Gjakmarrja me Kanun – Nga Malësia e Shqipërisë Në Spanjë

“Gjaku me gjak paguhet”, është njëra ndër thëniet më të njohura të kodit primitiv të të jetuarit me Kanunin e Lekë Dukagjinit përpos “besës” që është po aq veprim provincial.  

Dhe këto dy tema plus mikpritja në stilin e Kanunit janë disa nga temat që janë prekur jo rrallë herë në kinematografinë shqiptare dhe regjionale. 

Por është paksa jo e zakonshme që kodet e Kanunit të Lekë Dukagjinit të shkojnë aq larg sa për njërin prej tyre, më të errëtin, gjakmarrjen, të marrë vesh edhe një regjisore spanjolle. 

Kjo është regjisorja Roser Corella e cila vitin e kaluar ka shkuar në fshatrat e thella të Shqipërisë për të xhiruara rrëfimet e viktimave të Kanunit të Lekë Dukagjinit për ta bërë një dokumentar që e ka titulluar “Prisoners of Kanun” apo “Të Burgosurit e Kanunit”. 

Filmi është pjesë e programit të dokumentarëve ndërkombëtarë në edicionin e XIII të Festivalit “DokuFest” dhe është dhënë të martën në kinemanë e Shtëpisë së Kulturës në Prizren. 

Regjisorja nuk e ka në qejf të flasë shumë për filmin e saj por për Gazetën Jeta në Kosovë tregoi sesi për këtë zakon të vjetër të gjakmarrjes që ka filluar të marrë shumë jetë në Shqipëri, sidomos në kohën e post-komunizmit, ka dëgjuar nga lajmet. 

“Për mua ka qenë thjesht shokuese të dëgjoj sesi një zakon kaq i vjetër vazhdon të ngujojë qindra njerëz  sidomos në malet e veriut të Shqipërisë”, ka thënë Corella. 

Dokumentari është dhënë edhe në disa festivale të tjera përfshirë edhe një në Spanjë. Regjisorja Corella thotë se audienca ndërkombëtare ka qenë e shokuar nga ky kod. 

“Madje për mua kanë qenë të pabesueshme historitë e ngujimit derisa i kam takuar vetë. Dhe tek atëherë kam filluar të besoj dhe ta kuptoj saktë se çfarë dokumentari dua ta bëj”, ka shtuar ajo.

Dokumentari fokusohet në jetën e ngujuar prej vitesh të Hajredin Barçit nga Burreli, Xhafer Bruca nga Fushëlura dhe adoloshentëve Ahmet dhe Bardha Buci nga një fshat i thellë në bashkinë e Kukësit. 

Tregimet e tyre janë pak a shumë të njëjta por dallojnë mënyrat sesi ata kanë rënë viktima të Kanunit të Lekë Dukagjinit. 

Për shembull Barçi nga Burreli është i ngujuar qe 15 vite pasi babai i tij ka kryer vrasje me motive të Kanunit. 

“Baba jem nuk jeton ma por unë hala duhet me vujt për atë që ka ba ai. Hasmi veq don me na vra e unë me nanen teme duhet me ndejt ktu, të ngujum, si n’burg”, thotë Barçi një burrë afro të 40-ve. 

Shkaku i babait të tyre, të ngujuar qe 10 vite janë edhe adoloshentët Ahmeti dhe Bardha të cilët shkaku i një vrasjeje që e ka bërë babai i tyre që gjendet në burg, nuk guxojnë të dalin nga shtëpia. 

“Asht shumë vështirë me jetu mes këtyre katër mureve për dicka që unë nuk e di pse ka ndodh as qysh ka ndodh. Po nuk guxoj me dal, me shku në shkoll se më vrasin. Kështu më kanë thanë”, rrëfen Ahmeti 20 vjec nga fshati Fushëlurë. 

Regjisorja spanjolle Corella thotë ta ketë pasur shumë të vështirë që t’i dëgjojë historitë e shqiptarëve të ngujuar shkaku i Kanunit. Thotë t’i ketë pyetur se përse nuk kërkojnë ndihmën e shtetit por ka marrë një përgjigje shokuese. 

“Më thanë se shteti nuk mund të na mbrojë dhe nuk ka sesi të na mbrojë. Krejt kjo ka të bëjë me moralin dhe traditat”, ka thënë Corella. 

Në dokumentar tregohet sesi sipas të dhënave të Komitetit për Gjakmarrjet në Shqipëri prej vitit 1998 në Shqipëri janë kryer mbi 10 mijë vrasje në emër të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe shkaku i kësaj afro 2 mijë familje jetojnë të izoluar.