E Vërteta Sipas Rexhep Qosjes

Krejt ata që duan ta dinë versionin e Rexhep Qosjes për proceset që kanë ndodhur prej vitit 1966 e deri më sot, duhet t’i lexojnë 9 libra. 

Katër prej tyre tashmë janë botuar dhe të mërkurën është bërë promovimi i tyre në Prishtinë. Për pesë të tjerat duhet pritur. 

Në një sallë të hotelit luksoz pronë e biznesmenit që bëri famë në Rusi e u kthye si politikan në Kosovë, akademik Rexhep Qosjes i janë thurur lavde nga një kompani mediale nga Shqipëria, bashkë me botuesin e librave të tij “Toena” dhe kritikë si Begzad Baliu e Jorgo Bulo. 

Në katër vëllimet e para të ditarit të Qosjes janë përfshirë sipas vetë autorit të vërtetat siç i ka parë ai gjatë viteve 1966-1983. Ai në këto vëllime flet për letërsinë, moralin, polemikat me figura të ndryshme si Ismail Kadarenë dhe presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugovën. 

Në të tjera vëllime të ditarit të tij që Qosja do të botojë në të ardhmen, do të shkruajë për të tjera ngjarje që kanë ndodhur pas këtyre viteve. 

Ditari i titulluar “Dëshmitar në kohë historike”, sipas Qosjes është bërë për një arsye. Që brezave të ardhshëm t’ua dhurojë gjykimet e tij, të vërtetat e të drejtat në versionin e Qosjes.

“Ky është qëllimi kryesor që ata të kenë një ide mbi gjykimet e mia për kohën që kam jetuar”, tha Qosja i cili si dhuratë për 78-vjetorin e lindjes ka marrë edhe një portret të tijin të bërë nga piktori Aleksandër Filipi. 

Në atë pikturë, Qosja “pozon” me një flamur të Shqipërisë prapa dhe kjo ka mjaftuar që botuesi i veprave të akademikut kosovar ta cilësojë Qosjen si Ismail Qemailin e kohëve moderne. 

E gazetarja dhe shkrimtarja Rudina Xhunga që e ka bërë një dokumentar mbi jetën e Qosjes, e ka cilësuar atë si rilindës të kohës sonë.  

“Dilema ishte ta titullonim dokumentarin si ‘Rilindësi i fundit’ apo ‘Rilindësi i kohës sonë’. Por vendosëm për të dytën, sepse Qosja ngjan jo vetëm në portret, por edhe në vendosmëri dhe në dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Xhunga. 

E Qosja në fjalimin e tij ka folur edhe për drojën që ka pasur nga rrëmbimi i ditarëve të tij nga forcat serbe gjatë kohës së trazirave dhe luftës. Ka treguar sesi këta ditarë i ka ruajtur tek një komshi. 

Por sipas tij kjo drojë ka qenë e natyrshme. 

“Sepse e kam ditur që të drejtat, të vërtetat e historia e popullit tim janë më të rëndësishme sesa droja, mirëqenia e komoditeti im”, tha Qosja. 

Sipas tij është e rëndësishme që ata që e lexojnë ditarin e tij të kuptojnë të vërtetat siç i ka parë ai. 

“Sepse në ditar thuhen ato që i sheh njeriu që i përjeton dhe si i sheh dhe si i vlerëson ai. Në gjykime kritike, shpesh ndjenjore, të ashpra më tepër seç duhet dhe këto në jetën e mëvonshme atij, më pak a më shumë i hakmerren”, tha Qosja. 

E për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozin, Qosja është një rilindës që çdo kush prej shqiptarëve e ka të vështirë ta ndajë se kujt i takon. 

“I takon shqiptarisë. Vepra e Rexhep Qosjes, është një gur i rëndë që peshon më tepër se çdo metal në historinë e kulturës. Në historinë e historisë së shqiptarëve kudo që janë. I uroj një jetë të gjatë. Po shumë e shumë më të gjatë veprës së tij kolosale”, tha Minxhozi.