Filmi për Dhunimet e Femrave Nominimi i Kosovës për “Oscar”

Kinematografia kosovare ka përzgjedhur të hënën e 22 shkurtit filmin e saj kandidat për çmimin “Oscar” në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj. 

Qendra Kinematografike e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka lajmëruar të hënën se filmi me regji të Isa Qosjes “Tri Dritare dhe Një Varje” i dhënë premierë  në fillim të muajit shtator në kinemanë “ABC” është propozimi kosovar për çmimin “Oscar” ceremonia  e të ciit do të mbahet të me 22 shkurt 2015. 

“Tri Dritare dhe Një Varje” (http://gazetajnk.com/?cid=1,964,8938)  i cili premierë botërore ishte dhënë në Festivalin e Sarajevës më herët gjatë këtij viti, ka qenë njëri nga tre filmat që kanë konkurruar për të qenë propozim i Kosovës për “Oscar” në gjuhën e huaj. 

Bashkë me të, kanë konkurruar edhe filmi i Luan Kryeziut “Heroi” dhe “Gone Back” i Ernest Mehollit i cili sipas QKK-së, ” për shkak të kritereve të vendosura nga Akademia nuk pati mundësinë  të shqyrtohet nga komiteti selektues”.

“Gone Back” i Mehollit është në gjuhën angleze dhe daneze, ndërsa rregullat e Akademisë Amerikane që organizon ndarjen e çmimeve “Oscar” kërkojnë që filmi i propozuar për kategorinë e filmave të huaj të mos jetë në gjuhën angleze. 

E Komiteti Selektues i Kosovës që ka qenë i ngarkuar për të përzgjedhur filmin i përbërë nga  kryesuesja, aktorja Arta Dobroshi, dramaturgu Jeton Neziraj, aktori Alban Ukaj, regjisorja Blerta Zeqiri, kameramani Sylejman Kllokoqi, dramaturgia e gazetarja Jeta Xharra dhe kuratori Albert Heta ka vendosur që filmi “Tri Dritare dhe një Varje” të jetë propozimi kosovar për “Oscar”. 

Komiteti nëpërmjet një deklarate të përbashkët tha se filmi i Qosjes është zgjedhur për dy arsye.

“Filmi trajton çështjen shumë delikate të dhunimit të gruas dhe dhimbjen që një përjetim i tillë shkakton në një shoqëri. Mendojmë se filmi përveç temës që trajton, po ashtu është i realizuar shumë mirë për nga niveli artistik”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Komitetit.

Kjo është hera e parë që Kosova si shtet ka të drejtën e propozimit të një filmi në kategorinë e filmave të huaj për çmimin “Oscar”. 

Filmi “Tri Dritare dhe një Varje” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është prodhim i shtëpisë filmike “CMB” me producentë Shkumbin Istrefi n dhe Mentor Shalën. 

Sipas sinopsisit të flmit, tregimi i tij bazohet në rrëfimin e Lushes (Irena Cahanit), mësueses së fshatit, e cila duke qenë “e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja e saj për rikthimin e dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra tjera të fshatit janë viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë”. 

“ Kjo deklaratë, e cila konsiderohet si turp nga mentaliteti, shkakton shqetësim te burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës, fillojnë stigmatizimin e saj dhe kërkojnë largimin e saj nga fshati”, thuhet tutje në sinopsis. 

Megjithatë, edhe pse në qendër të vëmendjes ka femrat e dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, nëpërmjet reagimit të meshkujve shpërfaq dhunimin e femrave në familje. Një dhunim që në film rrëfehet nëpërmjet imazheve tensionuese me pak dialogë.