Milionat e Dashurisë Suedeze Pa Paragjykime

Nadja Karlsson është trans-seksuale nga një lagje periferike në veri të Stockholmit dhe punon cicerone për historinë e gjinisë dhe seksualitetit nëpër rrugët e kryeqytetit suedez. 

Karlsson i përket një shoqërie me një histori të begatshme ku figura historike kanë qenë të “zbuluar” për thyerje të traditave në gjini dhe seks. 

Ekzistojnë tregime të tilla shqiptare sikurse ai i Ali Pashë Tepelenës me një harem meshkujsh.  Por për dallim prej një ciceroni ballkanas që mund të tregojnë gjithfarë historish mbi Ali Pashën pos këtë çështjen e “haremit”, Suedia e ka zgjidhur këtë problem duke e futur seksin dhe gjininë si pjesë të historisë. 

Kësisoj edhe Karlsson ka historinë  e saj të vështirë që bëhet pjesë e rëndësishme e së tashmes në Stockholmin ku një shëtitje me Nadjen kushton afërsisht 200 euro. Ballkani nuk ka histori të tilla dhe natyrisht as ciceronë të tillë. 

Në fakt Ballkani dhe Suedia janë dy ekstreme në respektimin e të drejtave të njeriut dhe përfitimit në emër të tyre.  Përderisa në Ballkanin e varfër organizimi i një parade të lirisë së njerëzve shkakton turbullira të egra nga gardianët e traditës shoqërore dhe kornizave religjioze, “Stockholm Pride Parade” është një sezon turistike për Suedinë.

“Java e Krenarisë në Suedi sjell një përfitim prej afërsisht 15 milionë euro të ardhura”, thotë Kenneth Hallstrom nga “Stockholm Gay Life”, një organizatë që analizon fuqinë ekonomike të komunitetit LGBTQ.  Për autoritetet e turizmit në Sockholm, java kur mbahet parada është organizimi me më së shumti të ardhura për qytetin. 

“Përderisa nuk kemi lojëra olimpike, parada e zëvendëson shumë mirë një ngjarje të tilla”, thotë Christina Guggenberger nga zyra turistike në Stockholm. 

Kësisoj arsyetohen edhe pecetat me ngjyra-ngjyra në të gjitha hotelet e baret dhe flamujt e njëjtë nëpër autobusët urbanë të qytetit, ose në në stacionin policor ku ka 7 vjet që ekziston organizata e policëve LGBTQ. Qyteti e ka edhe shtëpinë kolektive të komunitetit LGBTQ të moshës mbi 55 vjeçare. 

Në Stockholmin ku edhe religjioni ka hequr ndarjet gjinore dhe seksuale, futbolli lufton machoizmin dhe si relikt ende ekziston organizata e prindërve krenarë për lirinë e seksualitetit të fëmijëve të tyre. 

“Parada dhe Stockholmi në përgjithësi ngjan në një qytet ku gjithçka që i takon trupit dhe mendjes së njeriut nuk bëhet e parëndësishme për vetëdijen publike dhe diskursin publik të të jetuarit”, thotë Barbro Westerholm, njëra prej figurave kryesore në grupin e mjekëve që në vitet e hershme ‘70, homoseksualizmin e trajtonin  si problem mjekësor. 

“E në fakt kurrë nuk ka qenë i tillë sepse siç shihet tash, njerëzit e marrin këtë si gjë normale. Pra ka të bëjë me atë se çfarë shoqërie duan njerëzit të krijojnë. Dhe të jenë të lumtur, të ftohtë e të pasur”, shton Westerholm. 

Ballkanasit marshojnë në paradën e Stockholmit

Për të Ballkani nuk ka ende ndonjë domethënie tjetër pos luftërave dhe turbullirave nacionaliste, por në lirinë e orientimit seksual e hamendëson si një rajon të izoluar ndaj kësaj të drejte. 

Por situata nuk duket edhe aq e errët kur në paradën që feston mbi diversitetin  njerëzor takon grupin e “Civil Right Defenders” që me një pamflet “Ballkan Calling – Pride” i prin grupimit të aktivistëve nga rajoni i Ballkanit. 

Shumica e pjesëmarrësve në këtë paradë, drejtues të organizatave të LGBTQ- janë bërë pjesë e  paradës që vendet e tyre është e pamundur të organizohet. 

“Qëndrimi këtu dhe kthimi në Kosovë për shembull është një shok kulturor”, thotë Rajmonda Sylbije, aktiviste për LGBTQ në Kosovë teksa marshon në paradën e Stockholmit. 

Ajo është drejtuese e CEL, një organizate për emancipim dhe liri në Kosovë dhe në paradë është bashkë me kolegët e saj nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Shqipëria. 

Organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve ballkanike kanë shpenzuar miliona para në mbështetje të ngjarjeve dhe aktiviteteve që do të ngrejnë vetëdijen mbi lirinë e orientimit seksual dhe lidhjeve mes personave të gjinisë së njëjtë. 

Por shoqëria ballkanike ende nuk ka mundur të tejkalojë kriteret tradicionale të asaj se çka i takon një mashkulli e çka një femre dhe lirisë së njerëzve për të zgjedhur sesi dhe me kë të jetojnë. 

Kësisoj Ballkani ka mbetur getoja e Evropës dhe me një shkallë të lartë të varfërisë duke ua pamundësuar qytetarëve lirinë e  të jetuarit të pavarësuar ekonomikisht. 

Edhe Stockholmi ka “Ballkanin” e tij

Kjo ngjason me geton jashtë qytetit të pasur të Stockholmit. Atje kur lokalët dhe emigrantët jetojnë mes thyerjeve kulturore dhe shoqërore. 

“Kjo është hera e parë që unë mundem të paguaj për të qenë pjesë e “Stockholm Pride” sepse është shtrenjtë për një që mbahet nga paratë e tija dhe nuk është i pasur. Dhe kjo ka qenë mundësia më e mirë për të ikur nga ana e errët e Stockholmit të lirë”, thotë Max-i, 23 vjeçar që jeton 30 minuta larg Stockholmit nëse merr metronë. 

Në periferinë e qytetit skandinav ka lagje me emigrantë nga Ballkani dhe Arabia dhe të jetosh me rregullat e qytetit me liri për të zgjedhur secili jetën e tij, për ta është ende e pamundur. Të ardhurat e banorëve janë gjithashtu më të ulëta sesa në qendër të kryeqytetit. 

Por policia e Stockholmit e ka marrë seriozisht çështjen e ngacmimit dhe gjuhën e urrejtjes sa që ka krijuar edhe grup special për këto çështje. 

“Ne ndjekim çdokënd që në emër të urrejtjes ndaj përcaktimit të tjerëve ngacmon ose sulmon tjetrin”, thotë Goran Stanton, drejtues i organizatës së LGBTQ në Stockholm. 

Në Kosovë tek në fillim të këtij viti janë dënuar personat e parë për sulm mbi bazën e orientimit seksual. 

Ata u dënuan me dy vjet burgim me kusht dhe vetëm më 17 maj të këtij viti është mbajtur një parakalim në ditën kundër homofobisë. 

Nga ky pikëshikim Ballkani duket larg lirisë së orientimit seksual dhe gjinor, e edhe më i pamundur duket organizimi i ngjarjeve për të festuar këtë liri. 

E Suedia duket sikur një mësim i mirë për të përfituar nga liria e dashurisë dhe moskthimi i kësaj lirie në seksizëm.