“Marrja” Që Nuk Mbulohet

Në një moment kur në kafenenë e mbushur plot tym duhani dhe burra, një femër (Irena Cahani) e cila ditë më parë kishe bërë “horë” katundin duke i treguar një gazetareje sesi ajo dhe tre gra të tjera janë dhunuar gjatë luftës, hyn dhe porositë një raki rrushi, duket sikur do t’ua përplasë të gjithëve ne fytyrë duke treguar se cilat gra janë dhunuar.

Por kjo nuk ndodh. Ajo dëbohet nga lokali si një kurvë.

Ashtu sikurse i mbyllet dera e dyqanit të Ukës, kryetarin e katundit Guri (Luan Jaha), gruaja e të cilit është njëra prej të dhunuarave, dhunimin e së cilës kryetari e kishte parë me sy të vet, por e kishte injoruar, e më pas heshtur.

Në ndërkohë femra e tretë e dhunuar e katundit (Leonora  Mehmetaj), bashkëshortja e Sokolit (Donat Qosjes) përfundon duke bërë vetëvrasje. Identiteti i gruas së katërt nuk dihet, ndërsa gruaja që “ia ka qitë marren katundit” përballet edhe me refuzimin e prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën, ku ajo është mësuese.

Në krejt filmin “Tri Dritare dhe Një Varje” me regji të Isa Qosjes, mësuesja nuk tregon asnjë emër. Ua lë në dorë vetë grave teksa fut në tension gjithë katundin. Dhe kësisoj subjekti kryesor në film zhvendoset te burrat e katundit që tentojnë të mbulojnë marren që nuk mbulohet kurrqysh.

Pikërisht ekranizimi i periudhës posttraumatike të femrave të dhunuara në Kosovë që sipas shifrave zyrtare kap numrin prej 20 mijë të tillave, në raport me familjet e tyre dhe shoqërinë që nuk i trajton si duhet, ka qenë edhe qëllimi regjisorial dhe i skenarit tëFilmit “Tri Dritare dhe një Varje”.

Skenaristi Zymber Kelmendi pranoi se nuk ka bërë asnjë hulumtim kur e ka shkruar skenarin e filmit dhe pohoi se nuk e ka pasur për qëllim që në rrëfimin e tij femrat e dhunuara të flasin sa më shumë për atë çfarë u ka ndodhur.

Kelmendi tha se ka dashur të shtrojë një pyetje me këtë skenar.

“Diskrepanca e madhe mes atyre që janë dhunuar dhe atyre që e kanë denoncuar ,ka bërë që të shtrojmë pyetjen, çka nëse dikush flet”, tha Kelmendi.

Fatkeqësia që konsiderohet turp

Sipas tij skenari ka për qëllim të hapë një debat mbi atë që shoqëria e konsideron turp, e që në fakt është fatkeqësi.

E regjisori Qosja, i cili sikurse në filmin e tij të parafundit “Kukumi” as në “Tri Dritare…” nuk ka lëvizur nga stili i tij regjisorial me imazhe të forta dhe pak dialog, e shumë metaforë, tha se me qëllim nuk ka lëvizur nga ky stil.

“Heshtja e shoqërisë kosovare ndaj kësaj barbarie kaq të madhe të dhunimit të femrave është e palejueshme. Ne kemi zgjedhur heshtjen që të flasim më shumë nëpërmjet saj”, tha Qosja, duke e konsideruar temën e filmit të tij si tabu.

Theksoi se të gjithë ata që e kanë parë krimin e dhunimit ose dinë për të e nuk flasin, janë pjesë e atij krimi.

“Dhunimi konsiderohet si turp e ne insistojmë që të japim mesazh se nuk është turp, por fatkeqësi. Ky mesazh i referohet mendësisë së heshtjes. Por nëse dikush e identifikon veten brenda këtij mentalitetit atëherë është edhe për të”, shtoi Qosja, në një konferencë për media pas shfaqjes së premierës për gazetarë.

Mesazh për shoqërinë, jo për të dhunuarat

Sipas tij, e rëndësishme është që ky film të shihet nëpër botë në mënyrë që ata ta dinë faktin se në Kosovë janë dhunuar 20 mijë femra, por që askush nuk flet e askush nuk dënohet.

Përderisa aktorët Luan Jaha e Donat Qosja thanë të mos jenë takuar me burrat, bashkëshortet e të cilëve janë dhunuar pasi që luajnë rolet e pikërisht atyre burrave, aktorja Irena Cahani tha të jetë takuar me një grua të dhunuar.

“E kam takuar një femër, fatkeqësisht vetëm një, pasi ka qenë vështirë të biesh në kontakt dhe ato të ndihen të lira të bisedojnë. Është shumë e vështirë kur e ke përballë një femër dhe ta tregon një storie aq të dhimbshme. Por më ka ndihmuar të kuptoj se në çfarë gjendje dhe frike jetojnë ato gra për çdo ditë, për çdo moment”, tha aktorja Cahani.

Sipas saj mesazhin e këtij filmi nuk duhet ta kuptojnë gratë  e dhunuara, por shoqëria kosovare.

“Mesazhin duhet me marrë ne si shoqëri dhe t’i trajtojmë ato gra me ma shumë dashni dhe dinjitet, sepse ato e meritojnë”, shtoi Cahani.

E pikërisht në këtë sens, producenti i filmit Shkmbin Istrefi tha se planifikohet që “Tri Dritare dhe Një Varje” përpos shfaqjeve ndërkombëtare të jepet për publikun nëpër krejt Kosovën.

“Planifikojmë që përkundër faktit se kemi vetëm dy kinema në Kosovë, filmin duam ta dërgojmë nëpër çdo vend, kudo që është një sallë e vogël që mund të shfaqet filmi”, tha Istrefi.

Filmi javë më parë është dhënë premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Në Kosovë filmi ka pasur tri premiera brenda një dite. Të parën për gazetarë, të dytën në Teatrin Kombëtar ku sipas Istrefit ngjarja mbahet nën patronazhin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe një në Kinemanë “ABC”. Filmi do të shfaqet për publikun në orën 22:00 çdo ditë në këtë kinema.

Ndër të tjera Istrefi shprehet optimist se filmi do të dominohet nga Kosova si më i miri në kategorinë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj për çmimin Oscar që sipas drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku emri i filmit të nominuar do të bëhet i ditur më së largu me 25 shtator.

QKK-ja e ka subvencionuar filmin me 250 mijë euro ndërsa në total ai ka kushtuar më shumë se gjysmë milioni euro.