“NGOM Festi” në Grykë të Prizrenit Shënoi edhe Një Hap

Të dielën në gjashtë të mëngjesit përfundoi nata e fundit e festivalit të muzikës “NGOM Fest” në Prizren. Henry Seiz, një DJ nga Spanja, bëri muzikë në skenën e Marashit dhe pëlqeu publikun kosovar, por edhe vendasit duket se e pëlqyen shumë atë. Marashi gjendet në pjesën e qytetit ku fillon rruga për në Prevallë apo Brezovicë.

Muzika filloi përsëri në mesditen e së dielës, ditën e fundit të edicionit të katërt të festivalit që mbahet në pjesën historike të qytetit. Gjashtë DJ performuan drum and base në hapësirat e shoqërisë kulturore e artistike “SHKA”. 

“Mendoj që “NGOM”-i ishte një fest i mirë, por në krahasim me edicionet e kaluara, pak më i dobët ndoshta”, tha Bestar Hoxha, një ndër DJ që lëshoi muzikë, i njohur me emrin artistik ‘Yrnol’. 

DJ Yrnol

DJ Yrnol | Fotot: Donjeta Mejtani

Ai për më pak publik në këtë edicion fajësoi komercializimin e “NGOM Fest”-it. 

“Edicionet e kaluara ka pasë më shumë skena dhe kanë qenë pa para me hy në to, domethënë çdokush ka mujtë me shku edhe ajo ka ndiku që me pasë ma shumë njerëz dhe është bërë një atmosferë më e mirë. Ndërsa sivjet më duket që është komercializu më shumë”, shpjegoi Hoxha.

Sa i përket natës së parafundit në SHKA prej orës 20:00 performuan grupet muzikore “Jane Janex”, “Via Tirana”, ‘Bicalko’. Ndërsa para tyre prej orës 16:00 performuan grupe të reja muzikore në kuadër të promo-programit të festivalit.

Lekë Hoxha basist i Grupit “Jutbina”, njëri ndër grupet që performuan në Promo, tha që “NGOM fest”-i iu ofroi mundësi të madhe me këtë paraqitje atyre si një grup i ri në vend.

“Nëse një ditë e kishim arritë famën, ‘NGOM Fest’-in e kisha përmend si një start të bendit, si pikënisje e jona”, tha Hoxha për përvojën në këtë festival.

Grupi Jutbina në skenë për herë të parë në NGOM Fest (Lekë Hoxha me duar të lidhura)

Në mbrëmje, në orën 23:00 në Marash natën e hapi MENdar b2b WIGGI, dhe URAN B më pas, duke ia lënë rradhën mysafirit të veçantë të kësaj nate – DJ Henry Saiz nga Madridi i Spanjës.

Ky DJ 31 vjeçar, që filloi të merrej me muzikë nga mosha 14 vjeçare, ndërsa profesionalisht që shtatë vjet është në këtë profesion, argëtoi publikun në Prizren me muzikë të llojit elektronik-house deri në orët e vona të natës. Pas tij Dj Toton/Dardan vazhduan me muzikën në Marash, ku festa zgjati deri në mëngjes.

“Jam këtu që vetëm disa orë dhe deri tash më pëlqeu vendi me të vërtetë shumë. Njerëzit më duken shumë të mirë dhe pamjet shumë të bukura”, tha Henry Saiz në një konferencë për media më herët, kur përshkroi qytetin dhe banorët e tij të vendit që vizitonte për herë të parë.

Grupi i arkitektëve “EASA” edhe pse ishte paralajmëruar si pjesë e këtij festivali për të vetëdijesuar prizrenasit për mbrojtjen e ambientit dhe trashëgimisë nuk arriti të kompletohej dhe as të kryente punimet me material ricikluese, ashtu si ishte paraparë.

“Qëllimi u arrit pjesërisht, në një masë relativisht të kënaqshme. Pati probleme në gjetjen e materialeve dhe në punë, për shkak të numrit të limituar të participantëve. Kishte pritshmëri që të merrnin pjesë me shumë njerëz dhe të punohej më shumë në realizimin e idesë”, tha Jora Kasapi, njëra nga arkitektet në grupin “EASA” për Gazetën Jeta në Kosovë.

Artistat në mbrojtje të ambientit 

Duke qenë se festivali organizohet për herë të katërt, pritej që problemet organizative të ishin më të pakta. Mirëpo ky edicion u përball edhe me mot të lig që shkaktoi probleme teknike dhe vonesa të artistëve.

“Sa i përket organizimit të festivalit me aq mundësi materiale dhe organizative sa kishim jemi mundu që gjithçka të shkojë mirë dhe saktë. Moti me shi na e prishi pak planin dhe qejfin, mirëpo falë adhuruesve të flakët të muzikës u tejkalu shpejt edhe ky incident duke pritur me padurim që performuesit të ngjiteshin në skenë dhe të vazhdonin të bënin muzikë”, tha Malbora Krajku, zëdhënëse për media e festivalit.

Kampi në Marash përskaj Lumbardhit