëmijëve, me ‘Tren Kids Hyjnesha”.

“Ua kemi borxh fëmijëve trenin me ua bë të kandshëm se ne nuk e kemi pasë. Por ata do ta kenë të sigurt që treni është një mjet shume i mirë, ku munden me u pa filma, ku mundet njeriu me jetu pa frikën e transportit drejt humnerave që neve na kanë përcjellë më herët”, tha Ajeti në mbyllje të këtij edicioni.