Shiu Pengon Por Nuk Ndal Muzikën e NGOM Festit

Anëtarëve të Grupit Amerikan “Kultur Shock” që përzien në mënyrë mistike dhe të vështirë muzikën ballkanike me rrymat muzikore punk e metal u pëlqeu jashtëzakonisht shumë Prizreni dhe publiku në këtë qytet. 

Ata erdhën për herë të parë në edicionit e sivjetmë të “NGOM Festit”, duke performuar të premten në skenën e Marashit. 

“Jemi të lumtur që jemi këtu. Festivali është i mrekullueshëm dhe është një përjetim i mirë të vish këtu, të ndjesh këtë energji në këtë qytet të bukur”, tha Guy M Davis, basisti i grupit në konferencë per shtyp përpara fillimit të mbrëmjes. 

Publikun prizrenas e lavdëroi vokalisti i grupit Gino Srdjan Yevdjevich me prejardhje nga Sarajeva. 

“Gjithmonë them që nuk kam pritshmëri se si do të pranohemi, por kjo pritshmëri është shumë më shumë nga ajo që mund të kem pritur. Është shumë frymëzuese. Më bënë të ndihem si në shtëpi” , tha Yevdjevich për gazeten Jeta ne Kosove pas performancës. 

Edhe bateristi i grupit të njohur Chris Stromquist u ndie mirë në qytetin e lashtë kosovar. 

“Do të rikthehesha në  këtë vend kurdoherë të kisha ftesë. Madje dy herë në vit. Mendoj që mund të premtoj që do kthehem përsëri si artist, si turist, ose me familjen”, tha Stromquist. 

“Muzika” e shiut dhe instrumenteve

Por dita e dytë e festivalit, kur performoi “Kultur Shock-u”, nuk kaloi pa probleme. Ajo nisi në orën 14:00 me Promoskenë në kafenene “Casbah”, ku DJ të rinj lëshuan muzikë të zhanrit dubstep dhe drum&bass.

Moti i lig me shi dhe disa parregullsi teknike, komplikuan rrjedhën e festivalit duke e vonuar kështu paraqitjen e artistëve në SHKA, më pas edhe në Marash, dy nga gjashtë skenat ku do të bëhet muzikë gjatë festivalit. 

Përderisa zërimi dhe rregullimi i skenës morën më shumë kohë seç duhej dhe as rrebeshi i shiut nuk pushoi, artistët në SHKA të cilët duhej të fillonin të performonin në orën 20:00, filluan të këndojnë dy orë më vonë nëpër shtrengatë dhe audiencë të pakët nën çadra. 

“Moti i lig natyrisht që e ka prishë balancin e ndenjave që kanë ndodhur këtu, sidomos sonte. Katër vjet me radhë kam qenë këtu, edhe nja tre vjet me radhë ka ra shi. Por jam i kënaqur që sonte bëmë muzikë, pavaresisht shiut dhe motit të keq”,  tha Nesim Maxhuni, bateristi I grupit “Por-nó”. 

Përveç grupit “Por-nó”, në SHKA këtë natë u paraqitën edhe grupi “Cute Babulja” dhe “The Stomping Academy”. 

Në Marash nata muzikore nisi me grupet “Me t’njofshëm” dhe “Relative”, për të vazhduar me amerikanët e “Kultur Shock-ut”. Pas grupit që “ndezi” Prizrenin dhe u ndez prej tij, në skenë doli grupi “Angry Youth” për t’i dhënë fund natës së dytë. 

Festivali që do të zgjasë deri më 3 gusht, filloi të enjten pasdite, po me DJ, por të zhanrit Hip-Hop në Promoskenë, të konceptuar për promovimin e artistëve të rinj, kryesisht të bashkuar nëpër grupe, por që sivjet më tepër ishin DJ, pasi kërkesaa për ta ishte shumë e madhe. 

Hapja solemne e festivalit u bë në ora 20:00 në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni”, me paraqitjen e duos pianistike, Festa Nevzati nga Prizreni dhe Najada Mejdani nga Tirana, të cilat luajtën vepra klasike të kompozitorëve të shquar romantikë botërorë. 

Kjo hapje me këtë lloj muzike u zgjodh për shkak të kësaj shkolle që është e para shkollë e tillë në Kosovë. Ndërkaq në Marash minutat e parë të natës startuese i takuan DJ DRIT’on-it, i cili më pas ia lëshoi skenën grupit P.I.N.T. që përbëhet nga Mc Kresha, Lyrical Son, BimBimma dhe ErgeNR. 

“Organizimi ka qenë shumë i mirë. Njerëzit janë kënaqur. ‘NGOM fest-i’ po i bjen afër njerëzve, rinisë të Prizrenit, artista të mirëfilltë dhe një festival si ky ndikon në edukim, mentalitet dhe në intelekt të një njeriu të ri” tha reperi Festim Arifi, me emrin artistik ‘Lyrical Son’. 

Kjo natë përfundoi përsëri me një DJ-Drill-in nga Prizreni. 

Arkitektët vonohen për ta mbrojtur ambientin

Festivali ka edhe kioskën e NGOM Shop në qytet, ku mund të blihen biletat për hyrje në SHKA dhe në Marash, si dhe bluza dhe çanta me logot e festivalit, të cilat shërbejnë si artikuj promovues. 

“Në përgjithësi, në vitet tjera, ka pasë shumë shitje ma të madhe. Por prapë ka pasë shumë interesim. Kemi pritur shitje më shumë, mirëpo qysh po shihet na kanë dalë llogaritjet mirë”, tha Denan Gjergjizi, vullnetar dhe shitës në NGOM Shop. 

Përpos hoteleve për akomodim në qytet, “NGOM fest –i”ofron edhe kampin për fjetje. Kampi shtrihet në Marash. Nata kushton 5 euro, ndërsa me tendën personale 3 euro. 

Një zëdhënëse e festivalit thotë se “NGOM Fest-i” po u ndihmon edhe prizrenasve, pasi ata po lëshojnë dhoma me qira për mysafirët. 

“Qytetarët e Prizrenit tash e kanë bërë si traditë qe ua kanë lënë festivalet, lëshojnë dhoma me qira. Nata në këto shtëpi private kushton 10 euro dhe këto shtëpi janë kryesisht në qendër të qytetit”,  tha Marlbora Krajku, zëdhënse për media e festivalit. 

Risi e sivjetme ishin paralajmëruar punimet me materiale ricikluese të arkitektëve të Grupit “EASA” nga Tirana dhe Prishtina që donin të vetëdijesonin njerëzit për mbrojtje të ambientit dhe trashëgimisë prizrenase. 

Shumica e arkitektëve nuk kanë arritur ende, ndërsa punimet nuk kanë nisur. Pritet që këto punime të kryhen gjatë dy ditëve të mbetura të “NGOM Fest-it”. 

Biletat për tërë festivalin kanë kushtuar 10 euro të cilat janë shitur qysh ditën e parë. Bileta hyrëse për SHKA kushton 2 euro, kurse për Marash 4 euro.