Tito Është Ende i Fortë

Adhuruesit e filmit e mbajnë mend skenën e njohur të filmit “From Dusk Till Dawn” (1996) të Robert Rodriguez, në të cilën aktorja Salma Hayek bën vallëzimin ekzotik me një gjarpër nën performancën e bendit që një vit përpara kishte bërë bujë në filmin tjetër të Rodriguez “Desperado”. 

Kësisoj këngët sikurse “After Dark” apo “Strange Face Of Love” do ta bënin bendin e krijuar në Kaliforninë e vitit 1992 me kitaristin Tito Larriva që të mblidhte në një bend instrumentistë të ndryshëm të cilët janë ndërruar shpesh qysh prej themelimit. 

Muzika e tyre, një përzierje mes rock-ut, blues-it, latino-s dhe hard rock-ut, ka bërë qindra-mijëra adhurues nëpër botë.

Dhe pas 22 viteve, të mërkurën bendi ka mbajtur koncert në Gjakovë. 

Por Tito dhe Tarantula nuk kanë arritur të mbledhin as 500 veta në sallën e sporteve të qytetit, por ata që kanë qenë aty kanë shijuar një performancë e cila ka përfshirë këndimin e këngëve më të njohura të bendit sikurse “Back to the House That Love Built” apo “Andry Cockroaches”. 

Disa ditë më parë, KALLXO.com raportoi se nga salla e asamblesë komunale të Gjakovës është vjedhur një pajisje e zërimit.

Probleme me zërim pati edhe në sallën e sporteve, pak kilometra larg ndërtesës ku të zgjedhurve të komunës tani u duhet të bërtasin pak më shumë në mënyrë që ta fitojnë vëmendjen e tjerëve.

Problemet e zërimit shpesh bënë që në koncert të mos dëgjohet mirë zëri i kompozitorit, këngëtarit e kitaristit Tito.

Por koncerti gati dy orësh i bendit e ka futur në lojë audiencën që ka shëtitur nëpër këngët që janë sinonim i skenave të filmave me aktor të njohur si George Cloony, Antonio Banderas e Danny Trejo. 

“Ka qenë një eksperiencë fenomenale edhe pse më ka penguar zërimi, megjithatë duke qenë një fans i filmave ku kanë luajtur ky bend për mua ka qenë një rikthim në skena sikurse ajo e Antonio Banderas në ‘Desperado”, tha Enes Musliu, një nga pjesmarrësit e koncertit. 

Për bendin që kritikët e muzikës e kanë cilësuar si një arritje në tingujt e pazakonshëm dhe unikë, bileta për koncert ka kushtuar 5 euro, ndërsa sipas organizatorit Ekrem Tahiri, ata që nuk kanë ardhur në koncert kanë humbur shumë. 

“Ne kemi vite që tentojmë ta sjellim bendin dhe më në fund e sollëm në Gjakovë si tentim për t’i ikur epiqendrës së të gjitha ngjarjeve në Prishtinë”, tha Tahiri. 

Audienca nga Prishtina nuk ka munguar në këtë koncert. Mbi 100 veta në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar nga kryeqyteti në Gjakovë për të parë koncertin. 

“Tito & Tarantula” me Jeff Herring në kitarë, Lolita Carroll në bass dhe Victor Ziolkowski në bateri  kanë komunikuar mirë me publikun, madje i kanë bërë edhe pjesë të koncertit duke ftuar edhe një pjesë të audiencës në skenë për të vallëzuar. E audienca e ka rikthyer bendin në skenë pasi ata përfunduan koncertin për të dhënë performancën e fundit diku 30 minuta pas mesnatës. 

Por Tito nuk është treguar edhe aq i gatshëm për të folur me mediat edhe pse nuk ka mundur t’i rezistojë interesimit të tyre për të folur mbi karrierën e tij. 

Kur Gazeta JNK e pyeti nëse Tito Larrivas është duke u lodhur ai reagoi shpejt. 

“E patë koncertin, dhe unë jam në gjendje të luaj edhe 3 orë më pas”, tha ai, në prapaskenë, disa minuta pasi përfundoi koncertin. 

“Tito është ende i fortë dhe Tarantula janë dhe do të mbesin gjithmonë gjallë”, vazhdoi Tito. 

Në koncertin në Gjakovë, Tito i ka kushtuar edhe një këngë Mimoza Kusari-Lilës, kryetares së Gjakovës 

Por a ka në plan Tito dhe bendi pjesë e ndonjë filmi të tanishëm? 

“Mendoj se muzika jonë është e atij lloji që nuk përshtatet me gjithfarë filmash dhe me gjithfarë regjisorësh. Duhet të gjejmë diçka që thjesht na rri dhe kjo tashmë është pak e zorshme”, tha ai. 

Bendi  i cili albumin e parë e ka lansuar në vitin 1997 duke e titulluar “Tarantism”  teksa një vit më vonë lansuan “Hungry Sally & Other Killer Lullabies”, në Gjakovë kanë kënduar edhe këngë të albumeve të mëvonshme si “Little Bitch” i vitit 2000 , “Midd-2000s” dhe albumi i vitit 2008 “Back into Darknesss”. 

Para “Tito & Tarantula” kanë performuar bendi lokal “Funky Guru” me këngëtarët nga Gjakovë, Florent Abrashi, Flaka Krelani dhe Vesa Smolica.