Robin, Tash Bëje Zotin të Qeshë!

Ai ishte 63 vjeçar me një mal rolesh të luajtura në filma dhe në skenë me të cilët la gjurmë në historinë e kinematografisë botërore.

Me dekada ai luftoi kundër depresionit dhe varësisë ndaj drogës dhe alkoolit, ndërsa u gjet pa vetëdije në vilën e tij në mesditën e së hënës.

Bota artistike u vu në vaj sapo u përhap lajmi për vdekjen e njeriut i cili, në vitin 1997, kur fitoi Çmimin Oscar për rolin në filmin Good Will Hunting, u quajt nga Entertainment Weekly si “njeriu më i lumtur i gjallë”.

Gjatë një turi për media në vitin 1990 për filmin “Awakenings”, kur regjisori Penny Marshall gabimisht e përshkroi filmin të jetë i vendosur në një “spital menstrual” në vend të “spital mental”, Williams vuri në përdorim mendjen e shpejtë për ta dhënë shpjegimin e tij. “Është pjesë e një periudhe”.

Dikur Williams e krahasonte veprën e tij me vrapimin e përditshëm që e bënte përgjatë urës Golden Gate. Kishte raste kur e hidhte shikimin poshtë dhe njëra anë e tij i krijonte frikë, ndërsa tjetra insistonte se ai mund të fluturojë.

“Komedia mund të përballet me frikën dhe të mos mund të ju paralizojë ose të ju thotë se po shkon larg”, thoshte ai.

I lindur në Çikago në vitin 1951, Williams do ta kujtonte veten si një djalë të trembur i cili mori të qeshurat e para nga nëna- duke i bërë mimikë gjyshes. Ai u hap më shumë në shkollën e mesme kur iu bashkua klubit të dramës.

Robin Williams filloi karrierën në stand-up komedi para se të arrinte famën e madhe në serialin televiziv Mork and Mindy. Emisioni zgjati nga viti 1978 deri në 1982 dhe Williams shpesh lejohej ta plotësonte talentin për komedi të improvizuara përderisa luante Mork-un, një alien që jetonte në tokë.

Ai ishte shok i ngushtë i John Belushit i cili vdiq nga mbidoza e kokainës dhe heroinës në vitin 1982. Ai kënaqej me ndeja të egra me Belushin dhe më vonë e kishte pranuar se vdekja e e shokut të tij dhe lindja e të birit e nxiti ta linte drogën.

 “A ishte kjo një alarm? Po, gjithsesi. Madje alarm i nivelit të lartë”.

Në ditën që vdiq Williams, gruaja e tij e tretë, Susan Schneider, nuk e gjente dot ngushëllimin.

“Humba burrin dhe shokun më të mirë, ndërsa bota humbi një nga artistët më të dashur dhe njw qenie të mrekullueshme njerëzore”, tha Schneider.

Edhe politika mbeti e shtangur nga humbja e këtij personaliteti.

“Na bëri të qeshim e në bëri të qajmë. Ai e dha gratis dhe në mënyrë gjeneroze talentin e pakrahasueshëm për ata që kanë nevojë”, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama në një deklaratë pasi mori lajmin për vdekjen e aktorit.

Në postimin e tij të fundit në Instagram, më 1 gusht, Williams i uronte vajzës së tij Zelda ditëlindjen e 25-të. 

Ndërsa të hënën në mbrëmje, Zelda i bënte nderimet babait tashmë të vdekur me një citat të shkrimtarit dhe aviatorit të njohur francez Antoine de Saint-Exupery. “Ti- ti vetëm do të kesh aq yje sa nuk ka askush tjetër… Në një nga këta yje duhet të jetoj unë”.

Williams ka lënë pas vetes katër filma të përfunduar të cilët do të shfaqen pas vdekjes së tij. Në filmin “Night at the Museum: Secret of the Tomb”, Williams do të paraqitet në rolin e statujës së ish Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt që vjen në jetë.

Në pjesën e tretë të filmit, i cili ka përfunduar xhirimet në maj të këtij viti, ai bëhet bashkë me komedianin Ben Stiller. Filmi do të fillojë të shfaqet para Krishtlindjeve.

Gjatë periudhës festive, Williams gjithashtu do të paraqitet në “Merry Frigginn Christmass”, një komedi rreth një burri që kalon pushimet vjetore me familjen e tjetërsuar.

Ai do të dëgjohet edhe si zëri i Dennis the Dog në Absolutely Anything, në të cilin do të paraqiten në ekran edhe Simon Pegg dhe Kate Beckinsale. Filmi do të fillojë të shfaqet vitin e ardhshëm.

Williams përfundoi edhe filmin Boulevard në të cilin ai luan rolin e një burri që largohet nga ekzistenca monotone.

Ylli i filmit gjithashtu u përfshi në një plan për një vazhdim të Mrs Doubtfire, komedia e tij e vitit 1993 në të cilën ai u shfaq i veshur si grua.

Chris Columbus, regjisor i Mrs Doubtfire, në një deklaratë pas lajmit për vdekjen e Robin Williams vajtoi humbjen e aktorit.

“Kemi humbur një nga mendjet më të ndritura komike dhe një nga aktorët më të mëdhenj të gjeneratës. Ta shohësh punën e Robin ishte privilegj magjik dhe special”, tha Columbus.

Ikja e Williams i dha fund një shoqërie 21 vjeçare me Columbus, shoqëri e cila kishte bërë që edhe fëmijët e tyre të rriteshin së bashku. Aq sa Columbus thoshte se e donte sikur ta kishte vëlla.

“Performansa e tij ishte e tillë çfarë asnjë nga ne nuk e ka parë ndonjëherë. Ato vinin nga një vend spiritual dhe i botës tjetër. Ai me të vërtetë është një nga pak njerëzit që e meritojnë titullin gjeni”, u shpreh ai.

Por edhe për të ka një ngushëllim. Bota ishte më e mirë me Robinin në të. 

“Ndërsa trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”, thotë Columbus.

Në të gjallë të tij, ai i bëri miliona njerëz të qeshnin e të qeshnin.

Të gjallët tani e kanë një porosi për të në botën e përtejme.

“Bëje Zotin të qeshë”, ishte mbishkrimi i vendosur në Laugh Factory (Fabrikën e Qeshjeve) në West Hollywood.

(Artikulli u bazua në shkrimet e mediave ndërkombëtare)