“Nuk Jam Gay” - Mori Fund

“Mendoja se do përfundoja duke u mësuar me dhimbjen”.

Kjo është një fjali e shkruar në paragrafin e fundit të faqes 32 në librin e Édouard Louis “Mori Fund”.  Por fundi do të vinte vetëm kur ai të shkonte tek faqja 179 kur edhe përfundon libri.

“Më vonë kuptova se ky ishte vetëm fillimi”, thotë Édouard Louis, 22 vjeç, i diplomuar në sociologji, i cili në janar të këtij viti ka botuar romanin e tij të parë.

Në Francën e elitave letrare ku depërtimi i shkrimtarëve të rinj është i vështirë,  Édouard ka thyer këtë perde. Dhe këtë ka arritur duke shkruar për ato që shumë shkrimtarë në Francë nuk kanë guxuar ta bëjnë.

Ka shkruar libër për jetën e tij. Një jetë e cila qysh prej lindjes është imponuar. Një jetë e cila të bën të hedhësh poshtë konceptin e dashurisë me çdo kusht ndaj familjes, rezistencës ndaj gjykimit të shoqërisë për atë çka je dhe daljes nga kornizat që po ajo shoqëri i krijon për të “vënë rregull”.

Autori i cili ka dridhur realitetin e dhimbshëm të provincave në Francë në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë flet për tri faza që kanë sjellë dhimbjen e dhunës me të cilën është dashur të përballet.

“Në fakt unë ende përballem me dhimbjen. Tash ka filluar faza tjetër ku njerëzit më gjykojnë për atë që kam shkruar, e që të gjithë e dinë por nuk dëshirojnë të flasin”, thotë  Édouard.

E këto gjërat janë “Burrnia”, “Seksualiteti” dhe “Nana”.

 “Burrnia”

Nord quhet fshati ku ka lindur Édouard. Nuk ka më shumë se 1 mijë banorë dhe është pjesë e rajonit Nord Alsace në Francë.

“Në fshat nuk kishte rëndësi vetëm të kesh qenë një i fortë, por gjithashtu të dish t’i bësh djemtë e tu të fortë. Një baba do të riformonte identitetin e tij mashkullor me anën e fëmijëve… dhe im atë do të më bënte mua një të fortë, ishte krenaria e burrit që vihej në lojë”, shkruan Édouard, teksa flet për nisjen e një jete që i është imponuar nga rregullat e vendosura nga shoqëria.

“Kishte vendosur të më quante Eddy pë shkak të serialeve amerikane që shikonte në televizor. Me emrin e familjes që më trashëgonte-Bellegueule… Një emër të forti”, shkruan tutje ai.

Autori i cili me librin e tij ka ngjallur debat të madh në Francë pasi vë në pikëpyetje krejt lidhjen humane të zaptuar nga rregullat e krijuara po ashtu nga qenia humane, do ta ndryshonte emrin e tij tek në moshën 16 vjeçare.

“Vendosa të quhem Édouard Louis si hap të parë  për t’u përballur me atë që më është imponuar- të jem i fortë, domosdoshmërisht një burrë”, thotë ai, teksa mban në kokë një plis të dhuruar nga aktorja Safete Rogova, gjatë prezantimit të librit.

Natyrisht Édouard nuk e kupton simbolikën e plisit. Të një kapele e cila në shoqërinë shqiptare simbolizon burrërinë. Të fortit. Madje edhe atëherë kur atë e vë një grua sikurse Shote Galica, metafora i kushtohet “gruas burrneshë”.

Kur e kupton qesh. Thotë se e ndjen që ngjarja e librit autobiografik të tij i përket edhe Kosovës.
“Për këtë arsye them që libri im është politik. Sepse u përket shoqërive të kapura nga traditat të cilat kanë simbolet e tyre ndarëse, e jo veç për gjinitë”, thotë ai.

Në libër, Édouard përshkruan thjesht dhe me një gjuhë krejtësisht të lehtë  për t’u lexuar, gjithë të jetuarit në një vend rural ku të jesh një mashkull që e ke zërin e femrës, apo të mos e pëlqesh futbollin është të jesh i përjashtuar.

“Mbi të gjitha i gjykuar”, thotë Édouard-i.

Në fakt po të mos e dish se ngjarja zhvillohet në një fshat të Francës, shumë lehtë lexuesi mund ta gjejë veten në secilin fshat të Kosovës. Aty ku djemtë kanë rregulla të tjera nga femrat se si duhet jetuar. Aty ku të “fortit” nëpër shkolla ngacmojnë të “dobëtit” për secilin detaj që ata e vërejnë apo për secilin veprim që ai e bën.

“Babait tim më vonë filloi t’i vinte turp prej meje për shkak se unë nuk kisha dalë ashtu i fortë. Dhe dikur nga vdekja më thirri e më tha: ‘Të dua’. Por kjo ishte paksa e pështirë për mua, kjo fjalë për mua kishte natyrë incesti”, thotë Édouard.

 “Nana”

Édouard, sikundër për babanë që ka një qasje krejtësisht refuzuese, nënën e viktimizon por duke e kritikuar për dorëzim ndaj pushtetit të babait. Ai i kushton një rëndësi të veçantë sidomos tentimit të babait të tij për bërë edhe një djalë tjetër që do të ishte më burrë. Më pas tregon për obsesionin e tij për të ecur lakuriq në shtëpi si një simbolikë e lirisë absolute të tij.

“Në fakt kështu tregonte pushtetin e tij”, thotë Édouard, i cili në librin e tij nëpërmjet nënës shpjegon krejt dorëzimin e femrës përballë burrit.

“Nuk i duhet mbajtur mëri, ti e di, është burrë dhe burrat nuk i shprehin kurrë ndjenjat e tyre”, do t’i thoshte nëna Édouard-it.

Për Édouard-in pozicionimi i femrës si një qenie humane e cila duhet të “notojë në ujërat, rrymat e të cilëve drejtohen nga burrat” e ka bërë nënën e tij që përkundër dëshirës që ta lë të birin të jetojë ashtu sikurse do, nuk ngriste zërin nga frika e babait.

Por nëna në romanin”Mori Fund” është më mirëkuptuese dhe mbështetëse për shembull kur Édouard ngacmohet në shkollë dhe gjithkah tjetër nëpër qytet.

“Por ajo gjithmonë më thoshte se unë isha i butë dhe i shkollës e duhej t’ua lëshoja burrave rendin në shkollë, sepse ata nuk do të kenë sukses sikurse unë kur do të bëhesha i pasur. Dhe ironia është që ende nuk jam i pasur”, thotë Édouard.

Sipas tij, pikërisht raportet me nënën dhe familjen kanë qenë pjesët më të vështira gjatë shkrimit të librit.

“E kam pasur shumë të vështirë që të shkruaj këtë libër, sepse duhej të kthehesha prapa në kohët e trishta plot dhimbje. Ti ripërjetoja ato. Por ka marrë fund. Dhe tash kam një një tjetër sfidë që t’i bëj njerëzit të flasin për këto çështje”, thotë Édouard.

Pikërisht për natyrën e rrëfimit të librit “Mori fund” ka bërë shumë bujë në Francë. Madje një shtëpi botuese ka refuzuar ta botojë për shkak të përmbajtjes që siç i është thënë Édouardit është diçka që nuk ka nevojë të flitet.

Por kur u botua, në janar të këtij viti, ai shpejt mori dhenë. Deri më tash është shitur në afro 200 mijë kopje dhe ka prodhuar qindra debate nëpër mediat franceze. Madje për këtë libër është diskutuar edhe në qarqet akademike, ku një pjesë e konservatorëve e kanë quajtur librin si një autobiografi e ekzagjeruar.

E krejt ky debat sipas Édouard-it ka ardhur sepse libri prek tjetrin. Atë të diferencuarin si pasojë e diçkaje tepër intime.

 “Në fund të fundit, ka të bëjë me seksualitetin”

Édouard është homoseksual. Por thotë se libri nuk është shkruar vetëm “për të vajtuar refuzimin që i është bërë nga shoqëria për shkak të orientimit të tij seksual”, por për refuzimin që shumica e shoqërisë u bëjnë atyre që janë ndryshe, që janë pakicë.

“Por natyrisht libri është kundër homofobisë mbi të gjitha”, tha Édouard.

Pjesa e cila më së shumti ka ngjallur debat në mediat franceze është ajo e titulluar “Hangari” në të cilën Édouard tregon për eksperiencat  e tij seksuale si një 11 vjeçar me shokët e tij në një hangar. Aty tregohet sesi djemtë e tjerë heteroseksual ëe kanë pasur vetëm një problem për të bërë seks me një djalë tjetër- ai duhej të vënte një unazë për të simbolizuar femrën.

Historia e “dashurisë” mes Édouard dhe çunave të tjerë do të përfundonte kur nëna e tij do t’i zinte dhe më pas të gjithë djemtë e tjerë do të pohohin se ajo histori ka qenë dëshirë  e vetëm Édouard-it.

“Ne ishim dy, katër në fakt, me Brunon dhe Fabienin. Por, pjesëmarrja e tyre në takimet në hangar nuk është përmendur kurrë”, shkruan Édouard në faqen 131 të librit.

Në këtë pikë nis edhe ikja e Édouard-it nga gjithçka. E në të njëjtën kohë edhe tentimi i tij për të ndryshuar imazhin, nga një homoseksual në një djalë që del me femra. Kishte provuar me dy femra, përpara se përfundimisht të vendoste të hidhte poshtë familjen dhe krejt rrethin.

“Arratia ishte mundësia e vetme që më ofrohej, e vetmja tek e cila isha kthyer”, shkruan Édouard në faqen 159. Kur do të fillonte studimet në sociologji do të niste edhe jeta e re për të.

Një jetë e cila brenda tre vjetëve i ka dhënë guximin të përballet me krejt atë çfarë kishte përjetuar.

“Një betejë që ende vazhdon…”, thotë Édouard teksa u  jep autografe vizitorëve të Panairit të 16-të të Librit në Prishtinë, ku shtëpia botuese “Buzuku” ka sjellë në shqip librin e tij të përkthyer nga Anila Xhekaliu.