Winkler: Armik e Kisha Babanë-Tash e Kam Veten

Për shkrimtarin e njohur austriak Josef Winkler, krijimtaria e të cilit lidhet ngushtë me ballafaqimin me konceptin e familjes dhe konstruksionet shoqërore, të shkruash letërsi nuk ka të bëjë me përshkrimin e diçkaje, por me mjetet e gjuhës që i përdor për të përshkruar një ngjarje. 

“Dhe ka fare pak rëndësi nëse ajo ngjarje është reale a fiktive”, thotë Winkler, i cili të hënën qëndroi në Kosovë ku për studentët e Fakultetit Filologjik lexoi disa pjesë nga romanet e tij “Bujkrobi” dhe “Das tilde Karnten”. 

I ftuar nga ambasada dhe biblioteka austriake në Kosovë, Winkler në një takim letrar me studentët e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Prishtinë, tregoi për thyerjen kryesore në karrierën e tij. 

Kishte qenë 26 vjeç kur kishte shkruar nja 4 libra dhe kishte marrë 3 çmime. Dukej sikurse për shkrimtarin që portretizonte në detaje fotografitë shoqërore dhe familjare të botës, fjalët vetëm do të vinin e shtoheshin. Por kishte ndodhur e kundërta. 

“Në fakt më kishin humbur fjalët komplet. Dhe  e dija përse ndodhte kjo. Nuk ishte se nuk kishte ngjarje a gjëra për të cilat mund të shkruaja, por ishte fakti se më duhej të përballesha me armikun tim kryesor”, tha Winkler. 

Koncepti dhe miti i familjes dhe origjinës për artistët, e në mënyrë specifike për shkrimtarin Winkler, ishte gjithmonë një ballafaqim i munguar në letrat e tij, ani pse si shkrimtar i gjeneratës së tij, ai kishte thyer një mit të rëndësishëm, duke vënë pikëpyetje mbi seksualitetin dhe raportet intime mes njerëzve.  

Winkler që brenda viteve 2007-2008 ka fituar dy çmimet kryesore në fushën e letërsisë gjermane “Grand Austrian State Prize” dhe “Georg Buchner Prize” që jepet nga Akademia Gjermane për Gjuhë dhe Letërsi, tregon sesi në moshën 28 vjeçare ai do të kthehej në fshatin e tij Karnten, për të përfunduar një përballje me fëmijërinë e tij. 

“Në fakt ishte një armik shumë i madh me të cilin duhej të përballesha. Ai ishte babai im”, tregon Winkler.  

Arsyet përse e kishin çuar deri te kjo armiqësi e shkrimtarit që ka botuar afro 20 romane të përkthyera në përafërsisht kaq gjuhë, kishin qenë mungesa e një komunikimi të sinqertë, temë kjo që ishte e shprehur në shumicën e librave të tij. 

“Kur isha rreth të 30-ve ndihesha i thyer shpirtërisht dhe kisha mbetur pa fjalë për të shkruar.  Kjo ishte pasojë e një armiku të madh, që ishte babai, tek i cili u desh të kthehem gjithsesi, sepse vetëm armiku mund të m’i kthente fjalët”, tha Winkler. 

Ai tregoi se si për tre vjet ka jetuar në fshatin në të cilin asnjë banor nuk i fliste, përpos babait të tij, e pas të cilit Winkler kishte shkuar në çdo çast.

“Kam shkuar në male, në fusha ku punohej e gjithçka që kishte të bënte me fshatin dhe nga aty ka dalë edhe libri ‘Bujkrobi’ për të cilin tash pendohem se e kam titulluar kështu. Sepse fshatarët që punojnë si bujq në fakt nuk janë fare robër”, tha Winkler. 

Historia e shkrimtarit të lindur në vitin 1953 në Karnten ku ka shkuar edhe në shkollë, ka një ndërlidhje interesante mes religjionit ku ka punuar në kishën romane dhe homoseksualitetit që është temë kryesore në disa nga librat e tij, por jo si orientim. Ai vë në pikëpyetje raportet mes njerëzve dhe njihet si një prej shkrimtarëve me satirën më të fortë nga shkrimtarët e sotëm austriakë. 

Pasi kishte përfunduar ballafaqimin me armikun e tij dhe fjalët i ishin kthyer, Winkler do të udhëtonte nëpër botë, një udhëtim që ende zgjat, e që sipas tij nuk do të përfundojë kurrë. 

Por edhe në këto udhëtime, Winkler është në kërkim të ballafaqimin me të kaluarën. Sipas tij kërkimi dhe vënia në pikëpyetje e përvojave në të njëjtën kohë që përjeton përvoja të reja, është një mision i patjetërsueshëm i një shkrimtari që gjuhën e ka si mjet kryesor për të shprehur e shpjeguar gjëra. 

Në Romë kishte kërkuar dimensionin më të madh të religjionit që krahasuar me vendlindjen e tij ishte tepër provinciale, në Londër e Paris ka hulumtuar mbi raportet intime, e në Indi ku ka udhëtuar më shumë se 20 herë ka gjetur ballafaqimin me humanen që funksionon mbi baziken e të ekzistuarit. 

E krejt kjo ka krijuar një armik tjetër për shkrimtarin. Ai është shumë më i fortë sesa babai. Madje nuk e ka të sigurt nëse do të mund të ballafaqohet mirë ndonjëherë me të. 

“Tash armiku më i madh i imi, jam unë”, thotë shkrimtari 61 vjeçar.