Doku: Tech - Për Sigurinë në Botën e Pasigurt

Një konferencë për internetin dhe teknologjinë në një festival të filmit dokumentar dhe të shkurtër nuk është fort e zakonshme. Por ashtu sikurse motoja e “DokuFest” këtë vit “Ndrysho-Mos u Mshef”, një konferencë e tillë ka kuptim duke ndryshuar mënyrën e të perceptuarit të teknologjisë në jetët e njerëzve nëpërmjet nxjerrjes në dritë sigurinë digjitale, burimet e hapura në internet për komunitetin dhe përmbajtjen në botën e teknologjisë. 

Shtoja edhe një program filmash mbi teknologjinë, aktiviteti “Doku: Tech” i rrin shumë mirë festivalit “DokuFest”. Madje konferenca e ka bërë festivalin që përpos shikimit mbi të drejtat e njeriut në të gjithë botën dhe mbrojtjes së ambientit  nëpërmjet krijimit të programeve filmike në festival, “DokuFest” këtë vit ka nisur të shtrojë pyetjet edhe mbi platformën online në të cilën çdo ditë e më shumë po futet e gjithë bota. 

Kësisoj inxhinierë, shkrimtarë, futuristë, inovatorë, aktivistë, bashkëthemelues të institucioneve gjigante të internetit, mendimtarë pro dhe kundër internetit për katër ditë kanë zbarkuar në Prizren ekskluzivisht për “Doku:Tech”. 

I vendosur në pjesën malore të Prizrenit, tek vendi i quajtur Andrra aty ku çdo natë mbahen “DokuNights”, konferenca ka vënë në dukje ecjen e shpejtë të teknologjisë e bashkë me të edhe rrezikun e kësaj bote për miliona njerëz që janë pjesë e saj. 

E marta ka qenë dita e nisjes së konferencës që do të mbyllet me 22 gusht ku folësi kryesor ka qenë Lee Bryant njëri prej personaliteteve kryesore në kompaninë e madhe të marketingut “Twentieth Century” i cili ka folur për kontrollin dhe kufijtë që çdo ditë po thyhen në botën digjitale të informacionit dhe marketingut. 

“Bota digjitale ka një sfidë të rëndësishme para vetës. Kjo është sigurimi i një hapësire të lirë për çdo kënd që dëshiron ta përdorë atë. Por në një botë biznesi kjo po bëhet çdo ditë më e pamundur. E kjo e rrit rrezikun që në këtë botë të digjitalizuar të krijohen elita të fuqishme që një ditë do ta kontrollojnë krejt atë ”, ka thënë Bryant.

Të tjerë ekspertë të teknologjisë sikurse Deanna Zandt e cila ka folur mbi urrejtjen dhe dashurinë për internetin si një botë në të cilën çdo kush ka qenë e lirë ndërsa të tjerë ekspertë si Arandel Bojanovic, Altin Ukshini e Bilal Ghalib kanë vënë në pikëpyetje misionin e hackerëve në internet. 

E krejt kjo është lidhur me sigurinë në botën digjitale që ka qenë edhe tema e ditës së dytë të konferencës në të cilën gazetarë, drejtues mediash e ekspertë të nga vende të ndryshme të botës kanë rrëfyer eksperiencat e tyre mbi sigurinë në internet. 

E para që ka hapur ditën e dytë të konferencës ka qenë Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë e cila ka nisur prezantimin e saj për platformën online mbi raportimin e korrupsionit “KALLXO.com”  duke folur për sigurinë në një kohë kur ajo po humbet çdo ditë e më shumë. 

Teksa ka folur për përvojën e saj në gazetarinë hulumtuese Xharra ka hedhur një shikim mbi nevojën e sigurisë në raportimin e shumë çështjeve të mëdha sikurse ndërtimi i një termocentrali të ri që do të shpenzonte miliona euro dhe të marrë jetë njerëzish. 

“Sa më shumë që kemi nevojë për siguri si pjesë e rutinës tonë ditore, siguria po bëhet një industri që përjetëson veten duke mbajtur individët dhe shoqëritë të frikësuara dhe si pasojë e kësaj , investimet e mira dhe të shëndetshme nuk vijnë, teksa privatizimi me marrëveshje të këqija, korrupsioni dhe kriminaliteti është në rritje”, ka thënë Jeta Xharra.

Sipas saj, “KALLXO.com” është pikërisht një platformë e tillë që duke aplikuar një model të gazetarisë gjithëpërfshirëse në Kosovë të shkojë përtej raportimit të thjeshtë, duke ekspozuar korrupsionin dhe për gjithçka që implikon individin dhe shoqërinë e vendit. 

E implikimet sociale në botën digjitale ka qenë tema për të cilën ka folur Dan McQuillan, ligjërata e të cilit është koncentruar në ndikimin e rrjetit social “Facebook” dhe shpikjeve të tjera teknologjike në botën e shoqëritë e ndryshme.  Për të sasia e informacionit që komuniteti merr nga teknologjia i shërbejnë nevojave sociale por klasifikimi dhe siguria e tyre është duke u vënë çdo ditë e më shumë në pikëpyetje. 

Një panel interesant mbi ruajtjen e të dhënave që ka diskutua mbi Projektligjin për Ndjekjen në Komunikimin Elektronik që nënkupton mbledhjen e të dhënave në internet dhe kufizimi i qasjes në këto të dhëna nga aktivitetet e agjencive të inteligjencës. 

Paneli i përbërë nga ekspertë të teknologjisë dhe të të fushës së ligjeve nga Kosova dhe vende të tjera kanë diskutuar mbi rrezikun e grumbullimit të të dhënave masive dhe ndikimin që ky proces ka në kufizimin e lirisë së njerëzve. 

Për agjencitë e inteligjencës dhe spiunazhit në raport me lirinë e njerëzve ka folur Stephan Urbach aktivist në grupin Telecomix, teksa për elitën digjitale dhe sigurinë e informacionit ka folur Kevin Connor, drejtor i Iniciativës për Llogaridhënie Publike. 

Në ditën e tretë tema e konferencës do të jetë komuniteti ndërsa dita e tretë do të mbledhë ekspertë të ndryshëm që do të flasin për përmbajtjen në botën digjitale.