Dreka te Skënderbeu dhe Lepurushja në Piramidë

Një drekë në sheshin “Skënderbeu” dhe riinskenimi i këngës së njohur shqipe nga një transseksual nga Tirana, tingëllojnë si diçka abstrakte, por kolektivi artistik “Haveit” dhe artisti suedez Coony Karlsson Lundgren e përdorin këtë abstraksion si mjet për të shtruar një pyetje të thjeshtë-se sa e kufizon lirinë tradita. 

Video-performanca e kolektivit artistik “Haveit” përbërë nga Alketa e Lola Sylaj dhe Hana e Vesa Qena e titulluar “Jepi me gojë” është një inskenim i një dreke familjare në sheshin kryesor të kryeqytetit të Shqipërisë. Gjithçka duket sikur një piknik, por paksa më luksoz, edhe pse ushqimi i vetëm që është servuar në tavolinë është kaçamaku (miell misri me ujë). 

Në fakt videoja është goxha provokuese. Koncepti i videos është i përmbledhur në një poezi të Sokol Ferizit i cili nëpërmjet përzierjes së seksit dhe traditës së familjes në tavolinë ushqimi i jep siç edhe thotë vet poezia “tjetër kuptim skllavërisë”. 

Performanca e “Haveit” bëhet tensionuese kur dy vajzat fillojnë të ushqejnë me zor dy tjerat që refuzojnë të hanë. Refuzimi gati sa nuk përfundon me ngulfatje, por gjithçka merr kthesën kur fillon lëpirja e gishtave që ngjall pak neveri te “dhunueset”, teksa përfundimi është një vjellje. 

Dhe jo cfarëdo vjelljeje. Një çlirim nga neveria e të përtypurit të gjërave që nuk përtypen me qejf, ashtu sikurse që poezia i përzien shijen e “bukës dhe spermës”. 

E gjithë videoja e realizuar në sheshin “Skënderbeu” një hapësirë e gjelbëruar që autoritet lokale në Tiranë e kanë ndaluar të përdoret, ka një arsye pse është bërë. 

“Është tradita që lidhet me Skënderbeun, historia me flamurin dhe sheshi i papërdorur ato që bashkë me poezinë dhe performancën i japin kuptim pamundësisë së njerëzve të komunitetit LGBT për të jetuar të lirë”, shpjegojnë “Haveit”. 

E puna e Conny Karlsson Lundgren-it që bashkë me atë të “Haveit” janë ekspozuar në “Zeta Galeri” në Tiranë, përbëhet nga tre elementë: videoja e një performance në skenën e teatrit të Piramidës e titulluar “Lepurushja”, një fotografi nga ambientet e Arkivit të Filmit ku në qendër shihet portreti i sopranos Tefta Tashko Koço dhe faksimile të disa materialeve arkivore të filmit “Koncert në vitin 1936”. Lungren e titullon videon “Koncert në Vitin 2014 – Lepurushja”. 

Sipas kuratores Gashi, videoja e Conny Lundgrenit është një inskenim i pamjeve mjaft të njohura të filmit ku personazhet e interpretuara nga aktoret Margarita Xhepa si pianiste dhe Manushaqe Qenani si soprane  interpretojnë në një skenë të improvizuar në sheshin qendror të Muzeqesë. 

Vetë artisti thotë se ka dashur që nëpërmjet videos të tregojë  dashurinë mes një çifti lezbikesh. Kësisoj në versionin e tij, Manushaqe Qenani, ose më saktë personazhi që ajo e interpreton, është zëvendësuar me një djalë të ri të veshur si femër, pra transseksuale me emrin Lepurushja dhe skena është zhvendosur në një ambient të brendshëm në teatrit të Piramidës. 

Lepurushja aktron sikur po këndon këngën e njohur “Zare Trëndafile”. 

“Ajo që të dyja punët theksojnë është poroziteti i kufirit midis hapësirës private dhe asaj publike, gjinisë dhe sekuslaitetit dhe në fakt punët janë instaluar në një mënyrë të tillë që ky porozitet të dalë në pah, edhe në eksperiencën e hapësirës së ekspozitës”, thotë kuratorja.

Të dy video-performancat janë prodhim i një qëndrimi njëmuajsh “Unstraight Alliane Art Residency” që “Haveit” dhe Lundgren kanë pasur në Tiranë gjatë gushtit organizuar nga Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT-së në bashkëpunim me “Unstraight Museum” në Stockholm. 

Kjo rezidencë sipas Elvis Hoxhajt nga Aleanca Kundër Diskriminit të LGBT-së ka për qëllim që të ftojë artistë lokalë dhe ndërkombëtarë për të prodhuar punë në kontekstin e historisë, së tashmes dhe së ardhmes së këtij komuniteti. 

“Ne besojmë se arti është i rëndësishëm për të krijuar një fryme të pranimit dhe kuptimit ndaj komunitetit LGBT dhe nëse duhet t’i zëmë besë sondazhit te fundit të Gallup-it, në të cilin Shqipëria renditet e fundit në termat e pranimit ndaj personave LGBT, atëherë kemi akoma një rrugë shumë të gjatë për të bërë”, tha Hoxhaj në hapje të ekspozitës. 

E njëjta  ekspozitë do të shfaqet në Stockholm gjatë shtatorit, në qytetin ku liria e komunitetit LGBT nuk është as çështje e diskutimit.